MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Vendi i bretkosave, i deleve dhe i leshit - Thesari

E Mërkurë 18 Maj, 2016
Vendi i bretkosave, i deleve dhe i leshit

bledar-kurti

E mbani mend historinë e bretkosës në lëndën e biologjisë? Vendosni një bretkosë në një enë të mbushur me ujë dhe filloni ta ngrohni, na tregonte mësuesja. Teksa temperatura e ujit fillon të rritet, bretkosa e përshtat temperaturën e saj trupore me atë të ujit. Ndodh që kur uji arrin pikën e vlimit, bretkosa nuk mund të përshtatet më. Në këtë pikë bretkosa vendos të hidhet jashtë. Ajo përpiqet të hidhet, por nuk ia del dot, sepse ajo e ka humbur të gjithë forcën e saj. Shumë shpejt bretkosa ngordh.

Çfarë e vrau bretkosën? Uji i nxehtë? Jo. Në shkollë na është mësuar se është uji, por e vërteta është se bretkosa vdiq për shkak të paaftësisë për të vendosur se kur duhet të hidhet. Muskujt e saj nuk i përgjigjen më. Dhe ajo thjesht vdes.

Po përdor fjalën “vdes” për bretkosën, sepse dua të përdor fjalën “ngordh” për shoqërinë tonë. Ashtu si bretkosa ne kemi njëzetë e pesë vite që përshtatemi me ambientin që na rrethon. Ditë pas dite e vit pas viti kemi pësuar trauma politike e shoqërore, dhe vitet e fundit kemi përjetuar tronditjet më të paimagjinueshme në glob. Çdo ditë presim për çudinë e re të radhës. Shikojmë komedi parlamentare, figura qesharake politike, lajme kanabisi, vrasje e arratisje, pornografi institucionale, brekë të grisura e kurvëri shteti. Vitet e para u përshtatëm, dekadën e dytë shpresuam, në këtë dekadë të tretë edhe pse duam nuk arrijmë dot të kërcejmë nga ky ambient vrastar, dhe thjesht ngordhim.

Dyqind mijë bretkosa (shqiptarë) u kapën pas fijes së shpresës amerikane, me mijëra të tjerë pas asaj gjermane. Ca arritën të jetojnë, të tjerët po vazhdojnë të ngordhin, sepse është vonë, shumë vonë, që të kapërcejnë nga ajo që po i vret.

Po për ata që mbetën këtu çfarë mendon Amerika e ëndrrave ballkanase? Ah, Amerika na sheh ndryshe, jo si bretkosa që po vdesin, apo njerëz që po ngordhin. Ajo na sheh si dele. Dhe jo thjeshtë dele, por nga ato të diskriminuara pozitivisht. Dhe nuk ka faj. Vetëm këtu qeniet njerëzore bëjnë beee beee baaa, madje blegtoria humane është kthyer edhe në institucion edukativ dhe traditë, pasi të mëdhenjtë i shtyjnë të vegjlit e tyre të rriten si dele, duke i mësuar që në foshnjëri këngën, tashmë himn kombëtar: Qengji vogël pse mendushëm beee beee ban; pse m’shikon ashtu trishtushëm beee beee ban; eja eja bashkë në arë tring tring tring; unë bëj lekë e ti ha bar tring tring tring.

Edhe të huajt e njohin këtë himn, ndaj edhe nuk merren shumë me tufat pa barinj, ndaj edhe Donald Lu e shprehu respektin e Shkëlqesisë së Tij kur na tha: Sa herë do shikoj dele do më kujtoheni ju (duartrokitje nga salla!).

Më pas, në ambientet e “Tirana International Hotel” u zhvillua një koktej, ku në pjata shërbehej bar jeshil dhe i freskët, dhe të pranishmit komunikonin të lumtur nën tingujt e kambanave që kishin të varur në qafë. Teksa ata hanin bar dikush u rruante leshtë. Por ç’të keqe ka! Amerika ka të drejtë. Think positive! Delet japin lesh.

Ndaj, mos e humbni shpresën, duhet të jemi krenarë, dhe të ecim me kokën lart, ballin ngritur, e gjoksin përpara, si gjithmonë, t’i mburremi Amerikës, Britanisë, Gjermanisë dhe mbarë Europës, sepse jemi dele proletare, sepse jetojmë në vendin e leshit.

Fatkeqësisht, nëse në botë një njeri ndahet nga jeta ai vdes, ndërsa këtu në vendin e bretkosave, dhe deleve, ne thjesht ngordhim.

fb/bledar.kurti.14

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?