Dita e djeshme do të na përballte me një reagim atipik të gazetares Mira Kazhani, kundrejt faktit që kjo e fundit figuronte e punësuar si këshilltare ekonomike në UKT, me një pagesë fort të mirë.
Pikëpyetjeve të taksapaguesve shqiptarë, gazetarja do t'u përgjigjej me një pjatë groshë me mbishkrimin - Grosha ime-.
Është një reagim atipik, pasi nuk haset dendur përvetësimi i groshës në gjuhën e folur apo të shkruar.
Kemi dëgjuar të thuhet - Rroga ime, aksidenti im, po grosha ime, haset shumë rrallë
për të mos thënë pothuajse fare.
Gjithsesi, si taksapagues nuk na shqetëson përkatësia e groshës, sa na shqetëson përkatësia e rrogës së Mira Kazhanit, pasi kjo e fundit në ndryshim nga grosha është thjesht e Mirës.
Grosha ka vlera ushqyese të pamohueshme, por është i njohur fakti se shoqërohet edhe me gazra të zhurmshme dhe me erë jo të këndshme.
Duket se vakti i gazetares dje, i ka dhënë pasojat e tij.
Reagimi i Kazhanit kundrejt punësimit dhe rrogës së saj të majme në UKT, ka qenë veçse një bashkësi gazrash trunore, që rrjedhimisht përkthehen në gazra mediatike.
Ne, si taksapagues gëzojmë të drejtën të shtrojmë pyetjet e mëposhtme;
- Ç'punë bën saktësisht gazetarja Kazhani në UKT?!
- Një rrogë përfshin kryerjen e një detyre pranë një institucioni shtetëror.Ç'detyrë të dobishme kryen Kazhani në UKT?
- Si mundet një gazetare të kryeje funksionin e këshilltares ekonomike pranë një institucioni, kur nuk ka formimin e duhur për këtë pozicion?
Kazhani duhet të dijë, se pjata e groshës nuk është argument.
Mund të jetë argumenti që përligj gazrat mediatike që prodhohen prej saj, por nuk është kurrsesi argument që përligj rrogën e majme që ajo merr.
Ndaj, e ftojmë Kazhanin, që me mbarimin e gazrave mediatike, të rishqyrtojë pozicionin e saj dhe të kujtojë se përse paguhet në atë institucion (gjithmonë nëse e mban mend).
Një gazetare e pavarur si Kazhani, nuk duhet të ketë druajtje, për të pohuar punën e saj. Pavarësia e saj duhet të ruajë në thelb edhe lirinë.
Nëse Kazhani është e lirë, mund ta pohojë natyrshëm të vërtetën e rrogës që merr.
Hipoteza e kundërt e pavarësisë së Kazhanit, do të na bënte të kuptonim se aroma e keqe dhe zhurma e gazrave mediatike, përbëjnë në thelb, shërbimin që ajo kryen për të marrë rrogën.
Dhe nëse hipoteza e dytë është e vërtetë, atëherë mbishkrimi i Kazhanit - Grosha ime- duhet mirëkuptuar më shumë se kurrë.
Post Scriptum - Kujdes me gazrat!