MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

E vërteta e zbulimit të përgjimeve, NATO skanoi territorin dhe zbuloi ekzistencën e 3 pajisjeve - Thesari

E Shtunë 21 Maj, 2016
E vërteta e zbulimit të përgjimeve, NATO skanoi territorin dhe zbuloi ekzistencën e 3 pajisjeve

Cybersecurity

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon skandalit të përgjimeve në vend. Teksa ditët e fundit është zhvilluar një debat i gjerë se si u arrit të zbulohej pajisja e marrë nga policia, gazeta “SOT” nxjerr të tjerë të dhëna. Pas lajmit të 1 prillit se policia kishte në zotërim një pajisje përgjimi, gazeta ka mësuar se zbulimi i saj nuk është bërë nga SHISH, sikundër pretendohet nga kreu i saj, Visho Lika. Sipas burimeve të sigurta pranë Ministrisë së Mbrojtjes, pajisja e përgjimit është gjetur nga zbulimi ushtarak i NATO. Më 27 maj, në vendin tonë mbahet për herë të parë Samiti e NATO, ku do të jenë prezentë personalitete nga e gjithë bota. Për këtë arsye, në Tiranë prej 2 muajsh janë vendosur përfaqësues të NATO dhe agjentë sekretë, me qëllim garantimin e sigurisë në Asamble. Mësohet se në kuadër të rritjes së sigurisë, grupe agjentësh të shërbimit sekret të NATO, në bashkëpunim me SHISH dhe shërbimet partnere kanë filluar aktivitetin në terren për interceptimin e burimeve për aparatura që mund të cenojnë konfidencialitetin e bisedave sekrete midis delegacioneve. Dihet se marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë janë jo të mira dhe mësohet se amerikanët kanë pasur dyshime se rusët mund të vihen në lëvizje për të marrë vesh informacione. Për këtë arsye, ata kanë zhvilluar në terren një sërë vëzhgimesh me aparatura speciale dhe kanë arritur që të zbulojnë 3 aparatura përgjimi. Sipas burimeve të sigurta pranë Ministrisë së Mbrojtjes, agjentët kanë zbuluar se dy prej këtyre pajisjeve ishin portative, pra të lëvizshme, ndërsa një tjetër ishte statike. Njëra prej dy pajisjeve portative ishte pikërisht kjo që kishte Policia e Shtetit, ndërsa për tjetrën nuk ka shumë informacion, por bëhet fjalë për një pajisje për të cilën është folur shumë ditët e fundit dhe që ka pasur deklarata se është përdorur për shantazhe politike. Ndërsa sa i takon pajisjes së tretë që është statike, ajo dyshohet se është zbuluar pranë ambasadës ruse. Pas kësaj mësohet se agjentët e NATO kanë vënë në dijeni SHISH dhe pastaj Visho Ajazi Lika ka raportuar te kryeprokurori.

 
Hetimet 
Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije se hetimet për skandalin e përgjimeve kanë nisur para 6 ditësh. Gjatë raportimeve që u bënë të mërkurën në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, u deklarua se i pari që e dha sinjalin ishte kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika. Ai deklaroi se kishte marrë informacion nga një burim se policia zotëronte një aparaturë përgjuese. Sipas burimeve, burimi i SHISH ka qenë pikërisht NATO dhe agjentët amerikanë. Ata pasi kanë krehur gjithë Tiranën kanë zbuluar aparaturat dhe më pas kanë vënë në dijeni kreun e SHISH. Sa i takon aparaturës së dyshuar se ndodhet te ambasada ruse, mësohet se amerikanët kanë pasur dyshime prej disa ditësh për të. Sipas burimeve, NATO ka informacione se rusët përgjojnë biseda të nivelit kaq të lartë dhe ata janë drejtuar menjëherë pranë ambasadës ku është zbuluar një sinjal. Nga ana tjetër sa i takon pajisjes së policisë, e cila tani deklarohet se është e italianëve, mësohet se ka pasur të dhëna se mund të jetë përdorur për përgjime. SHISH prej gati 2 muajsh ka kryer verifikime dhe vëzhgime për të dhe ka të dhëna jo zyrtare se janë përgjuar politikanë të niveleve të larta, si brenda ashtu dhe jashtë mazhorancës.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?