Vrulli i ndërtimeve në kryeqytet dhe kredia për këtë sektor në Tiranë po shkojnë në drejtime të kundërta.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i huasë në sektorin e ndërtimit për bizneset private në kryeqytet ka ardhur në rënie në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit.
Banka e Shqipërisë raporton në bazë tremujore ecurinë e kreditimit sipas rretheve dhe sektorëve.
Për ndërtimit, stoku i huasë që i është dhënë bizneseve që veprojnë në kryqytet ishte 38 miliardë lekë në fund të tremujorit të dytë, duke përbërë 86% të kredisë për bizneset private në këtë sektor për gjithë Shqipërinë.
Në raport me fundin e 2017-s, huaja për ndërtimin për bizneset e kryeqytetit ka rënë me 4.1%. Me bazë vjetore (TII 2018/TII 2017), rënia është 2.3% (efekt ka pasur edhe kursi i këmbimit, teksa rënia e euros ka ndikuar në ecurinë e kredisë, që raportohet në lekë).
Në të kundër, lejet e ndërtimit kanë vijuar të rriten me vrull në gjithë vendin, sidomos në kryeqytet. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se në 6-mujorin e parë të vitit, numri i lejeve të dhëna për ndërtim arriti në 498 me një rritje prej 65% në krahasim me 6-mujorin e vitit të kaluar.
Rritja më e madhe shihet të jetë në Bashkinë e Tiranës, ku u dhanë gjithsej 164 leje në 6-mujorin e parë, me një rritje 61% në raport me vitin e kaluar. Ato zunë 33% të numrit të përgjithshëm të lejeve të dhëna në të gjithë territorin e vendit.
Krahas Tiranës numri i lejeve të ndërtimit u dyfishua dhe në Durrës (nga 31 në 6 muajt e parë 2017, në 61 në të njëjtën periudhë 2018). Megjithatë, stoku i huasë për sektorin e ndërtimit në Durrës ra me 31% në qershor në krahasim me fundin e 2017-s, duke arritur në gati 1.4 miliardë lekë.
Huaja për ndërtimin shënoi rënie të fortë dhe në Shkodër (-34%) dhe Korçë (40.3), ndër numri i lejeve në 6 mujorin e parë 2018 pothuajse u trefishua në Shkodër dhe u pesëfishua në Korçë.
Rënia e stokut të huasë për ndërtim, në një kohë që prej dy vitesh ky sektor është në lulëzim dhe numri i lejeve po rritet me ritme dyshifrore është një tregues indirekt që sektori bankar po i rri larg ndërtimit, i cili po mobilizon më së shumti kapitalet e veta.
Shtimi i pritshëm i ofertës së ndërtimit, ndërkohë që kërkesa nuk pritet të rritet me të njëjtat ritme, ka sjellë dhe tërheqjet e para të sipërmarrjeve. Në korrik, Balfin, u tërhoq nga ndërtimi i kullës “Doëntoën Albania”, që ka filluar të ngrihet në kryeqytet, tek ish parku i lodrave për fëmijë “7 xhuxhat”. BFI Invest, në pronësi të grupit Balfin ka shitur në fund të korrikut, tek grupi Kastrati, 50% të aksioneve, që ajo zotëronte në kompaninë Doëntoën1. Kjo e dundit ishte krijuar në maj të vitit 2016, me aktivitet në “Investimin me qëllim zhvillimin, ndërtimin, administrimin dhe shitjen e një godine multifunksionale banimi dhe shërbimesh si një Projekt i Shoqërisë me vendndodhje tek: Blv. Bajram Curri në krah të European Trade Center (ETC), Tiranë”.
Flluska e qiellgërvishtësve?!
Sipërmarrësit po rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës, duke rrezikuar krijimin e një mbioferte në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare.
Për dy kullat e para, lejet janë dhënë tashmë. Vitin e kaluar Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë leje zhvillimi për objektin: “Godinë Polifunksionale DTA (DoënToën Albania)”, me vendndodhje në bulevardin “Bajram Curri”, me zhvillues “DT1” sh.p.k. Godina ka filluar të ndërtohet dhe do të ketë parkim, hapësira tregtare e zyrash dhe objekte banimi. Një tjetër leje zhvillimi është dhënë për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International, me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me zhvillues shoqërinë “Geci” sh.p.k.
Plani i ri rregullues i kryeqytetit përcakton vetëm dendësinë, dhe nuk specifikon sa dhe ku do të ngrihen kullat në Tiranë, por ato pritet të zhvillohen përgjatë viteve. Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen rreth të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.
Edhe projekti i ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar planifikon ndërtimin e disa kullave në zonën pas Teatrit.
Në një vend që ka të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë (29% e mesatares së BE, sipas Eurostat), ndërtimi i qiellgërvishtësve pritet të krijojë një superofertë. Apartamentet në kulla pritet të tregtohen minimumi nga 2000 euro për metër katror, ndërsa për ambiente tregtare edhe me 10 mijë euro/m2. Kjo, në një kryeqytet, që edhe sot renditet i pesti më i shtrenjtë në Europë, nga fuqia blerëse, sipas Numbeo.
Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën.
“Oferta e re në planifikim e sipër është shumë e lartë dhe vështirë për t’u thithur nga tregu. Duhet theksuar se Tirana aktualisht mbetet një nga tregjet ku stoku i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë”, ka pohuar më herët për Monitor, Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers International.
Edhe Hajredin Fratari, ndërtues, është i mendimit se Tirana nuk ka fuqi blerëse për apartamente të shtrenjta. “Ka ende pallate shumë të mira që janë gjysmë bosh”, pohon ai. Ai paralajmëron se nga fryrja e ndërtimeve, zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mund të bien në gropë, pasi do të krijojë një superofertë.
Frika nga krijimi i një flluske në pasuritë e paliajtshme duket se po sjell dhe tërheqjet e para të investitorëve nga projektet e qiellgërvishtësve.
/Monitor