Një hap prapa, gati dy shekuj, për arsimin turk, sipas njoftimit nga ana e Ministrisë së Arsimit të Ankarasë, e cila ka deklaruar se nga 2019 teoria e evolucionit të Darwinit nuk do të mësohet në shkollat e mesme të vendit.
Antari i Këshillit Kombëtar të Arsimit, Alpaslan Durmus, që është edhe zyrtari përgjegjës për programin shkollor, ka deklaruar se argumentet e evolucionit janë të diskutueshme dhe tepër të komplikuara për t'u kuptuar nga studentët, dhe se në qoftë se dikush është i interesuar të angazhohet në studime të tilla mund ta bëjë këtë duke filluar nga arsimi universitar.
Reforma ende nuk është miratuar përfundimisht, por nga ajo që tha Durmus në një video të postuar në faqen e internetit të Ministrisë, edhe Presidenti Erdogan është dakort me përmbajtjen e kësaj reforme arsimore, e cila ndër të tjera do të zvogëlojë numrin e orëve që studentët do ti kushtojnë studimit të historisë së shekullarizimit, ose çdo lënde që ka të bëjë me laicizmin e shtetit dhe ndarjen e tij nga feja. Njoftimi zyrtar i këtyre ndryshimeve do të jepet pas Fiter Bajramit, në fund të Ramazanit.
Opozita laike e Turqisë është padyshim kundër këtyre ndryshimeve dhe akuzon Erdoganin se po kërkon të çojë Turqinë drejt rrugës së fondamentalizmit islamik gjë që kërcënon të gjithë progresin e bërë nga vendi që prej vitit 1920 deri më sot.
Ajo që "Sulltani" po përgatitet të miratojë, me pak fjalë, është shumë e ngjashme me anulimin e Qemalizmit, doktrinës së përhapur nga Kemal Ataturku pas Luftës së Madhe, dhe që synonte deislamizimin e shtetit, duke futur një vetëdije të re kombëtare në kulturën e vendit, traditës dhe gjuhës, ndryshe nga arabishtja.
Debati mbi teorinë e Çarls Darvinit në programet shkollore filloi gjatë vitit 2009, kur nën udhëheqjen e Partisë AKP, TUBITAK (Këshilli i Kërkimeve Shkencor dhe Teknologjike të Turqisë), pezulloi nga puna redaktorin e revistës së saj shkencore, Dr. Cigdem Atakuman, për vënien në kopertinën e parë një portret të Çarls Darvinit. Nga viti 2013, i njëjti institucion ka ndaluar botimin e librave shkencorë në lidhje me teorinë e evolucionit.