Një orë e më shumë dy balerinë-aktorë na mbajtën me një frymë në sallën “Blackbox” të Universitetit të Artit, në një histori dashurie që është njëmend e tyrja, por po aq edhe e jona: imja, jotja, e të gjithëve. Veç dy trupa të ngërthyer a të ndarë janë aty, dhe pak muzikë që bashkëshoqëron situatën ku ata derdhen e shprehen fizikisht, herë në një mbërthim pasional ndjenjash e trupash nën erosin provokues e herë në një konflikt e refuzim reciprok, më tutje në boshin gërryes të pendesës apo në oazin e lakmuar të paqes, pranimit. Balerina e parë quhet Katharina Maschenka Horn nga Gjermania, i dyti quhet Labinot Rexhepi nga Kosova. Është një bashkëpunim, i konceptuar në tipologjinë “Extreme Makeover – Kulture Klash” të serialit televiziv amerikan. Koreografia është e Gjergj Prevazit nga Shqipëria. Dy veta, dhe i treti i fshehur, pas perdes (koreografi), por syri mbushet, zemra mbushet dhe, bashkë me të, edhe skena të duket e mbushur. Po pse? Fare thjesht: sepse ka ART. Kjo shfaqje e vërteta e kumtuar prej estetikës se edhe një artist i vetëm mund ta zotërojë krejt spektatorin e vet, ca më shumë dy të talentuar, siç qenë Katharina dhe Labinoti, u bë tek unë e para dhe e fundit ide që nxiti këtë shkrim. Dy veta qenë vërtet, një djalë e një vajzë, por në skenë u shpalos gjithë një epos dashurie, ku njeriu sheh e risheh vetveten në valëzimet që jeta na jep në çift, herë si frullimë plot ledhatime e herë si dallgë që na përplas shkëmbinjve e na plagos keq, herë si flutur poetike mes lulesh e blerimit e herë si hedhurinë mbetur baltës e kënetës. Hieroglifi i jetës është pikërisht kjo lakadredhje e çuditshme lart-poshtë, majtas-djathtas. Këta dy valltarë, teksa i shihja plot ëndje, më shtynë në mendime: duhemi dhe urrehemi, shkrihemi me shoqi-shoqin dhe tjetërsohemi, kemi mall sa dhe dhunë – ah kjo formulë, që askurrë, askund dhe askush s’i dha dot dum (zgjidhje!). Sepse raporti dashuror është ai më sakrali, sa dhe më mistiku: i pashpjegueshëm me formula, por tejet i kuptueshëm, sepse është sa gjithënjerëzor aq dhe, sidomos, personal. Këto ide qenë aty, mes trupave të dy balerinëve dhe mendjes invetive të Prevazit. Ca më fort e vërteta e shfaqjes fiton hapësirën e vet universale, kur djali dhe vajza apo burri dhe gruaja nuk janë të një kombi, të një race, të një kulture, të një tradite a zakoni, përkundrazi, të ndryshëm: e para gjermane, i dyti shqiptar; e para perëndimore, i dyti lindor; e para e hapësirës së madhe, i dyti i hapësirës së vogël; e para me një formim e sjellje më të qytetëruar, më pranuese dhe më të butë, i dyti me një formim dhe sjellje paksa më të prapambetur, ballkanas, jo aq pranues, i vrazhdët, por gjithsesi i mirë e me karakter. Këto çka po them, janë ide të lindura nga ngacmimi që mora prej koreografisë së Gjergj Prevazit, fantazisë së tij, asaj elegance dhe sqime që dukej kryekreje në çdo lëvizje trupash, veçmas dhe të dy së toku, mbërthyer apo duke shtyrë njëri-tjetrin, në ekstazën profane të trupit apo në ritualin përditësor të jetës bashkëshortore. Koreografi sikur ka sintetizuar krejt çka ngjet më së shpeshti në një çift në krizë. Pikërisht fuqia e sintezës i ka falur kësaj shfaqjeje hijeroren filozofike. Po, është shumë e drejtë ta quajmë idenë e koreografit pikërisht “filozofike”. Kodet janë tejet të deshifrueshme, simbolika e gjestit, e shprehjes, e marrëdhënies trupore reciproke është e rrokshme. Sepse gjuha koreografike e Prevazit ka një ekspresivitet të dallueshëm. Pas një mizanskene që, ndofta, sjell në kujtesat tona nevojën për komunikim, afrimin trupor mashkull-femër si simbolika dyfytyrëshe e qenies dhe bashkëjetesës, ja ku na vjen episodi erotik, një dashuri e pastër, e bukur, mbushur poezi, ledhatim, sensualitet, respekt reciprok. Dashuria kështu fillon, një “Kanti Kantikum”, mbuluar nga purpuri sakral e mistik i joshjes dhe bashkimit, i kënaqësisë dhe vetëdorëzimit. Por dashuria ka edhe rrezikun e konsumimit dhe për ta “shpëtuar” atë, i ngrati njeri e tejkalon cakun e të hirshmes, e poetikes, e transhedentales dhe jo rrallë fut në gjakun e saj pjesën perverse, tokësore, kafshërore, ulërimën e instinktit, libidiumin dominant, të cilat, megjithatë, mbeten nga elementët bazikë të kënaqësisë dhe intimitetit. Shumë bukur mendimi i koreografit shfrytëzon simbolikën e mollës – molla biblike e mëkatit – dhe të dy balerinët bëjnë veprime trupore tejet sensuale duke kafshuar secili mollën. Pra, le ta dekodojmë mollën si “mëkati i ëmbël” ose pjesa e ndotë e raportit seksual, gjer ku dhe gjer sa ajo e ndihmon çiftin të tejkalojë krizën e vetëkonsumimit, duke e shfytyruar keqas sekuencën romantike e poetike që vjen prej një puthjeje, prej një përkëdheljeje. Ajo s’e arrin dot këtë synim, ndoshta bëhet, madje, një shkak për tjetërsimin në çift dhe refuzimin. Episodi i gjithi është i ndërtuar si një kacavarje trup më trup, plot larushi lëvizjesh e pozicionesh, dhe ngaherë i shoqëruar me kafshimin e mollës dhe përtypjen e saj (si kafshët në hangar, gati sa s’thashë!). Madje edhe kur puthen, ata duket sikur kafshojnë njëri-tjetrin, sepse puthjet janë të “thella”, gojë më gojë, gati si për të zotëruar a dhunuar njëri-tjetrin e jo për ta ledhatuar. Vjen një çast i dytë, i një tjetër stili dhe paradigme koreografike: përplasja e mentaliteteve, e kulturave dhe e qëndrimeve midis femrës dhe mashkullit. Tani operohet me parodinë, ironinë dhe talljen. Labinoti si valltar, i ulur në një karrige, tymos njëherësh me dy cigare në qejf të vet, pi alkool në qejf të vet, pa pyetur fare për gruan, ndërsa gruaja kërcen rreth tij një motiv karakteristik lindor ballkanik, duke larguar e bezdisur tymin e duhanit. Ka një nuancë qesharake edhe vallëzimi i saj, fytyra, gjesti, lëvizja e duarve, mënyra e të përshtaturit. Lindje-Perëndim, dy kultura që përplasen dhe nuk harmonizohen dot. Por edhe dy sjellje: mashkulli dembel dhe i ahengut, një “pasha” në shtëpi, ndërsa femra e bezdisur nga tepria e burrit, e cila vuan pakujdesinë dhe kapadaillëkun e tjetrit. Pikërisht në këtë çast dashuria është kthyer në rit, flukset e saj emocionale kanë reshtur. Shenja koreografike nënkuptohet, është bukur mirë e lexueshme. Dhe vjen çasti i tretë, ai dramatiku, çasti i të vërtetës. Zënka, kundërshtimi në dashuri rëndom lidhet me pozitën e primatit në çift, gjithashtu me atë të zotërimit: kush komandon, burri apo gruaja? Skena na jepet në një format mirëfilli njerëzor, në dukje e thjeshtë, por aspak spekulative. Një zgjidhje shumë e bukur, ku njerëzorja ka triumfuar mbi skemat. Kjo edhe falë interpretimit plot ndjenjë të të dyve, Katharinës gjermane dhe Labinotit shqiptar. Dhe dashuria rishtazi ka triumfuar, paçka se u vu në buzë të greminës. Kur dy njerëz duhen, gjithçka tejkalohet. Le të duhemi, le mos ta vrasim dashurinë!
E Hënë 25 Nëntor, 2013
"Extreme Makeover" nga Gjergj Prevazi