MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

“Dallga” e Beppe Grillos drejt Tiranës - Thesari

E Martë 21 Qershor, 2016
“Dallga” e Beppe Grillos drejt Tiranës

beppe-grillo-1

Për të gjithë ata që nuk e njohin mirë lëvizjen “5 Yjet” e Italisë apo e kanë harruar po ua përshkruajmë se ç’ndodhi në zgjedhjet e fundit vendore në shtetin fqinjë. Edhe për ata politikanë shqiptarë që nuk duan të prishin qetësinë e tyre shumëvjeçare të mbajtjes së pushtetit ia vlen të shkruajmë me shumë për Beppe Grillon.

Lëvizja “5 Yjet” e Beppe Grillos ka arritur një fitore befasuese në zgjedhjet lokale të para dy ditëve në Itali. Kandidatët e saj kanë fituar dy qytetet kryesore, Romën dhe Torinon. Ndërkohë, në rang Republike “5 Yjet” kanë fituar 19 nga 20 komunat kryesore ku nxori kandidatë.

Me këtë fitore  Lëvizja “5 Yjet” kthehet në një nga forcat kryesore që do të kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2018.  Kjo rritje e kuotave elektorale të një partie politike që nisi rrugëtimin disa vite më parë shihet si një sukses i forcave të reja që janë kundër partive tradicionale.

Beppe Grillo, një ish-komedian që u angazhua në politikë kundër sistemi aktual të së majtës dhe të djathtës në Itali, duket se me fitoren historike të një force të re politike do jetë surprizë edhe në zgjedhje e ardhshme parlamentare.

“Në fillim na thanë “është e pamundur” që t’ja dilni. Sot suksesi është i garantuar. Do fitojmë qeverinë në zgjedhjet e ardhme”, tha Grillo në një deklaratë për mediat.

Fitorja e “5 Yjeve” shihet si një goditje politike ndaj reformave të kryeministrit Italian, Mateo Renzi. Por edhe partive të djathta të traditës, të cilat e kanë lodhur popullin me premtime e mashtrime të disa dekadave.  Beppe Grillo e nisi karrierën politike fillimisht si aktivist i shoqërisë civile. Vetëm me një faqe interneti deri në vitin 2008 ai u bë zëri i italianëve të pakënaqur nga politika e partive kryesore italiane. Në vitin 2009 shpalli lëvizjen politike “5 Yjeve” të cilësuar si “anti-sistem” duke mbledhur rreth vetes intelektualë dhe figura të pakonsumura në politikën italiane.

“5 Yjet” ka aktualisht 91 deputetë në Parlamentin italian dhe 35 senatorë.

 Kjo është “dallga” italiane e cila po vjen drejt Shqipërisë si fenomen, por edhe si politikë qeverisëse e re. Në Shqipëri ka dekada që PD dhe PS bëjnë ligjin. Ndërrojnë vendet çdo 4 apo 8 vjet dhe vazhdon i njëjti cikël. Dy partitë e mëdha tradicionale të cilat kanë shkaktuar trauma të mëdha vendit akoma sot diktojnë. Natyrisht që kanë  edhe kontribute. Por në thelb nuk duan ritëm europian të zhvillimit të ekonomisë dhe të shoqërisë, nuk duan oponencën civile, duan një media të lidhur me pronarë  që syrin e mbajnë tek lejet e ndërtimit, tek privatizimet, tek pisllëqet. Pranojnë rotacion pushteti , por pa prekur pasuritë e kupolës. Ndaj  fryma e fitores së fundit të “5 Yjeve” në Itali pavarësisht politikës zyrtare të PS dhe PD të cilat nuk duan kurrsesi forca të reja, frymë të re dhe hov të ri, po rritet brenda shoqërisë shqiptare si një frymë antiklasë e vjetër politike, pra fryma Grillo po zë  vend në trupin e Shqipërisë  .

Të fitojë një 38 vjeçare komunën e Romës e cila është një kryeqendër e kulturës botërore apo e Torinës industriale ishte e paparashikuar nga politika italiane. Bile edhe ajo europiane e Brukselit nuk parashikoi se qytetarët janë velur me partitë e traditës. Por ndodhi ndryshimi. Është fakt dhe kjo tregon se shoqëria po evoluon shumë, ka hap me të shpejtë se dy partitë e kampeve kundërshtare.

Po vjen një revolucion “Beppe Grillo” edhe në Shqipëri.Ndaj janë egërsuar dhe po luajnë çdo gur dy partitë e vjetra shqiptare PD dhe PS që të mos rriten partitë e tjera apo ato që mund të krijohen në shtator.  Nuk është çudi që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të kemi kryeministër tjetër, pra jo të PS dhe jo të PD-së. Shoqëria shqiptare po zien.

“Dallga” italiane po vjen. Sa kaloi bregdetin italian dhe po turret në Adriatik drejt bregdetit shqiptar. I duhet një vit që të hyjë në Tiranë si “dallgë”!

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?