Ç'po ndodh në Ukrainë? Çfarë ka ndodhur dhe pse?
PJESA E PARË: Rruga drejt luftës
Për vite me radhë, nga Mali në Afganistan, kam punuar për paqen dhe kam rrezikuar jetën për të. Prandaj, nuk bëhet fjalë për të justifikuar luftën, por për të kuptuar se çfarë na çoi drejt saj.
Le të përpiqemi të shqyrtojmë rrënjët e konfliktit të Ukrainës. Fillon me ata që në tetë vitet e fundit kanë folur për "separatistë" apo "pavarësi" nga Donbass. Ky është një emërtim i gabuar. Referendumet e kryera nga dy republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luganskut në maj 2014, nuk ishin referendume të "pavarësisë" (независимость), siç kanë pretenduar disa gazetarë të paskrupullt, por referendume të "vetëvendosjes" ose "autonomisë" (самостоятельность). Kualifikimi "pro-rus" sugjeron sikur Rusia ishte palë në konflikt, gjë që nuk ishte e vërtetë, dhe termi "rusishtfolës" do të kishte qenë më i sinqertë. Për më tepër, këto referendume u zhvilluan kundër këshillës së Vladimir Putin.
Në fakt, këto republika nuk kërkonin të ndaheshin nga Ukraina, por kërkonin të kishin një status autonomie, duke u garantuar atyre përdorimin e gjuhës ruse si gjuhë zyrtare – sepse akti i parë legjislativ i qeverisë së re që doli nga përmbysja me sponsorizim nga Amerika, të Presidentit [të zgjedhur në mënyrë demokratike] Yanukovych, ishte shfuqizimi, më 23 shkurt 2014, i ligjit Kivalov-Kolesnichenko të vitit 2012 që e bëri rusishten gjuhë zyrtare në Ukrainë. Njësoj sikur puçistët gjermanë të ngriheshin e të vendosnin që frëngjishtja dhe italishtja të mos ishin më gjuhë zyrtare në Zvicër.
Ky vendim shkaktoi një stuhi në popullatën rusishtfolëse. Rezultati ishte një shtypje e ashpër kundër rajoneve rusishtfolëse (Odessa, Dnepropetrovsk, Kharkov, Lugansk dhe Donetsk) që u krye në fillim të shkurtit 2014 dhe çoi në një militarizim të situatës dhe disa masakra të tmerrshme ndaj popullsisë ruse (sidomos në Odessa dhe Mariupol).
Në këtë fazë, me kokfortësi të tepruar dhe i zhytur në një qasje doktrinare ndaj operacioneve, stafi politik ukrainas e vuri poshtë armikun, por pa arritur ta mbizotërojë atë në të vërtetë. Lufta e zhvilluar nga autonomistët konsistonte në operacione shumë të lëvizshme të kryera me mjete të lehta. Me një qasje më fleksibël dhe më pak doktrinare, rebelët ishin në gjendje të shfrytëzonin inercinë e forcave ukrainase duke i zënë në "kurthe" ata në mënyrë të përsëritur.
Në vitin 2014, kur unë isha në NATO, isha përgjegjës për luftën kundër përhapjes së armëve të vogla dhe po përpiqeshim të zbulonim dërgesat e armëve ruse për rebelët, për të parë nëse Moska ishte e përfshirë. Informacioni që morëm atëherë erdhi pothuajse tërësisht nga shërbimet e inteligjencës polake dhe nuk "përputhej" aspak me informacionin që vinte nga OSBE [Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë] - dhe pavarësisht nga akuzat mjaft të vrazhda, nuk kishte dërgesa armësh dhe pajisje ushtarake nga Rusia.
Rebelët ishin të armatosur falë dezertimit të njësive ukrainase ruse-folëse që kaluan në anën rebele. Ndërsa dështimet e Ukrainës vazhduan, batalione tankesh, artilerie dhe kundërajrore shtuan radhët e autonomistëve. Kjo është ajo që i shtyu ukrainasit të angazhohen për Marrëveshjet e Minskut.
Por, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjeve Minsk 1, Presidenti Ukrainës, Petro Poroshenko, nisi një "operacion masiv anti-terrorist" (ATO/Антитерористична операція) kundër Donbass. Të këshilluar keq nga oficerët e NATO-s, ukrainasit pësuan një disfatë dërrmuese në Debaltsevo, e cila i detyroi ata të përfshiheshin në Marrëveshjet Minsk 2.
Është thelbësore të kujtojmë këtu se marrëveshjet e Minsk 1 (shtator 2014) dhe Minsk 2 (shkurt 2015) nuk parashikonin ndarjen ose pavarësinë e republikave, por autonominë e tyre brenda kornizës së Ukrainës. Ata që i kanë lexuar Marrëveshjet (janë të paktë ata që në fakt i kanë lexuar) do të vërejnë se aty është shkruar që statusi i republikave do të negociohej mes Kievit dhe përfaqësuesve të republikave, për një zgjidhje të brendshme brenda Ukrainës.
Kjo është arsyeja pse, që nga viti 2014, Rusia ka kërkuar sistematikisht zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut, duke refuzuar të jetë palë në negociata, sepse ishte një çështje e brendshme e Ukrainës. Nga ana tjetër, Perëndimi - i udhëhequr nga Franca - u përpoq sistematikisht të zëvendësonte Marrëveshjet e Minskut me "formatin e Normandisë", i cili i vendosi rusët dhe ukrainasit ballë për ballë. Megjithatë, le të kujtojmë se nuk ka pasur kurrë trupa ruse në Donbass para 23-24 shkurtit 2022. Për më tepër, vëzhguesit e OSBE-së nuk kanë vërejtur asnjëherë as gjurmën më të vogël të njësive ruse që vepronin në Donbass deri atëherë. Për shembull, harta e inteligjencës amerikane e publikuar nga Washington Post më 3 dhjetor 2021 nuk tregon trupat ruse në Donbass.
Në tetor 2015, Vasyl Hrytsak, drejtor i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), rrëfeu se vetëm 56 luftëtarë rusë ishin vëzhguar në Donbass. Kjo ishte saktësisht e krahasueshme me zviceranët që shkonin për të luftuar në Bosnje në fundjavë, në vitet 1990, ose francezët që shkojnë të luftojnë në Ukrainë sot.
Ushtria ukrainase ishte atëherë në një gjendje të mjerueshme. Në tetor 2018, pas katër vitesh luftë, kryeprokurori ushtarak ukrainas, Anatoly Matios, deklaroi se Ukraina kishte humbur 2700 burra në Donbass: 891 nga sëmundjet, 318 nga aksidentet rrugore, 177 nga aksidentet e tjera, 175 nga helmimet (alkooli, droga), 172 nga përdorimi i pakujdesshëm i armëve, 101 nga shkeljet e rregullave të sigurisë, 228 nga vrasjet dhe 615 nga vetëvrasjet.
Në fakt, ushtria ukrainase u minua nga korrupsioni i kuadrove të saj dhe nuk gëzonte më mbështetjen e popullatës. Sipas një raporti të Zyrës së Brendshme Britanike, në thirrjen e rezervistëve (mars/prill 2014), 70 për qind nuk u paraqitën në seancën e parë, 80 për qind për të dytën, 90 për qind për të tretën dhe 95 për qind për të katërtin. Në tetor/nëntor 2017, 70% e rekrutëve nuk u paraqitën në fushatën e thirrjes nën armë "Vjeshtë 2017". Këtu nuk llogariten vetëvrasjet dhe dezertimet (shpesh tek autonomistët), të cilat arritën deri në 30 përqind të fuqisë punëtore në zonën e Operacionit "anti-terror" ATO. Të rinjtë ukrainas refuzuan të shkonin të luftonin në Donbass dhe preferuan emigracionin, gjë që shpjegon, të paktën pjesërisht, deficitin demografik të vendit.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës më pas iu drejtua NATO-s për të ndihmuar që forcat e saj të armatosura të bëhen më "tërheqëse". Pasi kam punuar tashmë në projekte të ngjashme në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, NATO më kërkoi të merrja pjesë në një program për të rivendosur imazhin e forcave të armatosura të Ukrainës. Por ky është një proces afatgjatë dhe ukrainasit nxitonin e donin të lëviznin shpejt.
Pra, për të kompensuar mungesën e ushtarëve, qeveria ukrainase iu drejtua milicive paraushtarake. Në vitin 2020, ata përbënin rreth 40 për qind të forcave ukrainase dhe numëronin rreth 102,000 burra, sipas Reuters. Ata ishin të armatosur, financuar dhe trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Franca. Kishte më shumë se 19 kombësi.
Këto milici kishin vepruar në Donbass që nga viti 2014, me mbështetjen perëndimore. Edhe nëse dikush mund të debatojë për termin "nazist", mbetet fakti se këto milici janë të dhunshme, përcjellin një ideologji të neveritshme dhe janë tmerrësisht antisemite... dhe janë të përbëra nga individë fanatik dhe brutal. Më i njohuri prej tyre është Batalioni Azov, emblema e të cilit të kujton Divizionin e 2-të SS Das Reich Panzer, i cili nderohet në Ukrainë për çlirimin e Kharkovit nga sovjetikët në vitin 1943, përpara se të kryente masakrën e Oradour-sur-Glane në 1944 në Francë.
Karakterizimi i paraushtarakëve ukrainas si "nazistë" ose "neo-nazistë" konsiderohet propagandë ruse. Por nuk mendon kështu "Times of Israel", apo Qendra e Akademisë West Point për Kundërterrorizmin. Në vitin 2014, revista Newsweek dukej se i lidhte më shumë me... Shtetin Islamik. Hajde gjeje vet ti se çfarë është tashti!
Pra, Perëndimi mbështeti dhe vazhdoi të armatoste milicitë që kanë qenë fajtorë për krime të shumta kundër popullsisë civile që nga viti 2014: përdhunime, tortura dhe masakra të tmerrshme...
Integrimi i këtyre forcave paraushtarake në Gardën Kombëtare të Ukrainës nuk u shoqërua aspak me një "denazifikim", siç pretendojnë disa.
Midis shumë shembujve, ai i stemave të Regjimentit Azov është tregues i qartë:
Në vitin 2022, në mënyrë shumë skematike, forcat e armatosura ukrainase që luftonin ofensivën ruse u organizuan kështu:
Ushtria, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Ajo u organizua në 3 njësi të ushtrisë dhe përbëhej nga formacione manovruese (tanke, artileri të rëndë, raketa, etj).
Garda Kombëtare, në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe e organizuar në 5 komanda territoriale.
Prandaj, Garda Kombëtare është forcë e mbrojtjes territoriale, që nuk është pjesë e ushtrisë ukrainase. Ajo përfshin milicitë paraushtarake, të quajtura "batalione vullnetare" (добровольчі батальйоні), të njohur gjithashtu me emrin ndjellës "batalione hakmarrje" dhe të përbëra nga këmbësoria. Të trajnuar kryesisht për luftime urbane, ata tani mbrojnë qytete të tilla si Kharkov, Mariupol, Odessa, Kiev, etj.
PJESA E DYTË: Lufta
Si ish-drejtues i analizës së forcave të Paktit të Varshavës në shërbimin strategjik të inteligjencës Zvicerane, vërej me trishtim – por jo me habi – që shërbimet tona nuk janë më në gjendje të kuptojnë situatën ushtarake në Ukrainë. "Ekspertët" e vetëshpallur që parakalojnë në ekranet tona televizive transmetojnë pa u lodhur të njëjtin informacion të modifikuar nga pretendimi se Rusia - dhe Vladimir Putin - janë joracionale. Le të bëjmë një hap prapa.
1. SHPËRTHIMI I LUFTËS
Që nga nëntori 2021, amerikanët në mënyrë konstante kanë bërtitur për një pushtim rus ndaj Ukrainës. Megjithatë, ukrainasit në fillim nuk dukej se ishin dakord. Pse jo?
Duhet të kthehemi në 24 mars 2021. Atë ditë, Volodymyr Zelensky nxori një dekret për rimarrjen e Krimesë dhe filloi të vendoste forcat e tij në jug të vendit. Në të njëjtën kohë, u zhvilluan disa stërvitje të NATO-s midis Detit të Zi dhe Detit Baltik, të shoqëruara me një rritje të ndjeshme të fluturimeve të zbulimit përgjatë kufirit rus. Rusia më pas kreu disa ushtrime për të testuar gatishmërinë operacionale të trupave të saj dhe për të treguar se po ndiqte zhvillimin e situatës.
Gjërat u qetësuan deri në tetor-nëntor me përfundimin e stërvitjes ZAPAD 21, lëvizjet e trupave të së cilës u interpretuan si një përforcim për një ofensivë kundër Ukrainës. Megjithatë, edhe autoritetet ukrainase hodhën poshtë idenë e përgatitjeve ruse për një luftë, dhe Oleksiy Reznikov, Ministri ukrainas i Mbrojtjes, deklaron se nuk kishte pasur asnjë ndryshim në kufirin e Ukrainës që nga pranvera.
Në kundërshtim me Marrëveshjet e Minskut, Ukraina po kryente operacione ajrore në Donbass duke përdorur dronë, duke përfshirë këtu të paktën një sulm kundër një depoje karburanti në Donetsk në tetor 2021. Shtypi amerikan e nxorri këtë, por jo evropianët; dhe askush nga të dyja nuk i dënoi këto shkelje.
Në shkurt 2022, gjërat sikur erdhën në terezi. Më 7 shkurt, gjatë vizitës së tij në Moskë, Emmanuel Macron i rikonfirmoi Vladimir Putinit angazhimin e tij ndaj Marrëveshjeve të Minskut, një angazhim që do ta përsëriste pas takimit të tij me Volodymyr Zelensky të nesërmen. Por më 11 shkurt, në Berlin, pas nëntë orësh punë, takimi i këshilltarëve politikë të drejtuesve të "Formatit të Normandisë" përfundoi pa ndonjë rezultat konkret: ukrainasit refuzuan përsëri të zbatonin Marrëveshjet e Minskut, me sa duket nën presionin e Amerikës. Vladimir Putin vuri në dukje se Macron kishte bërë premtime boshe dhe se Perëndimi nuk ishte gati ti zbatonte marrëveshjet, me të njëjtat kundërshtime ndaj zgjidhjes që kishte shfaqur për tetë vjet rrjesht.
Ndërkohë, përgatitjet e Ukrainës në zonën e kontaktit vazhduan. Parlamenti rus u alarmua; dhe më 15 shkurt i kërkoi Vladimir Putinit të njihte pavarësinë e republikave, gjë që ai fillimisht refuzoi ta bënte.
Më 17 shkurt, Presidenti Joe Biden deklaroi përsëri se Rusia do sulmonte Ukrainën në ditët e ardhshme. Nga e dinte ai këtë? Është akoma mister. Por që nga data 16 shkurt, granatimet me artileri të rëndë ndaj popullsisë së Donbasit ishin rritur në mënyrë dramatike, siç tregojnë raportet e përditshme të vëzhguesve të OSBE-së. Natyrisht, as media, as Bashkimi Evropian, as NATO, as ndonjë qeveri perëndimore nuk reagoi dhe as nuk ndërhynë. Më vonë pastaj u tha se ky ishte dezinformim rus. Në fakt, duket se Bashkimi Evropian dhe disa vende kanë heshtur qëllimisht për masakrën e popullsisë së Donbasit, duke e ditur se kjo do të provokonte padiskutim një ndërhyrje ruse në mbrojtje të popullsisë ruse në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë, pati raportime për sabotime në Donbass. Më 18 janar, luftëtarët e Donbass kapën diversantë, të cilët flisnin polonisht dhe ishin të pajisur me pajisje perëndimore dhe që kërkonin të krijonin incidente kimike në Gorlivka. Ata mund të kishin qenë mercenarë të CIA-s, të udhëhequr ose të "këshilluar" nga amerikanët dhe të përbërë nga luftëtarë ukrainas ose evropianë, për të kryer aksione sabotuese në Republikat e Donbasit.
Në fakt, qysh më 16 shkurt, Joe Biden e dinte se ukrainasit kishin filluar të bombardonin intensivisht popullsinë civile të Donbasit, duke e detyruar Vladimir Putinin të bënte një zgjedhje të vështirë: të ndihmonte Donbasin ushtarakisht dhe të krijonte një problem ndërkombëtar, ose të qëndronte duarkryq dhe të vëzhgonte popullin rusishtfolës të Donbasit duke u masakruar.
Nëse ndërhynte, Putini do mbështetej tek detyrimi ndërkombëtar i "Responsibility To Protect" (R2P) (Përgjegjësia për të Mbrojtur). Por ai e dinte se cilado qoftë natyra apo shkalla e saj, ndërhyrja do të shkaktonte një stuhi sanksionesh. Prandaj, nëse ndërhyrja ruse do të kufizohej në Donbas ose do të shkonte më tej për të ushtruar presion mbi Perëndimin mbi statusin e Ukrainës, çmimi për t'u paguar do të ishte i njëjtë. Kështu e shpjegoi ai veprimin e tij në fjalimin që mbajti për rusët në 21 shkurtit. Atë ditë ai pranoi kërkesën e Dumës dhe njohu pavarësinë e dy republikave të Donbasit dhe në të njëjtën kohë nënshkroi traktate miqësie dhe ndihme me to.
Ndërkohë bombardimet e artilerisë ukrainase ndaj popullsisë së Donbasit vazhduan dhe, më 23 shkurt, të dy republikat kërkuan ndihmë ushtarake nga Rusia. Më 24 shkurt, Vladimir Putin thirri nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili parashikon ndihmën e ndërsjellë ushtarake në kuadrin e një aleance mbrojtëse.
Për ta bërë ndërhyrjen ruse të dukej krejtësisht e paligjshme para syve të publikut, fuqitë perëndimore në mënyrë të qëllimshme fshehën faktin që lufta në të vërtetë filloi më 16 shkurt. Ushtria ukrainase kishte që në vitin 2021 që po përgatitej të sulmonte Donbasin, dhe këtë e dinin shumë mirë shërbimet e inteligjencës evropiane dhe ruse bashkë.
Në fjalimin e tij të 24 shkurtit, Vladimir Putin deklaroi dy objektivat e operacionit të tij: "çmilitarizimin" dhe "denazifikimin" e Ukrainës. Pra, nuk bëhej fjalë për marrjen e Ukrainës, as për ta pushtuar; dhe sigurisht jo për ta shkatërruar atë.
Që atëherë, njohuritë tona për rrjedhën e operacionit janë të kufizuara: rusët kanë siguri të përkryer përsa i përket operacioneve të tyre (OPSEC) dhe detajet e planifikimit të tyre nuk dihen. Por mjaft shpejt, rrjedha e operacionit na la të kuptojmë se si u përkthyen objektivat strategjikë në nivel operacional.
Çmilitarizimi:
- shkatërrimi tokësor i aviacionit ukrainas, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe mjeteve të zbulimit;
- neutralizimi i strukturave komanduese dhe inteligjente (C3I), si dhe rrugëve kryesore logjistike në thellësi të territorit;
- rrethimi i pjesës më të madhe të ushtrisë ukrainase të grumbulluar në juglindje të vendit.
Denazifikimi:
- shkatërrimi ose neutralizimi i batalioneve vullnetare që vepronin në qytetet Odessa, Kharkov dhe Mariupol, si dhe në objekte të ndryshme në territor.
2. ÇMILITARIZIMI
Ofensiva ruse u krye në një mënyrë shumë "klasike". Në fillim - siç kishin bërë edhe izraelitët në vitin 1967 - me shkatërrimin në tokë të forcave ajrore që në orët e para. Më pas, pamë një përparim sinkron përgjatë disa akseve sipas parimit të "ujit të rrjedhshëm": avanco kudo ku rezistenca është e dobët dhe lëri qytetet (që kërkonin shumë rezorse me trupa) për më vonë. Në veri, termocentrali i Çernobilit u pushtua menjëherë për të parandaluar aktet e sabotazhit. Pamjet e ushtarëve ukrainas dhe rusë që ruanin së bashku fabrikën, natyrisht, nuk u shfaqën asnjëhere.
Ideja se Rusia po përpiqet të marrë nën kontroll Kievin, kryeqytetin, për të eliminuar Zelenskyn, vjen zakonisht nga Perëndimi. Por Vladimir Putin kurrë nuk kishte ndërmend të vriste apo rrëzonte Zelenskyn. Përkundrazi, Rusia kërkon ta mbajë atë në pushtet duke e shtyrë të negociojë, duke rrethuar Kievin. Rusët duan vetëm të garantojnë neutralitetin e Ukrainës.
Shumë komentues perëndimorë u befasuan që rusët vazhduan të kërkonin një zgjidhje me marrëveshje gjatë kryerjes së operacioneve ushtarake. Shpjegimi qëndron në pikëpamjen strategjike ruse që nga epoka sovjetike. Për Perëndimin, lufta fillon kur mbaron politika. Kurse qasja Ruse ndjek një frymëzim Clausewitzian: lufta është vazhdimësi e politikës dhe ti mund të lëvizësh rrjedhshëm nga njëra tek tjetra, edhe gjatë luftimeve. Kjo lejon që dikush të krijojë presion mbi kundërshtarin dhe ta shtyjë atë të negociojë.
Nga pikëpamja operacionale, ofensiva ruse ishte një shembull i veprimit dhe planifikimit të mëparshëm ushtarak. Në gjashtë ditë, rusët pushtuan një territor aq të madh sa Mbretëria e Bashkuar, me një shpejtësi përparimi më të madh se ç'kishte arritur Wehrmacht në 1940.
Pjesa më e madhe e ushtrisë ukrainase u vendos në jug të vendit në përgatitje për një operacion të madh kundër Donbass. Kjo është arsyeja pse forcat ruse ishin në gjendje ta rrethonin atë nga fillimi i marsit në "kazanin" midis Slavyansk, Kramatorsk dhe Severodonetsk, me një shtyrje nga Lindja përmes Kharkovit dhe një tjetër nga Jugu nga Krimea. Trupat e Republikave Donetsk (DPR) dhe Lugansk (LPR) plotësonin dhe mbështesnin forcat ruse me një shtyrje nga Lindja.
Zona blu në Ukrainën lindore janë forcat e bllokuara të ushtrisë së Ukrainës.
Situata ushtarake në Ukrainë, 4 prill 2022
Në këtë fazë, forcat ruse po e shtrëngonin ngadalë lakun, dhe nuk ishnin më nën asnjë presion kohor apo programatik për të nxituar. Qëllimi i tyre i çmilitarizimit ishte arritur dhe forcat e mbetura ukrainase nuk kishin më një strukturë komande operacionale dhe strategjike.
"Ngadalësimi" që "ekspertët" tanë ia atribuojnë logjistikës së dobët ruse është vetëm pasojë e arritjes së objektivave të tyre. Rusia nuk dëshiron të përfshihet në një okupim të të gjithë territorit të Ukrainës. Në fakt, duket se Rusia po përpiqet të kufizojë përparimin e saj në kufirin gjuhësor të vendit.
Mediat tona flasin për bombardime pa dallim kundër popullatës civile, veçanërisht në Kharkov, dhe pamjet e tmerrshme transmetohen papushim në çdo cep mediatik perëndimor. Megjithatë, Gonzalo Lira, një korrespondent i Amerikës Latine që jeton atje, na paraqet një qytet të qetë më 10 mars dhe 11 mars. Është e vërtetë që është një qytet shumë i madh dhe rrjedhimisht nuk mund të shohim gjithçka - por kjo tregon se nuk jemi në atë luftën totale që na serviret vazhdimisht nëpër ekranet tona televizive. Sa për Republikat e Donbasit, ato kanë "çliruar" territoret e tyre dhe po luftojnë në qytetin e Mariupolit.
3. DENAZIFIKIMI
Në qytete si Kharkovi, Mariupol dhe Odessa, mbrojtja ukrainase bëhet nga milicitë paraushtarake. Ata e dinë se objektivi i "denazifikimit" u drejtohet në radhë të parë atyre. Për sulmuesin civilët në një zonë të urbanizuar janë një problem. Kjo është arsyeja pse Rusia po kërkon të krijojë korridore humanitare për të zbrazur qytetet nga civilët dhe për të lënë vetëm milicitë, për t'i luftuar më lehtësisht ata.
Nga ana tjetër, këto milici përpiqen të mbajnë civilët në qytete dhe ti ndalojnë të evakuojnë, në mënyrë që të ndalojnë ushtrinë ruse që të luftojë kundër tyre atje. Kjo është arsyeja pse ata hezitojnë të lejojnë këto korridore dhe bëjnë gjithçka për të siguruar që përpjekjet ruse të jenë të pasuksesshme – ata përdorin popullsinë civile si "mburojë njerëzore". Videot që tregojnë civilë që përpiqen të largohen nga Mariupoli dhe që masakrohen nga luftëtarët e regjimentit të Azov janë sigurisht të censuruara me kujdes nga mediat perëndimore.
Në Facebook, grupi Azov konsiderohej në të njëjtën kategori si Shteti Islamik [ISIS] dhe për platformën sociale ishte subjekt i "politikës ndaj individëve dhe organizatave të rrezikshme". Prandaj, ishte e ndaluar të glorifikoheshin aktivitetet e saj, dhe "postimet" në favor të tyre u ndaluan sistematikisht. Por më 24 shkurt, Facebook ndryshoi politikën e vet dhe lejoi postimet në favor të milicive. Në të njëjtën frymë, në muajin mars, platforma Facebook (e autorizuar për t'u përdorur edhe ne vendet e ish-lindjes), shkon e bën thirrje për vrasjen e ushtarëve dhe liderëve rusë. Kaq duhej për të treguar vlerat që frymëzojnë liderët tanë perëndimorë.
Mediat tona propagandojnë një imazh romantik të rezistencës popullore nga populli ukrainas. Është ky imazh që e shtyu Bashkimin Evropian të financojë shpërndarjen e armëve popullatës civile. Në cilësinë time si kreu i paqeruajtësve në OKB, kam punuar në çështjet e mbrojtjes civile. Ne kemi zbuluar se dhuna kundër civilëve ndodhte në kontekste shumë specifike. Në veçanti, kur armët janë të bollshme dhe kur nuk ka struktura komanduese.
Këto struktura komanduese janë thelbi i ushtrive: funksioni i tyre është të kanalizojnë përdorimin e forcës drejt një objektivi. Duke i armatosur qytetarët pa kriter, siç ndodhi aktualisht, BE-ja po i kthen ata në luftëtarë, me efektin konsekuent duke i bërë objektiva të mundshëm. Për më tepër, pa komandë, pa qëllime operacionale, shpërndarja e armëve çon në mënyrë të pashmangshme në larje hesapesh, banditizëm dhe veprime që janë më shumë vdekjeprurëse sesa efektive. Lufta bëhet çështje emocionesh. Forca kthehet në dhunë. Kështu ndodhi në Tawarga (Libi) nga 11 deri më 13 gusht 2011, ku 30,000 afrikanë u masakruan me armë të hedhura me parashutë (ilegalisht) nga Franca. E meqë ra fjala, Instituti Mbretëror Britanik për Studime Strategjike nuk sheh ndonjë vlerë të shtuar në këto dërgesa të armëve.
Për më tepër, duke i dorëzuar armët një vendi në luftë, njeriu ekspozon veten duke u konsideruar si luftëtar. Sulmet ruse të 13 marsit 2022 kundër bazës ajrore Mykolayev erdhën pas paralajmërimeve ruse se dërgesat e armëve do trajtoheshin si objektiva armike.
BE-ja po përsërit përvojën katastrofike të Rajhut të Tretë në orët e fundit të Betejës së Berlinit. Lufta duhet t'i lihet ushtrisë dhe kur njëra palë ka humbur, duhet pranuar. Dhe nëse do të ketë rezistencë, ajo duhet të udhëhiqet dhe të strukturohet. Por ne po bëjmë pikërisht të kundërtën – po i shtyjmë qytetarët të shkojnë të luftojnë, dhe në të njëjtën kohë, Facebook autorizon thirrjet për vrasjen e ushtarëve dhe liderëve rusë. Këto janë vlerat që duhet të na frymëzojnë?
Disa shërbime të inteligjencës e shohin këtë vendim të papërgjegjshëm si një mënyrë për të përdorur popullsinë ukrainase si "mish për top" për të luftuar Rusinë e Vladimir Putinit. Do të ishte më mirë të merreshim me negociata dhe të merrnim garanci për popullatën civile sesa t'i hidhnim benzinë zjarrit. Është e lehtë të luftosh kur gjaku që derdhet është i dikujt tjetër.
4. MATERNITETI NË MARIUPOL
Është e rëndësishme të kuptohet paraprakisht se nuk është ushtria ukrainase ajo që mbron Mariupolin, por milicia Azov, e përbërë nga mercenarë të huaj.
Në përmbledhjen e tij të 7 marsit 2022 të situatës, misioni rus i OKB-së në New York deklaroi se "Banorët raportojnë se forcat e armatosura ukrainase dëbuan personelin nga spitali i lindjes nr. 1 i qytetit Mariupol dhe ngritën aty një post luftarak zjarri brenda objektit". Më 8 mars, media e pavarur ruse Lenta.ru, publikoi dëshminë e civilëve nga Mariupoli, të cilët thanë se materniteti u mor nga milicia e regjimentit Azov, të cilët i përzunë të shtruarit civilë duke i kërcënuar me armë. Ata konfirmuan deklaratat që bëri ambasadori rus pak orë më parë.
Spitali në Mariupol ka një pozicion dominues, i përshtatshëm për instalimin e armëve antitanke dhe për vëzhgim. Më 9 mars, forcat ruse goditën ndërtesën. Sipas CNN, 17 persona u plagosën, por pamjet nuk tregojnë viktima në ndërtesë dhe nuk ka asnjë provë që viktimat e përmendura kanë lidhje me këtë goditje. Flitet për fëmijë, por në realitet nuk ka asgjë. Kjo nuk i pengon liderët e BE-së që ta shohin këtë si një krim lufte. Dhe kjo i lejon Zelenskyt të bëjë thirrje për një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë.
Në realitet, ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Por sekuenca e ngjarjeve tenton të konfirmojë se forcat ruse goditën një pozicion të regjimentit Azov dhe se reparti i maternitetit ishte i lirë nga civilët.
Problemi është se milicitë paraushtarake që mbrojnë qytetet inkurajohen nga komuniteti ndërkombëtar që të mos respektojnë rregullat e luftës. Duket se ukrainasit kanë riprodhuar skenarin e maternitetit të qytetit të Kuvajtit në vitin 1990, i cili u inskenua totalisht nga firma Hill & Knowlton për 10.7 milionë dollarë për të bindur Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të ndërhyrë në Irak për Operacionin Desert Shield/Storm.
Politikanët perëndimorë kanë pranuar sulme civile në Donbass për tetë vjet pa miratuar asnjë sanksion kundër qeverisë ukrainase. Ne kemi hyrë prej kohësh në një dinamikë ku politikanët perëndimorë kanë rënë dakord të sakrifikojnë ligjin ndërkombëtar drejt qëllimit të tyre për të dobësuar Rusinë.
PJESA E TRETË: Përfundime
Si një ish-profesionist i inteligjencës, gjëja e parë që më bën përshtypje është mungesa totale e shërbimeve të inteligjencës perëndimore në përfaqësimin e saktë të situatës gjatë vitit të kaluar. Në fakt, duket se në të gjithë botën perëndimore shërbimet e inteligjencës janë pushtuar nga politikanët. Problemi është se janë politikanët ata që vendosin - shërbimi më i mirë inteligjent në botë është i padobishëm nëse vendimmarrësi nuk dëgjon. Kjo është ajo që ka ndodhur gjatë kësaj krize.
Thënë kështu, ndërsa disa shërbime të inteligjencës kishin një pasqyrë shumë të saktë dhe racionale të situatës, të tjerët kishin qartë të njëjtën pamje me atë të propaganduar nga mediat. Problemi është se, nga përvoja, kam parë se janë jashtëzakonisht të dobët në nivel analitik - të indoktrinuar, atyre u mungon pavarësia intelektuale dhe politike e nevojshme për të vlerësuar një situatë me "cilësi" ushtarake.
Së dyti, duket se në disa vende evropiane, politikanët i janë përgjigjur qëllimisht ideologjikisht situatës. Kjo është arsyeja pse kjo krizë ka qenë irracionale që në fillim. Duhet theksuar se të gjitha dokumentet që janë paraqitur në publik gjatë kësaj krize janë prezantuar nga politikanët në bazë të burimeve komerciale.
KOMENT: Shërbimet e inteligjencës i janë nënshtruar një procesi "seleksionimi negativ", ku ideologjia vlerësohet mbi objektivitetin dhe tipat patologjik, pasi arrijnë një nivel të caktuar brenda organeve shtetërore, pastaj zgjedhin se kush duhet të vendoset në pozicione të larta duke përdorur ndërhyrjet politike dhe referencat e tyre. Kështu, demokracia bëhet patokraci dhe fillon të vetëshkatërrohet.
Disa politikanë perëndimorë padyshim që kanë dashur të kishte konflikt. Në Shtetet e Bashkuara, skenarët e sulmit të paraqitura nga Anthony Blinken në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishin vetëm produkt i imagjinatës së një Ekipi Tigri që punonte për të – ai bëri pikërisht atë që bëri Donald Rumsfeld në 2002, i cili "anashkaloi" CIA-n dhe shërbimet e tjera të inteligjencës që ishin shumë më pak të sigurta në lidhje me armët kimike të Irakut.
Zhvillimet dramatike që po shohim sot kanë shkaqe për të cilat ne i dinim, por refuzuam t'i shihnim:
- në planin strategjik, zgjerimi i NATO-s (të cilin nuk e kemi trajtuar këtu);
- në planin politik, refuzimi i Perëndimit për të zbatuar Marrëveshjet e Minskut;
- dhe operacionalisht, sulmet e vazhdueshme dhe të përsëritura ndaj popullsisë civile të Donbass gjatë viteve të fundit dhe rritja dramatike e tyre në fund të shkurtit 2022.
Me fjalë të tjera, natyrshëm mund të dënojmë dhe dënojmë sulmin rus. Por NE (domethënë: Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Bashkimi Evropian në krye) kemi krijuar kushtet që të shpërthejë një konflikt. Ne tregojmë dhembshuri për popullin ukrainas dhe dy milionë refugjatët. Kjo është mirë. Por nëse do të kishim pasur pak dhembshuri për të njëjtin numër refugjatësh nga popullsitë ukrainase të Donbasit të masakruar nga qeveria e tyre dhe që kërkuan strehim në Rusi për tetë vjet, asgjë nga këto me siguri nuk do të kishte ndodhur.
Nëse termi "gjenocid" aplikohet edhe ndaj abuzimeve që ka pësuar populli i Donbasit, kjo mbetet një pyetje e hapur. Termi në përgjithësi bën fjalë për raste me përmasa më të mëdha (Holokaust, etj). Por përkufizimi i dhënë nga Konventa e Gjenocidit është ndoshta mjaft i gjërë për t'u zbatuar në këtë rast.
Është e qartë se ky konflikt na ka çuar në histeri. Sanksionet duket se janë bërë mjeti i preferuar i politikave tona të jashtme. Nëse do të kishim insistuar që Ukraina t'i përmbahej Marrëveshjeve të Minskut, të cilat ne i kishim negociuar dhe miratuar, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur. Dënimi i Vladimir Putin ka ardhur gjithashtu nga ne. Nuk ka kuptim të ankohemi më pas - duhet të kishim vepruar më herët. Megjithatë, as Emmanuel Macron (si garantues dhe anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së), as Olaf Scholz, as Volodymyr Zelensky nuk i kanë respektuar angazhimet e tyre. Në fund të fundit, humbja e vërtetë është ajo e atyre që nuk kanë zë në kapitull.
Bashkimi Evropian nuk ishte në gjendje të nxiste zbatimin e marrëveshjeve të Minskut - përkundrazi, ai nuk reagoi kur Ukraina po bombardonte popullsinë e saj në Donbass. Po ta kishte bërë, atëhere Vladimir Putin nuk do kishte nevojë të reagonte ushtarakisht. Në mungesë të fazës diplomatike, BE-ja u dallua si nxitëse e konfliktit. Më 27 shkurt, qeveria ukrainase ra dakord të hyjë në negociata me Rusinë. Por pak orë më vonë, Bashkimi Evropian votoi një buxhet prej 450 milionë eurosh për të furnizuar Ukrainën me armë, duke i hedhur benzinë zjarrit. Që atëherë, ukrainasit mendonin se nuk kishin nevojë të arrinin një marrëveshje. Rezistenca e milicëve të Batalionit Azov në Mariupol madje çoi në një rritje prej 500 milionë eurosh të furnizimit me armë.
Në Ukrainë, me bekimin e vendeve perëndimore, ata që janë në favor të një marëveshje u eliminuan. Ky është rasti i Denis Kireyev, një prej negociatorëve ukrainas, i cili u vra më 5 mars nga shërbimi sekret ukrainas (SBU) sepse ishte në favor të marreveshjes me Rusinë dhe u konsiderua tradhtar. Të njëjtin fat pati edhe Dmitry Demyanenko, ish-zëvendësdrejtor i drejtorisë kryesore të SBU për Kievin, i cili u vra më 10 mars sepse ishte për një marrëveshje me Rusinë - ai u qëllua nga milicia Myrotvorets ("Paqebërësi"). Kjo milici është e lidhur me faqen e internetit Myrotvorets, e cila publikon dhe përditëson listën e "armiqve të Ukrainës", me të dhënat e tyre personale, adresat dhe numrat e telefonit, në mënyrë që ata të mund të linçohen apo edhe të eliminohen; një praktikë që është e dënueshme në shumë vende, por jo në Ukrainë. OKB-ja dhe disa vende evropiane kanë kërkuar mbylljen e kësaj faqeje — por kjo kërkesë u refuzua nga Rada [parlamenti Ukrainas].
Në fund, çmimi do të jetë i lartë, por Vladimir Putin ka të ngjarë të arrijë qëllimet që i ka vendosur vetes. E kemi shtyrë në krahët e Kinës. Lidhjet e tij me Pekinin janë forcuar. Kina po shfaqet si ndërmjetëse në konflikt. Amerikanët duhet t'i kërkojnë Venezuelës dhe Iranit naftë për të dalë nga ngërçi energjetik në të cilin u futën me këmbët e tyre nga vendimet që morrën vetë - dhe Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen me keqardhje ndaj sanksioneve të vendosura ndaj armiqve të saj.
Ministrat perëndimorë që kërkojnë të rrënojnë ekonominë ruse dhe të bëjnë popullin rus të vuajë, ose ata që bëjnë thirrje për vrasjen e Putinit, tregojnë (edhe nëse e kanë ndryshuar pjesërisht formën e fjalëve të tyre, por jo thelbin!) se liderët tanë nuk janë më të mirë se ata që ne urrejmë – sanksionimi i atletëve rusë në Lojërat Paraolimpike apo artistëve rusë nuk ka të bëjë fare me luftën kundër Putinit.
Çfarë e bën konfliktin në Ukrainë më me faj sesa luftërat tona në Irak, Afganistan apo Libi? Çfarë sanksionesh kemi miratuar ndaj atyre që qëllimisht gënjyen komunitetin ndërkombëtar për të zhvilluar luftëra të padrejta, të pajustifikuara dhe vrastare? A kemi miratuar ne një sanksion të vetëm kundër vendeve, kompanive apo politikanëve që furnizojnë me armë konfliktin në Jemen, i konsideruar si "katastrofa më e keqe humanitare në botë"?
Të bësh pyetje do të thotë edhe t'i përgjigjesh atyre... por përgjigja nuk është e bukur.
Rreth autorit
Jacques Baud është një ish-kolonel i Shtabit të Përgjithshëm, ish-anëtar i inteligjencës strategjike Zvicerane dhe specialist inteligjence për vendet lindore. Ai është stërvitur nga shërbimet e inteligjencës Amerikane dhe Britanike. Ka shërbyer si Shef i Politikave për Operacionet e Paqes të Kombeve të Bashkuara dhe si ekspert i OKB-së për sundimin e ligjit dhe për institucionet e sigurisë, ai projektoi dhe drejtoi njësinë e parë shumëdimensionale të inteligjencës së OKB-së në Sudan. Ai ka punuar për Unionin Afrikan dhe ka qenë për 5 vjet përgjegjës për luftën në NATO, kundër tregëtisë së armëve të lehta. Ka marrë pjesë dhe ka qenë i përfshirë në diskutime me zyrtarët më të lartë ushtarakë dhe të inteligjencës ruse menjëherë pas rënies së BRSS. Brenda NATO-s, ai ka ndjekur krizën ukrainase të vitit 2014 dhe më vonë ka marrë pjesë në programet e ndryshme për të ndihmuar Ukrainën. Është autor i disa librave mbi inteligjencën, luftën dhe terrorizmin, në veçanti "Le Détournement" botuar nga SIGEST, "Gouverner par les fake news", "L'affaire Navalny". Libri i tij i fundit është "Poutine, maître du jeu?" botuar nga Max Milo.
- - -
Përgatitur nga John Vasili