MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Shteti i të marrëve: Politika shqiptare nxiton të dalë në krah të Donald Trump - Thesari

E Mërkurë 09 Nëntor, 2016
Shteti i të marrëve: Politika shqiptare nxiton të dalë në krah të Donald Trump

paria-tr

Niveli i qesharakërisë së Parisë së Tiranës vazhdon të thyejë të gjitha rekordet e mundshme. Jemi bërë si një pazar të marrësh ku secili nxiton të thotë budallallëkun më të madh se tjetri duke dalë në televizor e media.

Pas fitores së Republikanit Donald Tramp palët po nxitojnë të pozicionohet sepse si gjarpërinj katundi që janë e dinë se lajkat i pranon edhe mbreti.

Kryeministri nxitoi “të sqarojë” opinionin se kur foli dallash për Trampin nuk e kishte seriozisht dhe “kështu bënin të gjithë pse të mos bëja dhe unë”.

Krahu i Saliut dhe Trustit të tij të Gështenjave po fërkojnë barkun kinse me ardhjen e Trampit do u vijë fundi problemeve të tyre. “Sa të vijë ky i joni që t’ja tregojë qejfin këtij të gjatit dhe do vijmë prapë në pushtet e do bëjmë pare”, po pëshpëritet nën zë.

Ilir Meta dhe Koco Kokëdhima kishin dalë vetë për të përshëndetur Trampin, se me siguri që do ja mbajë inatin Ramës dhe do i ndihmojë t’ja bëjnë varrin e ta shkelin atë me këmbë.

Dhe sigurisht mediat dhe analistët gëlojnë me diskutime të zjarrta e të ethshme se cfarë do të ndodhë me marrëdhëniet Shqipëri Amerikë, a thua se mbaruan problemet tona dhe na mbeti problem i vetëm presidenti amerikan.

Në fakt shteti amerikan është serioz dhe i fortë. Problemet e veta Amerika i zgjidh në shumë mënyra dhe nuk ka nevojë për karagjozat tanë që dinë vetëm të vjedhin popullin e tyre.

Marrëdhëniet strategjike nuk ndryshojnë me ndërrimin e presidentëve. Strukturat shtetërore vazhdojnë punën e tyre me shumë pak ndryshime.

Po atëherë cfarë diskutojnë këta? Ky është pazari i të marrëve që nuk kanë asnjë shans të zgjidhin hallet e veta e të popullit të vet, por ama japin mend për hallet e të tjerëve. Mos ja qani hallin Amerikës, ajo i ka në rregull punët.

Hallet e shqiptarëve kush do i zgjidhi?

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?