MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Si të mbrohemi nga "bullshiti" mediatik? - Thesari

E Hënë 03 Tetor, 2016
Si të mbrohemi nga "bullshiti" mediatik?

propaganda-media-controls-us

Së fundi një këngëtar i njohur shqiptar në një ndejë private, ku këndoi disa këngë për ta bërë atmosferën edhe më të bukur, u bëri apel pjesëmarrësve të mos nxjerrin në media sociale fotografi apo incizime nga performansa e tij. Këngëtari kishte të drejtë: ai po këndonte për miq dhe jo për publikun e gjerë, nuk kishte pas vetes orkestër si zakonisht, por vetë këndonte, vetë nxirrte tinguj nga një instrument. Ishte një paraqitje simpatike. Duket se pjesëmarrësit e kanë respektuar apelin e artistit shqiptar: deri më tani nuk është parë në mediat sociale ndonjë video e xhiruar me telefon mobil.

Një apel të tillë duket se nuk e ka bërë Shyhrete Behluli kur së fundi martoi djalin. Video të ndryshme janë postuar në mediat sociale nga ky gazmend familjar. Një ngjarje private – dhe a ka ngjarje më private se dasma? – falë portaleve të etura për klikime është shndërruar në eveniment nacional turbo-folklorik. Janë aktualizuar muhabete (jo debate!) mbi adetin primitiv "të marrjes së dorës" – shenjë kjo gjoja e dëgjueshmërisë, përulësisë dhe edukatës së nuses. "Stuhia" me para që bie mbi nusen, vjehrrën dhe mysafirë të tjerë ka nxitur njerëzit të pyesin nëse këngëtarja e njohur e muzikës folklorike ka kryer obligimet e saj tatimore ndaj shtetit.

Hedhësi i parave me gjasë ka menduar se kësisoj do t’u tregojë mysafirëve se është i kamur dhe t’ia bëjë me dije nuses se "ka ra në vend të mirë". Por hedhja e parave në mënyrë të tillë tregon diçka tjetër: mungesën e ndjeshmërisë përballë varfërisë ekstreme që mbretëron në Kosovë. Nuk e dimë si ndihet familja Behluli pas publikimit të këtyre videove, por evidente është që shpotia ndaj tyre nuk po mungon. Dhe fajin për këtë e kanë ata që kanë lejuar incizimin e tillë dhe ata që i kanë postuar këto video.

Çfarë vlere informative kanë këto video? Kushdo që është i sinqertë me vetveten do ta pranojë: kurrfarë vlere! Në vitet ’70 apo ’80, kur nuk ka ekzistuar mundësia që "bullshiti" të përhapet me shpejtësi digjitale si sot, një lajm i tillë nuk do të kishte gjetur vendin as te revista "Kosovarja", e lërë me te "Rilindja". Nuk ka qenë gjithçka mirë në të kaluarën, por sa i përket seleksionimit dhe relevancës së lajmeve definitivsht ka ekzistuar përgjegjësi shumë më e madhe se sot.

Duhet thënë qartë: lajm nuk janë dasmat private, por demokracia në rrezik. Lajm nuk janë statuset në Facebook të politikanëve, por situata e rëndë politike edhe ekonomike në vend. Lajm nuk janë teoritë e komplotit, por jeta reale. Qëllimi i "gazetarisë" që vetëm me sensacione përpiqet të tërheq vëmendjen është depersonalizimi i konsumuesve mediatik dhe shndërrimi i tyre në turmë që mund të manipulohet. Dhe si mund të manipulohet publiku më lehtë se duke e bërë mizën elefant, duke e alarmuar opinionin me tituj të cilët sugjerojnë diçka krejt tjetër nga përmbajtja e artikullit ose duke premtuar diçka të jashtëzakonshme në titull, ndërsa përmbajtja është një grumbull shkronjash që i ngjajnë një bajge.

Shumica e mediave shqiptare sot luftojnë për mbijetesë. Vetëm në rastet më të rralla dihen pronarët e tyre, ndërsa pjesa më e madhe e mediave (sidomos portaleve që po themelohen dhe shuhen përditë) veprojnë nga anonimiteti i thellë në internet, shpesh të paguara nga partitë politike, grupet e interesit, strukturat e nëntokës, baronë të drogës, "biznesmenë". Drejtuesit e këtyre portaleve përpiqen që përmes fryrjes së lajmeve si tullumbace të fitojnë vëmendjen e publikut dhe ndonjë reklamë. Kjo lloj ekonomie e vëmendjes nuk ka kufi: "lajm" është rituali i "marrjes së dorës" dhe temenaja nga nusja, rrëzimi me biçikletë në trafik (sidomos nëse skena është qesharake), gatimi i flisë dhe përgatitja e sytliaçit, pjesëmarrja e politikanëve në syneti, shëtitja e djemve me pajton nëpër qytet në pritje të atij mjeshtrit të rreth-prerjes, aktivitetet "muzikore" të Linda Morinës dhe ato bythore të Kallashit.

Kur mungojnë kryelajme nga kjo sferë, atëherë sajohen lajme mbi zhvillimet politike, bazuar në intriga, agjenda partiake dhe shpifje të cilat kanë për qëllim helmimin e debatit publik. Vjedhja e ndërsjellë e lajmeve (në të vërtetë shumëfishimi i rrenave) është bërë shenjë dalluese e shumicës së portaleve. Paralelisht me ekonominë e vëmendjes funksionon edhe ekonomia e dezinformimit përmes mediave sociale. Për shembull një politikan mund ta akuzojë një oponent politik se është tradhtar, vrasës apo spiun. Brenda pak minutash këtë shënim në Facebook apo Twitter do ta gjeni në shumë portale – natyrisht të prezantuar si fakt dhe me një titull bombastik. Personi i atakuar nuk ka mundësi të mbrohet, të sqarojë opinionin, të demantojë menjëherë shpifjen, sepse askush nga redaksitë me dy-tre veta të portaleve nuk e pyet atë.

Për politikanët Facebooku është parajsa e vërtetë. Aty shprehin qëndrimet e tyre dhe e dinë se mediat do t’i ribotojnë ato pa asnjë pyetje kritike. Kur kanë mbajtur kryeministri apo kryetari i vendit konferenca për shtyp, ku gazetarët kanë mundësi të shtrojnë pyetje kritike dhe të ndërhyjnë drejtpërdrejtë kur politikanët nuk e thotë të vërtetën? Ka raste kur politikanët nuk e thonë të vërtetën dhe më së lehti këtë mund të bëjnë kur gazetarët nuk kanë mundësi t’i kundërshtojë. Për këso qëllimesh Facebooku është platformë e përshtatshme për politikanët.

Si të mbrohemi nga "bullshiti" mediatik? Duke injoruar "bullshitin" mediatik! Kaq e thjeshtë është kjo punë.

Sigurisht në hapësirën shqiptare nuk ka aq media profesionale sa ka portale që stërpikin opinionin me mbetje ahuri. Por e vërtetë është po ashtu se edhe në botën shqiptare ka media që informojnë me profesionalizëm. Portalet joprofesionale do të kishin më pak mundësi të terrorizojnë opinionin nëse njerëzit do të ishin më të përgjegjshëm në ruajtjen e të dhënave të tyre nga jeta private. Lumturia e askujt nuk bëhet më e madhe nëse orë e çast në mediat sociale postohen fotografi të fëmijëve (në janar edhe librezat krejt me pesëshe), kofshët e pulës nga darkat romantike familjare apo shoqërore, vetura e shtrenjtë, koleksioni i orëve, pjesëmarrja në dasmë, shkuarja te floktarja më e mirë në qytet. Mbajtja e kontakteve profesionale dhe private, kureshtja, muhabetet zbavitëse janë nevojë e thellë njerëzore, por jo vetëzhveshja para publikut, siç po praktikohet jo vetëm në viset shqiptare.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?