MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Moikom Zeqo: Ministria e Kulturës nuk e ka idenë se çfarë është arkeologjia, “Veliera” një nga skandalet më të mëdha - Thesari

E Premte 17 Shkurt, 2017
Moikom Zeqo: Ministria e Kulturës nuk e ka idenë se çfarë është arkeologjia, “Veliera” një nga skandalet më të mëdha

moikom-zeqo

Në 25 vjet, në Durrës është bërë një krim në arkeologji. Kështu shprehet arkeologu i njohur Moikom Zeqo, i cili pohon se gjithçka po ndodh përpara institucioneve, që mjerisht po lejojnë që skandalet të vijojnë. Në intervistën e tij, arkeologu Moikom Zeqo, një nga zërat që kundërshton projektin “Veliera” në qytetin e Durrësit, bën përgjegjëse Ministrinë e Kulturës dhe institucionet e tjera që kanë për detyrë të mbrojnë trashëgiminë kulturore. Projekti “Veliera”, është një skandal në arkeologji sipas arkeologut Moikom Zeqo, i cili sjell dhe shembuj të tjerë të shkatërrimit të pasurisë arkeologjike ndër vite. Arkeologu pohon se projekti “Veliera” duhet të pezullohet, duke shtuar se buxheti për këtë projekt duhej të shërbente për emergjenca të tjera në qytetin bregdetar. Gjatë kësaj kohe, projekti “Veliera” ka marrë shumë vëmendje nga qytetarët, shoqëria civile, por sipas arkeologut kur flasim për Ministrinë e Kulturës, ajo nuk njeh arkeologjinë. Më tej ai shton se ka propozuar të ketë një moratorium, që të mos bëhet asnjë ndërtim i ri në Durrës për 10 apo 20 vjet. Sipas arkeologut, të vijë një gjeneratë tjetër më e mençur, më shkencore dhe të ruajë pasurinë arkeologjike të Durrësit.

- Vazhdojnë reagimet për projektin “Veliera” në Durrës. Punimet pranë Torrës Veneciane konsiderohen të paligjshme. Në gjykimin tuaj, çfarë po ndodh realisht në qytetin e Durrësit?

Në Durrës bëhet fjalë për një krim. Një krim për fat të keq dhe shtetëror. Duket e rëndë kjo fjalë, por e them me përgjegjësi sepse ka të bëjë me shkeljen e ligjeve të shtetit shqiptar, dhe sidomos me ligjin që e konsideron nëntokën e Durrësit si pasuri arkeologjike jo vetëm të nivelit kombëtar por dhe ndërkombëtar, sepse ka të gërshetuara dhe kultura të ndryshme mesdhetare. Ndërhyhet në zonën A të Durrësit. Po të shikoni fotografitë janë të qarta që, pranë kullës Veneciane të shekullit të 14 në rrëzë të saj duken mjetet e mëdha gërmuese. Nuk mund ta kuptoj se si mund të konceptohet qoftë nga Bashkia e Durrësit apo qeveria një projekt zbukurimi me një titull ekstravagant “Veliera”, për të bërë një objekt në beton, pa asnjë kuptim që prish unitetin historik të vetë mjedisit, ku bëhen gërmime pa kriter me mjete jo arkeologjike. Mjetet arkeologjike janë shumë më të rëndësishme, ku arkeologjia përdor dhe furçën jo me mjete të mëdha gërmuese siç ka ndodhur në qytetin e Durrësit. Ky është një turp i paparë. Më vjen keq që protesta nga arkeologët duhet të ishte tamam e nivelit të lartë, sidomos e atyre në Durrës. Unë jam arkeolog i Durrësit dhe kam punuar për shumë vite në Muzeun Arkeologjik të qytetit. Duan apo nuk duan ata që kundërshtojnë qëndrimin tim, e konsideroj këtë një shkatërrim dhe katastrofë të arkeologjisë në Durrës. Nuk ndërhyhet në këtë mënyrë. Ato 6 milionë euro, që kanë konceptuar për zbukurim për të bërë kitsch art dhe nuk janë vepra artistike që mendon qeveria, duhet të përdoreshin për diçka që është më emergjente.

- Për ju kush janë më emergjentet në qytetin e Durrësit?

Janë kanalet e qytetit të Durrësit, që janë për faqe të zezë! Kur bien shirat përmbytet Durrësi në mënyrë të pabesueshme. Në vend që të merren me gjëra që janë jetike, merren me zbukurime, me vepra të pabesueshme që prishin unitetin. Po e them me bindje të plotë si arkeolog, që nuk ekziston në Ballkan një mjedis historik që të ketë muret bizantine të shekullit të gjashtë të ndërtuara nga Anastasi, perandor i bizantit me origjinë nga qyteti i Durrësit, dhe struktura më pas nga Justiniani perandor ilir i Bizantit, si dhe kulla Veneciane e shekullit të 14. Përballë këtij kompleksi të pashembullt nga pikëpamja arkeologjike të vendosen struktura betoni të quajtura Veliera ose forma të tjera të kitsch art. Kjo e prish unitetin e vetë atij aspekti arkeologjik, që ka qyteti i Durrësit. Mos harrojmë që në Durrës për 25 vjet është bërë një krim ndaj arkeologjisë në mënyrë të pariparueshme. Përmend faktin që u zbulua Porta e Artë e rrugës Egnatia, që ishin tre struktura portash. Ishte një kryemonument, por me gjithë protestën që kemi bërë me shkrime e kanë mbuluar me beton. Por dhe një lagje e tërë e Durrësit antik te ish-Lulishtja 1 Maji, që është një ngjarje e madhe për arkeologjinë botërore, sepse është e ngjashme me lagjet antike të Popmeut në Itali dhe do të ishte motiv atraktiv për tërë turistët e botës, në mënyrën më të çuditshme dhe me firmat e arkeologëve u mbulua me beton. Kujtoj që në vitet ’80, kur punoja në arkeologji, ne zbuluam në qendër të qytetit atë që quhet Rrotonda, sheshin rrethor me kolonada. Në atë kohë një ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Punës donte të ndërtonte pallate të reja në këtë hapësirë. Por ne rezistuam, kemi bërë shkrime dhe arritëm që ta ruajmë atë monument. Pati më tepër logjikë mirëkuptimi. Dhe sot Rrotonda mund të vizitohet nga çdokush. Si ka mundësi që ne i prishim këto vlera arkeologjike për hir të marrëzive të betonizimit të Durrësit. Asnjë justifikim, as nga pushtetarët; kjo nuk ka të bëjë me politikën, por ka të bëjë thjesht me vetëdijen tonë. A kemi vetëdije ne si qytetarë për këtë pasuri të madhe, që ka në themelet e Durrësit? Durrësi ka një hapësirë relativisht të kufizuar të trojeve të veta. Sot, përveç monumenteve që janë muret e tij bizantine, veneciane, muret që janë të kohës së Karl Topisë, muret turke se dhe ato hyjnë në pasurinë arkeologjike dhe amfiteatrit, ne nuk kemi monumente të tjera në Durrës, sepse i kemi shkatërruar këto 25 vjet. Bëj një apel, që shkelja e ligjeve duhet t’i penalizojë njerëzit. Në ligjin e trashëgimisë thuhet qartë që nuk mund të bëhet në zonën A asnjë lloj gërmimi arkeologjik. Se kuptoj që kolegët e mi në Institutin Arkeologjik, Akademia e Shkencave, që dhe kryetarin e saj ka ish drejtorin e IA miku dhe kolegu im Korkuti, ose arkeologë të tjerë të mos protestojnë dhe ta marrin këtë çështje formale, që u bë gërmim dolën monumente dhe ne po pezullojmë punimet. Po kush ta jep këtë të drejtë? Lexova që janë thjesht konaket e princ Vidit, që ato janë konake të shekullit 19 dhe ato pasuri arkitektonike, por nuk është ky problemi.  

- Ju keni propozuar një moratorium që të mos bëhet asnjë ndërtim i ri në Durrës për 10 apo 20 vjet?

Unë kam propozuar një gjë të rëndësishme, të ketë një moratorium që të mos bëhet asnjë ndërtim i ri në Durrës për 10 apo 20 vjet. Të vijë një gjeneratë tjetër më e mençur, jo kjo gjeneratë e kontaminuar nga idiotësitë, deliret për projekte pa asnjë kuptim të qytetit të Durrësit. Të jetë një gjeneratë më shkencore dhe të ruajë pasurinë arkeologjike të Durrësit.

- Cila mund të jetë alternativa, si mund të ruhet ajo zonë?

Për mendimin tim, një alternativë serioze do të ishte anulimi i projektit. Këto 6 milionë euro qeveria, ju pohova më parë, t’i përdorë për kanalet e Durrësit, ose t’i japë për elementë të tjerë, si për restaurimin e amfiteatrit apo monumenteve të tjera.

- Në Komisionin e Medias u prezantua projekti nga ministrja e Kulturës, duke hedhur poshtë atë çfarë është thënë deri tani për dëmtimet që sjell “Veliera”?

Ministria e Kulturës me të cilën unë jam vënë në kontradiktë në mënyrë parimore, nuk e ka idenë se çfarë është arkeologjia. Aty nuk ka asnjë specialist të arkeologjisë. Së dyti, në Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik nuk ka asnjë arkeolog, duke përfshirë dhe drejtoreshën. Nuk mundet njerëz që nuk njohin arkeologjinë të bëjnë projekte për të ruajtur, pasi këto janë projekte për të shkatërruar. Çështja e Durrësit është një nga skandalet më të mëdha arkeologjike, skandal i nivelit ndërkombëtar. Durrësi është qyteti më i vjetër i tërë bregut lindor të Adriatikut, nga më të vjetrit e botës. Në shekullin e shtatë para Krishtit është themeluar si qytet. Kush të jep të drejtën ty të punosh në mënyrë diletante për të bërë gërmime, ndërtime pa kuptim?!

Intervistoi: Julia Vrapi

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?