MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Erioni, fiqtë dhe gjethet e fikut - Thesari

E Premte 09 Shtator, 2016
Erioni, fiqtë dhe gjethet e fikut

endrit-shabani

Në vitet 90, kur filloi tranizicioni drejt një modeli të ri politik dhe ekonomik, unë banoja në një nga parafabrikatet e lagjes Ali Demi. Në kat të parë të shkallës sonë ishim dy familje punëtorësh. Një kat më lart kishim një ish funksionar të partisë dhe dy drejtorë në një ministri. Në kat të tretë ministrin e punës, një drejtor shkolle,një mësuese dhe një punonjëse e Bibliotekës kombëtare. Në kat të katërt dy inxhinierë dhe një anëtare e akademisë së shkencave. Në kat të pestë një artiste e TOB-it, një diplomat dhe një biznesmen i angazhuar me transport ndërkombëtar mallrash. Në kat të gjashtë sërish dy familje punëtorësh. Të gjitha shtresat sociale në një shkallë të vetme.

Makina nuk kishim, kështuqë përdornim të njëjtin urban. As telefon nuk kishim, por përdornim telefonin e ministrit. Të gjithë fëmijët luanim bashkë tek sheshi plot llucë i lagjes, dhe po ashtu ndoqëm kopshtet dhe shkollat afër shtëpisë. Kur ministri i katit të tretë u sëmurë, u transportua nga e njëjta ambulancë që mori edhe gjyshen time, dhe (sigurisht) u shtrua po tek i njëjti spital publik.

Sot, në 2016, ministrat, kryetarët e bashkive dhe funksionarët e tjerë politik e publik jetojnë (bashkë me biznesmenët me të cilët ndajnë paratë tona) nëpër rezidenca me vila që kushtojnë aq sa një punëtor i ndershëm nuk do arrijë të fitojë kurrë gjatë gjithë jetës së tij. Fëmijët e tyre shkojnë në shkolla private (para se të shkojnë në Paris, Berlin apo Londër). Kur sëmuren (largqoftë) ata shkojnë nëpër spitale private, ose në Vienë (nëse pret puna). E vetmja herë kur ata udhëtojnë me popullin në të njëjtin mjet është kur janë duke shkuar në Romë për të bërë pazarin (apo ‘shopping’ meqë pazar është fjalë demode). E meqë nuk na durojnë dot më pranë as kur shëllehen në diell, kanë zhvilluar kohët e fundit këtë huqin e keq që rrethojnë me gardhe plazhet më të bukura në vend, duke na lënë alternativë ose arratinë ose ujin e kulluar të Durrësit apo liqenit artificial.

Mirëpo nga i morën paratë këta njerëz? Do të thuash me të drejtë. Unë nuk e di, megjithëse një ide edhe mund ta kem. Megjithatë di me siguri që një pjesë e tyre deri dje kanë qënë po aq të varfër sa pjesa më e madhe e popullit (mbase edhe më tepër). Pavarësisht kritikave që kemi për tranzicionin politik të këtyre 25 viteve, shumë shqiptarë kanë patur mundësi të përmirësojnë kushtet e jetesës dhe statusin e tyre social. Sigurisht pjesa më e madhe e këtyre që kanë patur mobilitet social kanë qenë të lidhur direkt ose indirekt me politikën. Shembulli më përfaqësues që ka përdorur këtë ‘ashensor social’ (disa madje mendojnë se ka qenë ‘katapult’) mund të jetë kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës.

Erion Veliaj është një i ri që vjen nga një familje me mundësi modeste ekonomike, por që sot jeton në një lagje të rrethuar me mur, ku punëtorët e bashkisë së vet zor se mund t’i afrohen. Mirëpo, a thua se nuk ia mbush syrin ajo që ka arritur, ai përpiqet vazhdimisht ta portretizojë veten e vet si një njeri që rron vetëm me rrogën e tij, duke u fotografuar me biçikletë apo në autobuz (megjithëse ka 7 vjet që lëviz me shofer). Ndërkohë gjatë fushatës për kryetar bashkie tregoi se në të shkuarën ka shitur edhe fiq për të mbajtur familjen. Që prej asaj kohe ata që nuk e kanë shumë për zemër nuk ngurrojnë t’ja përmendin dhe ta ngacmojnë si ‘ai i fiqve’.

Si fillim, dua të shpreh neverinë për këdo që e përdor këtë histori për ta tallur Erionin. Në këndvështrimin tim, një i ri që punon për të mbajtur familjen meriton të gjithë nderimin dhe respektin tonë si shoqëri. Gjithashtu, ndryshe nga shumë të tjerë, unë nuk dyshoj fare në vërtetësinë e kësaj historie. Unë vërtet besoj që kur ka qenë në vështirësi ekonomike Erioni, si djalë punëtor dhe i përgjegjshëm që është, ka bërë gjithëfarësoj punësh për të ndihmuar nënën dhe vëllain e vogël. Se ka shitur fiq apo bostan kjo pak rëndësi ka dhe nuk i zbeh vlerat e tij.

Megjithatë, duhet theksuar se këtë histori Erioni nuk e tregoi kur u shfaq në publik 13 vite më parë, por vetëm kur kërkonte votën e qytetarëve të Tiranës. Kështuqë unë besoj se përmes saj ai donte të na përcillte dy mesazhe: Së pari, që është një njeri që i ka arritur të gjitha vetë, i aftë të ngrihet nga hiçi; dhe së dyti, që ai përfaqëson shtresën e disavantazhuar shoqërore dhe do të punojë për ta. Me pak fjalë, me historinë e tij Erioni i thoshte prindit, fëmija e të cilit shet fiq, se një ditë edhe fëmija e tij mund të bëhet si Erioni, pasi ai do të punoj për këtë. Por a na ka thënë Erioni të vërtetën, të gjithë të vërtetën, dhe vetëm të vërtetën?

A mund të kapërcehet sot nga tezgat e fiqve në krye të Bashkisë?

Ka nga ata që thonë që nëse Erioni do të ishte bërë kryetar bashkie me forcat e veta, atëherë tani do ishte zgjedhur me votat e G99-tës (një parti që ai e krijoi me disa miqtë e tij), dhe jo PS-së dhe LSI-së. Megjithatë unë jam nga ata që besoj se pavarësisht ndihmës që mund të ketë marrë, sërish ai ka punuar shumë për tu ngjitur kaq lart në status social dhe ekonomik, nisur nga mundësitë tepër modeste të familjes së tij. E nëse këtë e ka bërë në mënyrë të ndershme, ne duhet ta vlerësojmë për këtë dhe të mos ja hajmë hakun.

Por pyetja që shtrohet është a ka mundësi që matrapazi (shitësi i vogël ambulant) i sotëm të bëhet kryetar bashkie nesër, apo kjo shpresë është varrosur njëherë e mirë dhe Erioni thjesht po e përdor historinë e tij si gjethe fiku?

Studimet kanë treguar se që një njeri të dalë nga qerthulli i varfërisë duhet të akumulojë kapital social (njohje shoqërore), kapital kulturor (formim akademik), dhe/ose kapital ekonomik (zakonisht para të thata).

Së pari, në një shoqëri si kjo e jona ku (gati-gati) të gjitha punët gjehen apo zgjidhen me njohje, kapitali social është thelbësor për avancimin e individit. Mirëpo Shqipëria ku unë dhe Erioni jemi rritur nuk ekziston më. Kontaktet midis shtresave sociale sot po bëhen gjithmonë e më minimale, pasi të pasurit dhe të pushtetshmit jetojnë në botë paralele, të rrethuara me mure, gardhe dhe roje. Nëse dje Erioni mund të kishte në klasë djalin e një ministri, sot prindi i një djali që shet fiq mund të mos e përballojë dot tarifën e shkollës ku shkon djali i ministrit. Për pasojë djali që shet fiq shumë-shumë mund të shoqërohet me të rinj që shesin kumbulla apo bajame të pjekura.

Së dyti, kapitali kulturor është i rëndësishëm për tu bërë i dobishëm (në mos i domosdoshëm) në hierarkinë shoqërore. Mirëpo nëse deri dje si fëmija e ministrit, ashtu edhe djali i muratorit do të shkolloheshin tek e njëjta shkollë, sot ministri siguron një shkollim shumë më cilësor për fëmijën e tij (përmes kurseve private dhe pastaj duke e dërguar jashtë shtetit). Kjo situatë do të bëhet edhe më e vështirë kur sëshpejti të rriten edhe tarifat e universiteteve, çka do të lërë pa shkollë fare shumë fëmijë që vijnë nga familje me mundësi modeste ekonomike. Për pasojë, fëmijët e popullit mund ta kenë më të vështirë të konkurojnë me fëmijët e pushtetarëve për një vend pune, edhe atëherë kur gara është e ndershme. Nëse do prova për këtë mjafton të mbledhësh listën e çertifikatave familjare të funksionarëve në Bankën e Shqipërisë, dhe nuk ka nevojë të kërkosh më tepër për të parë trajektoren (Tiranë – Londër – Tiranë) që ndjekin fëmijët e ‘parisë së qytetit’.

Së treti, nëse deri dje njeriu i varfër mund të krijonte kapital ekonomik përmes inicitiavës private, sot kjo mundësi po rrudhet dita ditës. Kjo temë kërkon një artikull (mbase një libër) më vete, por besoj se është e njohur për të gjithë se sot biznesi i vogël në veçanti dhe iniciativa private në përgjithësi po has vështirësi të jashtëzakonshme. Tregtari i vogël ka në shpinë jo vetëm taksa më të larta nga të gjitha anët, por prej dy vitesh edhe një arsenal inspektorësh e taksambledhësish që nuk e lënë të marrë frymë. Por që të kuptohemi, vetëm tregtari i vogël dhe i pambrojtur ama, jo biznesmeni i fuqishëm, apo deputeti i partisë. Këta të fundit janë të lirë që edhe dy vjet mbasi janë arrestuar gjithëfarësoj taksitësh edhe berberësh, të përdorin shtëpinë muze të kryetarit për të bërë miliona pa u bezdisur nga taksat, ligjet apo shteti (unë denoncova njërin dhe i gjithë arsenali shtetëror mu vu përsipër). Ky dopio standard ku biznesit të vogël i merret fryma dhe të madhit i hapet rruga, besoj ta bën të lehtë ta kuptosh se pse konkurenca nuk është e ndershme. Tani e ke një ide se nga i gjejnë këta patricët e rinj paratë për të ndërtuar muret që i duhen për tu ndarë nga plebejtë.

Por të paktën Erioni po lufton në krahë të të varfërve, apo jo? Ëhë...

Kjo është Shqipëria e 2016, për të cilën Erioni nuk ka aq përgjegjësi direkte saç ka tranzicioni politik i këtyre viteve, apo saç ka shefi i tij, apo deputetët që vënë partinë mbi Shqipërinë. Megjithatë, ai është pjesë e kësaj parie dhe ai po jep një kontribut krejt të ndryshëm nga çfarë do të kishim pritur... ose shpresuar... ose të paktën do të kishim dashur.

Për të patur një ide të dashurisë së Erionit për të varfrit, mjafton të shohim se cila ishte beteja e tij e parë publike si kryetar bashkie. Për tët freskuar kujtesën, javën e parë të punës, ai e nisi jo duke gjëmuar ndonjë biznes të madh që shkel ligjin për të bërë para në kurriz të shëndetit tonë, por me ata që i zë nevoja biologjike në mes të rrugës. Dhe (që të jesh i qetë) nuk besoj se parkon njeri X6-tën, apo lë shoferin që ta presë, për të zbritur poshtë urës. Gjasat janë që poshtë urës shkojnë ata që nuk kanë një shtëpi në Tiranë, ata që nuk kanë para për të shkuar në një kafene, apo ata që kanë nevoja urgjente që nuk presin deri sa të vijë tramvaji i unazës për të shkuar në shtëpi. Por si një njeri që i njeh hallet e popullit, Erioni para se të ndërtonte banjo publike (siç ka çdo katund Evropian) iu vërsuli këtyre ‘vandalëve të varfër’ kamerat e oborrit dhe policët e pushtetit për tua marrë erëzin një herë e përgjithmonë.

Mirëpo, pavarësisht kësaj do më thuash se ai i do të varfërit, pasi ka në internet qindra foto të tij me ta. Edhe mua më kujtohet si tani Erioni, i sapo zgjedhur ministër i çështjeve sociale, duke mbajtur në krahë një fëmijë rom teksa e çonte në spital, apo me atë fëmijën e vogël që ishte sëmurë nga lagështira në kasolle. Di gjë çfarë ka bërë që nga ajo kohë për fëmijët rom dhe familjet e tyre? Ta them unë: iu ka dërguar fadromat për tiu prishur shtëpitë kudo ku ekzistenca e tyre binte ndesh me interesa biznesi. E bëri këtë tek liqeni, pastaj tek unaza e madhe, dhe po e bën tani tek bregu i lumit. Në të trija rastet duket se qëllimi është të hapen hapësira për ndërtime të tjera, duke zbythur të varfrit për të liruar vend për parinë e qytetit.

Do më thuash që të paktën – të paktën Erioni ka një farë simpatie për shitësit ambulant që i kujtojnë veten e tij të djeshme. Kam frikë se jo, sërish. Me të ardhur në krye të Bashkisë, Erioni menjëherë i shpalli luftë të gjithë tregtarëve ambulant, të cilët sigurojnë bukën e gojës me këtë aktivitet. E ndërkohë që në një Shqipëri tjetër ata edhe mund të ëndërronin se një ditë do të mblidhnin mjaftueshëm para për të shkolluar fëmijët e tyre dhe për t’i nxjerrë nga ky qerthur i skamjes, sot me ndihmën e Erionit, policëve të tij sypatrembur dhe blloqeve të tyre të gjobave, ata nuk guxojnë as të ëndërrojnë dot as të lajnë borxhet tek dyqani i lagjes.

E nëse do guxosh të më thuash se ai i përzuri tregtarët ambulant për të ruajtur trotuaret si hapësira të përbashkëta, do tët thoja të mos nxitohesh dhe të kujtosh se pikërisht këto trotuare u zunë brenda një nate nga dhjetra kioska të mbira si kërpudhat pas shiut. Këto kioska zënë më shumë vend në trotuare, por ato nuk i përkasin hallexhinjve që mbajnë familjen me këtë aktivitet (dikush thotë se i përkasin një pronari të madh mediash, pjesë e parisë së qytetit).

E nëse do të kuptosh prioritetet e Erionit, mund tët mjaftonte të vizitoje faqen e internetit të bashkisë ku mund të gjesh informacion të detajuar për baret, restorantet dhe hotelet e qytetit, por fatkeqësisht jo për strehimin, shërbimet sociale apo mënyrat e ankimit ndaj akteve të bashkisë. Mund të mjaftonte gjithashtu të shohësh se si një ndërmarrje nën administrimin e tij, siç është ujësjellësi, i bën paratë e qytetarëve rrush e kumbulla për spote publicitare dhe billboarde. A ka nevojë një ndërmarrje monopol për reklamë? Mendoj që jo. A ka nevojë kryetari për të sajdisur mediat, them se po.

Megjithatë, këto nuk mjaftojnë, prandaj të lutem shiko pak se çfarë është bërë me paratë e mbledhura nga taksa e re që Erioni i vuri qytetit për arsimin (nuk po merremi me problemet ligjore të kësaj nisme). A kanë shkuar këto para deri tashmë për t’i ofruar ushqim falas nxënësve që vijnë nga shtresat në nevojë (siç bën çdo vend normal, përfshi edhe Kosovën)? A kanë shkuar këto para për të siguruar transport falas për nxënësit që jetojnë në zonat periferike të pushtetit? Jo, këto para të qytetarëve, duket sikur kanë shkuar vetëm për të bojatisur kopshte dhe fasada, të cilat nga njëri krah i bëjnë makiazh pushtetit të kryetarit, nga ana tjetër janë një mundësi e mirë për të mbushur xhepat e kompanive partnere (Si thoshte ajo kënga e Ramës? “këtu makiazh nuk bëjnë vetëm gratë por dhe pallatet”).

Për të kuptuar interesat e kujt mbron Erioni mjafton të shohim rastet kur ka patur përplasje midis interesit qytetar dhe interesit të disa milionerëve të caktuar. Rasti më tipik është konflikti midis qytetarëve dhe pronarëve të transportit urban në Tiranë. Këta të dytët kërkuan të rrisnin çmimin e biletës, ndërkohë që të parët mendonin se edhe aq sa paguanin ishte vjedhje, pasi shërbimi ishte skandaloz. Erioni hyri në këtë mes dhe premtoi që bileta nuk do të rritej deri sa ai të ishte kryetar bashkie. Rezultati? Bileta u rrit, Erioni qëndroi kryetar bashkie, shërbimi vazhdoi të ishte zi e më zi për qytetarët (nuk po merremi me lojën hileqare të 70 lekshit). Në qytete ku kryetari kujdeset për popullin, bashkia blen autobuzët e vet dhe ua vë në dispozicion qytetit me cilësi dhe çmime të arsyeshme.

Do shembull tjetër? Atëherë po të kujtoj se pak kohë më parë Bashkia kërkoi arrestimin e atyre që mbajnë frymën gjallë duke mbledhur kanaçe nëpër kazanë plehrash. Shqetësimi ishte se këto plehra iu ishin premtuar një biznesi të madh. Me këtë biznes, bashkia kishte ngritur partneritet për ndërtimin dhe administrimin e një impianti përpunimi të mbetjeve. Impiant të cilin vetë kryetari, i veshur me një përpasje të bardhë borë, e promovoi në media. Ai shpjegoi se tashmë nuk kishte më nevojë për të rrëmuar nëpër kazanët e plehrave, pasi një gjë e tillë përbënte rrezik. Në këmbim, Erioni premtoi punë të mirëpaguar, të sigurtë, dhe me sigurime shoqërore në këtë impiantin modern. E ku ka më bukur? (njësoj si kënga e Kozma Dushit).

Mirëpo, në një vend ku votën ta jep populli dhe paratë për fushatë i merr nga biznesi (përfshi ai i transportit urban), një politikan i ‘sukseshëm’ hiqet sikur është me të parin, ndërkohë që punon vetëm për të dytin. Për pasojë, vetëm me gjethe fiku mund edhe të mbulohet realiteti edhe të mbahet pushteti.

Një nga ata që e blenë këtë gjethe fiku, siç duket ishte edhe Arditi 17 vjeçar, i cili shkoi të merrte këtë punën e sigurtë e të siguruar. Për ironi të fatit, njësoj si Erioni disa vite më parë, Arditi po përpiqej të bënte çfarëdolloj pune, për të ndihmuar familjen e tij, dhe ndoshta shpresonte për një të ardhme më të mirë se sa seleksionimi i plehrave. Por ndryshe fillimi i tranzicionit, kur të gjithë ishim gati të barabartë, sot në 2016, Arditi nuk kishte më asnjë mundësi as të bëhej kanakar i kryetarit, as ministër, as deputet, as milioner dhe as kryetar bashkie. Ai nuk bleu dot vila, dhe as nuk mori dot shofer për të gjezdisur. Ëndrra e tij u ndërpre në mes, sëbashku me jetën e tij të shkurtër. Trupi i tij u fsheh në mes të plehrave, tek ky impianti i sigurtë, që nuk i siguroi dot as jetën, as sigurimet shoqërore dhe as drejtësi. Ai nuk na la pas një vend ku ja vlen të shpresosh për një jetë më të mirë, por veç një grumbull pikëpyetjesh dhe një përgjigje. Një përgjigje që ngjan me siluetën e një matrapazi të regjur, përfaqësues i një kaste të tërë, që sot, i hipur mbi pirgun e plehrave, i krehur dhe i pudrosur, i rrethuar me kamera dhe aparatë fotografikë, pa asnjë njollë nga jeta dhe hallet e shkuara, dhe sigurisht pa iu dridhur qerpiku, nuk na shet fiq, por veç gjethe fiku përmbi zullumet e tij.

 

*Autori është studiues në departamentin e politikës, në universitetin e Oxfordit, Angli.

http://eshabani.blogspot.al/

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?