MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Letër publike Kryeministrit Rama - Thesari

E Mërkurë 27 Janar, 2016
Letër publike Kryeministrit Rama

edi-rama_0

Zoti Kryeministër,

Po ju shkruaj këtë letër jo se dua t’ju filozofoj mbi të mirën dhe të keqes, apo se shpresoj që ju do të dëgjoni e reflektoni. Nuk kam të tilla iluzione. Po shkruaj thjesht që të mos mendoni se me mashtrim do t’i bëni gjithmonë njerëzit të ulin kokat e tyre të vogla dhe t’i nënshtrohen fatit si skllevër. Me këtë letër dua t’ju kujtoj se në vend të përuljes, e cila juve ju trimëron, ata mund të revoltohen e të ngrenë krye për të kërkuar lirinë dhe të drejtat e grabitura.

Edhe pse juve nuk ju frikëson asgjë, dua t’ju kujtoj se ju dhe politikanët e tjerë nuk keni asnjë të drejtë morale e njerëzore të nëpërkëmbni e mashtroni ata që ju besuan e votuan për premtimet që dhatë; ata njerëz që punojnë për rrogat dhe lluksin tuaj të shëmtuar, që durojnë rrugaçëritë tuaja, e që shikojnë se“ruajtësit”e Kushtetutës shkelin mbi të çdo ditë.

Zoti Kryeministër,

Jemi njohur bashkë në maj 2010, në grevën e urisë në mes të bulevardit. Në mënyrë të pazakontë, unë iu bashkova një grevë partiake sepse mendova se na bashkonte lufta për të drejtat kushtetuese – ju për atë të votës së lirë dhe unë për atë të pronës.

Gjatë grevës e pashë kujdesin që tregoje për ata njërëz të uritur, kur më pyesje i shqetësuar se a mund t’u ndodhte diçka e rrezikshme atyre burrave e grave që po sakrifikonin për të drejtën. Unë mbusha me shpresë nga ju dhe besova se lotët që pashë në sytë e tu ishin të vërtetë.

Kur Edi i shqetësuar dhe i dhimbsur i grevës u bë kryeministër mendova se, më në fund, në këtë vend do të sundonte Kushtetuta dhe ligjet, siç ti më ishe betuar. U ndjeva mirë edhe që ajo ditë, që mendova se kishte ardhur, kish ardhur edhe përmes sakrificës sime për ta bërë atdheun një vend ku sundon e drejta.

Por, Zoti Kryeministër, kjo “drejtësi” që unë jetoj dy vjet e ca pas ardhjes suaj në pushtet nuk është drejtësia që unë njoh. Kjo gjë më shqetëson, pasi më duhet, ose të riedukohem sipas rilindjes tuaj, ose të nënshtrohem. Por unë nuk bëj dot asnjërën.

Sot në Shqipëri vuan i ndershmi, përfiton i paafti, servili, i pamoralshmi, hajduti, gënjeshtari, mashtruesi, zuzari, krimineli. Qeverisja është shndërruar në një mekanizëm për zhvatjen e organizuar të popullit, me qëllim pasururimin tuaj dhe të familjarëve, shokëve e klientëve tuaj.

Kështu ishte dhe para se të vije ti në pushtet – kjo farë ka vite që është hedhur. Por ti ama erdhe në pushtet se premtove rilindjen. Dhe ne të besuam, pa e ditur se rilindja jote do të ishte rilindja e persekutorëve të vjetër dhe e hajdutëve të rinj. Ne as që mund ta shkonim nëpër mënd se kontributi ynë për të ardhur ju në pushtet ishte, në fakt, kontribut për të rilindur varfërinë dhe krimin.

Ju dukeni i pavetëdijshëm apo i patrazuar nga gjendja ku na keni sjellë. Humbja e çdo sensi të realitetit dhe mbivlerësimi që ju keni për veten tuaj janë shenja të psikozës së madhështisë. Madhështia është ndjenjë që individët shpesh nuk e përballojnë dot—madhështia i marros. E nëse marroset dikush si ju, që ka në dorë fatet e shumë njerëzve, kjo gjë është e rrezikshme, sepse shkatërron jetë.

Ndonëse jeni truri dhe dora e gjithë mbrapshtësisë ku po jetojmë sot, ju hiqeni dhe predikoni si shëronjës apo shenjtor. Kaq idiot e budalla ju duket ky popull, Zoti Kryeministër? Kaq i sigurtë jeni se një grusht njerëzish, me ju në krye, do ta mbajnë përherë të nënshtruar sgjithë popullin?

Ju ndoshta besoni tek mefshtësia dhe përulja që ne kemi treguar kaq gjatë për ju dhe ata që na kanë sunduar para jush. Por unë besoj se po vjen dita që populli nuk do ju durojë më, as ju dhe as klasën e degraduar dhe të kalbur politike që ka në krye kimera si ju. Unë besoj se ne do të gjejmë kurajon dhe forcën për t’u bërë bashkë kundër jush dhe njerëzve si ju.

E mira në fund triumfon gjithmonë mbi të keqen. Maskarenjtë si ju, edhe pse sundojnë për pak kohë, një ditë ndeshin fundin e tyre dhe turpin e përjetshëm. Këtë fund nuk e shmang dot as paraja me të cilin ju blini të pamoralshmit dhe as dhuna shtetërore apo e kriminelëve që ju komandoni. Ky popull, edhe pse shpesh ka vonuar, gjithmonë e ka gjetur forcën dhe kurajon për ta shporrur të keqen. Ndaj unë shpresoj se, shpejt, njerëzit do t’i lënë mënjanë konstatimet e ankimet e do t’i dalin për zot vetes.

Ju jeni produkt i shoqërisë sonë, e cila ka humbur moralin e ndërshmërinë, ka humbur vullnetin, ka humbur respektin për dinjitetin njerëzor. Ju jeni produkt i kohës kur paaftësia mbyti aftësinë dhe imoraliteti triumfoi mbi moralin. Por njerëzit e bashkuar dhe me kurajo t’u kthyer tek morali do të jenë fundi juaj dhe i kohës suaj.

Ne nuk do të vazhdojmë më të zgjedhim mes të këqijash, nën shpresën e të keqes më të vogël. Sepse e dimë se interesi i vogël i çastit, nuk të shpëton nga vdekja, por vetëm të zgjat agoninë.

Kur padrejtësia sociale bëhet rregull, rezistenca ndaj saj bëhët domosdoshmëri, përndryshe ne jemi të humbur.

/Marre nga exit.al/

Mendimi juaj
18 Shkurt, 2016 19:33 UTC
askushi
Eshte absurde te mendosh se mund te beje shtet ai qe eshte antishtet.Kemi te bejme me politikane bandite qe kane qellim te pasurohen duke e zhvatur kete popull ne menyre te pa skrupullt.Cdo gje tjeter eshte vecse propagande.Si ka mundesi ky disnivel pasuror i frikshem ndermjet te pasurve dhe te varfeve.Si mund te vihet e gjithe kjo pasuri ne pak vite me biznese te ligjeshme dhe aq me teper duke i bere karshillek nje mase te gjere te popullit qe kane probleme deri ne kufijte e mbijeteses.Njerz te ndryshem me parti apo pa parti a nuk mendoni se ky eshte nje realitet i frikshem sepse kjo gjendje e krijuar po i ben te keqen me te madhe ketij vendi duke i vrare shpresen per te ardhmen.Me vjen keq por nuk mund te mendoj ndryshe sepse nuk shoh drite ne fund te ketij tuneli.Megjithate qofsha i gabuar.
Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?