MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Renzi në Romë dhe një frikacak kulisash në Tiranë - Thesari

E Hënë 05 Dhjetor, 2016
Renzi në Romë dhe një frikacak kulisash në Tiranë

rama-renzi

Edi Rama është nga ata politikanë që e ka treguar në vazhdimësi se kërkon që të jetë “i pari absolut”, kudo që qeveris. Këtë e ka shfaqur hapur gjatë drejtimit për 12 vjet të bashkisë së Tiranës dhe e ka “të shkruar në ballë”, që nëse do të mundte, ta aplikonte edhe si kryeministër i vendit.

Rama që nga viti 2005 deri në drekën e ngjalës, ka synuar dhe ka qenë i bindur që e vetmja rrugë që ai të realizojë projektin e Rilindjes, ishte që Partia Socialiste të qeveriste e vetme me disa “bishtra”, ndoshta partish të majta që ndër vite janë katandisur si mbushës vrimash, në panoramën kombëtare elektorale.

Në funksion të kësaj ishte edhe nxitimi, për të firmosur brenda natës në mungesë të plotë transparence me Sali Berishën, ndryshimet kushtetuese në vitin 2008. Ideja e Ramës me këtë ndërhyrje, ishte që në Shqipëri përfundimisht të kishte vetëm dy pole-parti, që pavarësisht rezultatit të ngushtë, vetëm njëra të qeveriste e pa shqetësuar dhe kështu të vazhdonte rotacioni (mundësisht 8 vjeçar) pa fund. E djathta gjithmonë kompakte, nuk kishte nga këto lloj shqetësimesh, kurse Rama ishte gati ti ulej në gjunjë Berishës, vetëm e vetëm të hiqte qafe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kështu u vendos një prag, që eliminonte të gjitha partitë e vogla dhe nga ana tjetër nëpërmjet sistemit proporcional rajonal, fuqizonte kryetarin e partisë i cili kthehej në vendimmarrës i vetëm i listës së deputetëve. Berisha si themelues historik i PD-së, nuk e kishte problem këtë gjë, pasi asnjëherë nuk është vënë në dyshim fjala e tij brenda partisë, për kandidatët për deputetë.

 Kurse Rama duke qenë i vetëdijshëm se ishte bërë kryetar i PS-së gjatë një kongresi, ku ditën e parë i rrëzuan programin me shumicë votash dhe të dytën pas një ankandi gjigant dhe “pabesisë” së Ilir Metës ndaj grupit Mejdani-Majko, fitoi postin e shumë ëndërruar dhe të tentuar edhe në kongresin e vitit 2003, i donte këto ndryshime me çdo kusht. Dhe Berisha i gjendur në një situatë post Gërdec dhe premtimit të Ramës, se nuk do të bllokonte procesin e reformave dhe avancimin e anëtarisimit në BE, ja dha pa mëdyshje.

Por në zgjedhjet e vitit 2009, ndodhi një “incident” elektoral. LSI-ja fitoj 4 mandate të cilat faktikisht i hynin në punë vetëm Berishës, sepse Rama i kishte tkurrur votat e PS-së, edhe më shumë se në vitin 2005. Meta i lodhur dhe i shkundur financiarisht në një opozitë “sanduiç”, nuk u mendua 2 herë dhe hyri në koalicion me Berishën. Nuk mund të fajësohet, sepse partia rrezikonte të tretej. Ai zgjodhi mes një pakice idealistësh që i ishin bashkuar pa kushte në themelim 5 vjet më parë dhe një shumice që kishin shkuar “me lugë në brez”. Këta të fundit të mësuar prej atij vetë në kohën që kishte qenë kryeministër, se angazhim politik përkthehet vetëm në pushtet dhe mirëqenie, fituan.

 Rama mallkoi e u përbetua, se do ta shkatërronte; e quajti tradhtar të së majtës, por në fakt për shkërmoqjen e planeve nuk ja kishte fajin ilir Meta, pasi nëse 4 votat e tij për atë vetë dhe Berishën ishin të arta, për Ramën ishin kallp dhe nuk ja plotësonin dot ëndrrën kryeministrore.

Nga ana tjetër nuk duhet harruar ajo që bëri Rama pasi u rizgjodh kryetar bashkie në vitin 2007, me votat e LSI-së. Ai e kishte joshur Metën me një marrëveshje në pranverën e vitit 2006, sipas së cilës do të ndanin pushtetin lokal në zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe mbi këtë bazë, do shkoni edhe në ato të përgjithshme në vitin 2009.

Por çfarë ndodhi? Rama pasi u rehatua në kolltukun e kryebashkiakut të Tiranës, e prishi marrëveshjen madje duke e injoruar Ilir Metën në marrëdhënie konfidenciale dhe duke i bllokuar pikën e tij të dobët; punësimin e anëtarëve të partisë. Edhe kjo ishte një arsye që “skrapaliu inatçor”, siç e etiketon Ramasa sa herë që i jepet mundësia, të hidhej në prehrin e Berishës pa asnjë dilemë.

Shumë vite më vonë, tani që është në mbyllje të paktit 4 vjeçar të ngjalës, Meta nuk është bërë pishman dhe rikonfirmon sa herë që i jepet rasti qëndrimin, se kalimi në koalicion me Berishën ishte një vendim i drejtë.

“Në politikë 2+2 mund të bëjnë 4 si në matematikë, por mund të bëjnë dhe 6 dhe 1, sepse politika është shumë më komplekse”, deklaroi ai së fundmi gjatë një interviste te Ora News. Dhe nuk ka pse ti bjerë pishmanit, sepse 4 vite në pushtet me Berishën, i mjaftuan që ta zmadhojë e pasurojë aq shumë LSI-në, sa që sot gjendet në pozita që të gjithë i dimë; mbajtësi i çekiçit të ankandit mes Ramës dhe Bashës, për zgjedhjet e ardhshme.

Nëse ju kujtohet përpara marrëveshjes së Shkodrës, Rama nuk kishte asnjë program qeverisës nëse fitonte zgjedhjet. Edhe kur këmbëngulnin mediat, ai tregonte vetëm një kopertinë ngjyrë mavi, por asgjë se çfarë kishte brenda. Faqet ishin bosh, por kjo sepse faktikisht ai e kishte një program të tijin qeverisës; dhe ai ishte i gjithi te libri “Kurban”. Te ky libër ku Rama hidhte themelet e shndërrimit të Shqipërisë nëpërmjet “Rilindjes” së tij, Meta jo vetëm që mungon si bashkëkryetar, por përkundrazi, cilësohej si e keqja e të tashmes së atëhershme dhe të ardhmes të projektuar prej Ramës; madje një rrezik edhe më i madh për vendin, se Berisha në krye të PD-së.

Por duke dëgjuar ata që ja bënin llogaritë me këmbë në tokë, se nuk mund të fitonte pa Metën, Rama e fshehu përkohësisht Kurbanin-program dhe nënshkroi marrëveshjen e famshme, që edhe pse e mallkon çdo ditë, e kërkon sërish me këmbëngulje.

E bëmë gjithë këtë panoramë për të dalë te ajo që ndodhi me Renzin dhe për të shtruar pyetjen, se përse Rama nuk e ka burrërinë që ta bëjë edhe ai këtu në Shqipëri një referendum të tillë, duke qenë se nuk e fsheh se qeverisja e tij dhe punët e vendit do të ishin ku e ku më mirë, pa Ilir Metën nëpër këmbë?

Referendumin i iniciuar nga kryeministri italian, Matteo Renzi, synonte që të ndryshonte Kushtetutën, duke i dhënë fund një tradite mbi 40 vjeçare problematike, ku forca politike që fiton më shumë vota e ka të pamundur të qeverisë pa të dytë, të tretë e më shumë.

Pas hedhjes në popull të këtij ndryshimi elektoral, Renzi fitoi vetëm 41% të votave kundrejt 59% të bllokut që e kundërshtonte. Dhe ai pavarësisht se mandatin e kryeministrit mund ta vazhdonte, u vetë largua, vetëm 1 orë pas daljes së rezultatit.

Meqenëse Edi Rama “vdes” që të qeverisë i vetëm dhe meqenëse Rilindja e tij ka bërë ndryshime të jashtëzakonshme në këto rreth 4 vite, përse nuk e provon edhe ai dhe të organizojë një referendum ala Renzi në Shqipëri?

Në një situatë hipotetike; në njërën llogore do të kishim Ramën me me partinë e Mark Frrokut që është në burg; Paskal Milon, Petro Koçin dhe jo me siguri 100%, edhe Shpëtim Idrizin. Kurse në anën tjetër; Bashën, Metën, Dukën, Blushin, Dulen, Bojaxhiun, Nokën, Mediun etj.

Një shumicë e thjeshtë votash popullore do ti mjaftonte Ramës, që të realizonte ëndrrën e tij. Por ai nuk e ka këtë burrëri, për disa arsye.

E para, sepse ndryshe nga sa pretendon Rama, që kur ka ardhur ai në krye të PS-së votat totale të kësaj partie janë tkurrur. Edhe në vitin 2013, pas një konsumimi të madh të Berishës në pushtet për 8 vjet, pavarësisht se bëri koalicionin më të gjerë të së majtës, partia e rilindur e Ramës, morri vetëm 41.33% të votave, ose 65 deputetë të cilët sot janë tkurrur edhe më shumë. Sa morri Renzi në referendumin e tij? Fiks 41%.

Krahasimi bëhet me vitin 2013, kur pritshmëritë prej tij dhe Rilindjes ishin të jashtëzakonshme. Kjo sepse qytetarët përveç lodhjes nga qeveria Berisha e cila së bashku me LSI-në brenda, në fund të mandatit ishte kthyer në një mamuth që nuk kontrollohej dot më, krijuan një plebish edhe si pasojë e premtimeve elektorale, pa asnjë doganë.

Sot jemi në një situatë totale zhgënjimi, madje edhe depresive. E vetmja rrugë që sheh se mund të shpëtojë Rama është ulja sërish në tryezën e pazarit me Ilir Metën dhe qaravitja ndaj qytetarëve, siç bëri këtë të diel duke ju lutur që ta besojnë, se ai është i pakënaqur me qeverinë e tij, por le ti japin edhe një shans tjetër sepse ka reflektuar!!

Në fund të fundit, arsyeja kryesore, se përse Ramës nuk jam mban të bëjë një lëvizje si të Renzit është se, edhe vetë tashmë e ka kuptuar se arrogancën, fodullëkun, cinizmin, gjunjëzimin ndaj miliarderëve dhe krimit të organizuar, ndërkohë që pjesën tjetër të popullatës e tall, e di që nuk ja falin më.

Rama e ka një shans të madh, për të mbretëruar i vetëm në të ardhmen; le ta nxjerrë veten në referendum siç bëri Renzi. Ky i fundit e hodhi synimin dhe projektin e tij për të ndryshuar Italinë në referendum popullor; humbi dhe iku. Rama do të vazhdojë ëndrrën e tij të Rilindjes, por vetëm nëpërmjet kulisave dhe pazareve me Metën nga njëra anë, e aleancën me narkotrafikun dhe oligarkët e parave publike, nga ana tjetër

Por ai vetë i pari e di që nuk mund të guxojë. Sepse me Renzin, ndoshta ka të përbashkët pasionin e selfieve, por e ndajnë shumë e shumë gjëra madhore dhe thelbësore; veçanërisht paburrëria!

 Poli Hoxha

/syri/

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?