MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Dështimi i suksesshëm i shoqërisë civile - Thesari

E Premte 09 Dhjetor, 2016
Dështimi i suksesshëm i shoqërisë civile

Tare

Natën e errët të 13 nëntorit të vitit të shkuar, nën tingujt e grupit metalar ‘Shqiponjat e vdekjes’ në teatrin Bataclan në Francë, humbën jetën rreth 130 persona në një sulm terrorist makabër. Një ngjarje e tmerrshme me të cilën mbarë bota, edhe Shqipëria u solidarizua. Mëngjesin e 14 nëntorit, mediat e Tiranës raportuan se shoqëria civile shqiptare dhe gazetarët ndezën qirinj pranë derës së ambasadës franceze, në nder të këtyre viktimave.

Një vit më pas, Shqipëria jeton me makthin e një shoqërie në depresion, të traumatizuar dhe të rrezikshme edhe fëmijët biologjikë të disa qenieve njerëzore të padenja për t’u quajtur të tillë. Mbi 3 mijë raste në vetëm 9 muajt e vitit 2016 nga dhuna në familje, pa llogaritur këtu dhunimin dhe gjymtimin mendor të të afërmve, familjarëve të viktimave të cmendurisë së pakuruar. Një situatë tronditëse, për të cilën reagohet në mënyrë të mekur. Herë me shifra në buletinin me iniciale të policisë dhe herë me biseda kafeneje për të njohurin, kolegun, fqinjin me sy të cakërdisur dhe sjellje agresive.

Rituali i heshtjes nuk është më shqetësuesi. Në vend të këmbanave të alarmit për të sëmurët mendorë që bredhin lirisht ka një sëmundje më të rrezikshme që vret po aq. Është hipokrizia dhe fallsiteti i politikës në reagimet e përgatitura për ngjarjet e radhës të kronikës së zezë që tashmë ka marrë edhe pushtetin e klikimeve të kronikës rozë. Madje edhe standardet e reagimit të politikës së madhe janë të dyfishta, kur bëhet fjalë për dy të miturit e Korcës dhe të vrarët e Parisit.

Tre mijë të vrarë nga dhuna në familje është një bilanc lufte me viktima të parandalueshme në rast se do të funksiononin institucionet dhe shteti ligjor. Ndaj secili prej mijëra viktimave rëndon sot në ndërgjegjen e të gjithë aktorëve që nuk kanë bërë detyrën e parashikuar. Deputetja Bregu u investua personalisht për të gjetur shkaktarët e tragjedisë së Fierit, ku nëna e dy fëmijëve u flak nga ballkoni dhe falë paqartësisë dhe kakofonisë së përgjigjeve të institucioneve ende nuk ka një fajtor të qartë të vrasjes së paramenduar.

Pas cdo ngjarje, shoqëria ajo virtuale dhe reale shfaqen të shokuara nga të vërtetat që refuzojnë t’i shohin në përditshmëri. Me forcën e statuseve në Facebook dhe mundimin e të bërit “share” të komenteve ndërgjegjësuese pandehin se e bëjnë detyrën prej individi të përgjegjshëm. Të tjerë, më aktivë dhe më të angazhuar kanë ndërrmarrë inisiativa të admirueshme, që kanë patur fund domethënës për atrofizimin e shoqërisë.

Aktivisti dhe zëri I spikatur I protestës Erion Kristo organizoi një protestë në 8 Dhjetor, ditën kur administrata ishte pushim me rastin e ditës së rinisë dhe pjesa më e madhe e familjeve u dyndën tek qendrat tregtare. Protesta dështoi me sukses të plotë. Pak metra më tutje disa të rinj të motivuar politikisht ja dolën të mblidhnin ca më shumë pjesëmarrës. Kështu ka ndodhur në këto 26 vite demokraci. Pronësinë e protestave e kanë patur partitë politike pasi ato janë dhe punëdhënëset më të mëdha të mediokritetit dhe karrierës së pamerituar.

Në protestën e thirrur nga Erioni dhe disa aktivistë të tjerë kundër dhunës përpara Piramidës u dëshmua edhe pandjeshmëria e një tjetër piramide të demokracisë, asaj mediatike. Për të dokumentuar ndërgjegjësimin e individëve të indinjuar nga dhuna, nga televizionet ishte vetëm kamera e Ora News. Protestë pati, por protestues jo. Madje u regjistrua si rrallëherë një dorëheqje publike për shkak të dështimit. U dorëhoq simbolikisht dhe me dinjitet nga protesta qytetare një I pafajshëm ndaj pandjeshmërisë së shoqërisë që nuk e ka për kulturë të revoltohet, të kritikojë dhe të kërkojë të drejtat e saj. Ndaj, kush mendon se shoqëria civile vdiq gabon, sepse ajo nuk ka qenë deri më sot duke bërë detyrën e saj. Sepse shoqëria nuk janë disa organizata që I shohin si përfituese projektesh, ato janë një pjesë e saj dhe jo gjithmonë pjesa më problematike. Shoqëria shqiptare janë edhe ata zotërinjtë dhe zonjat që bëjnë “like” dhe “share” nëpër rrjete sociale here me emra dhe herë me pseudonime. Janë edhe familjarët e viktimave që shohin në media detajet macabre të varjes së nipërve dhe fëmijëve të tyre. Janë edhe të gjithë të suksesshmit që llamburisin me luksin e tyre në një shoqëri të dështuar moralisht dhe fizikisht.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?