Kontrolli i Lartë i Shtetit jep sërish alarmimin për pushtimin e territoreve të Spitalit Ushtarak nga Spitali Amerikan, bën thirrje për hetime, prokuroria hesht, ministra dhe drejtorët përkatës janë shitur. Spitali Amerikan ka zaptuar me forcë dhe korrupsion ambientet, ka bërë ndërtime pa leje, duke i përdorur për interesa private, refuzon të paguajë qiranë.
Spitali Amerikan vijon të bëjë kërdinë me pronat dhe objektet publike, me lejen e ministrave dhe të drejtorëve të Edi Ramës, duke sfiduar hapur prokurorinë, shtetin ligjor, konkurrencën e lirë dhe përdhosur djersën e shqiptarëve. Spitali Amerikan, tashmë i njohur botërisht si një bandë grabitëse, ka zaptuar territoret e Spitalit Ushtarak, duke bërë edhe ndërtime të paligjshme, për t’i përdorur për interesa private. Ky subjekt privat, i regjistruar me emrin American Hospital, ka rrëmbyer ambientet e Spitalit Ushtarak, jashtë perimetrit të parashikuar në kontratë, duke refuzuar që të paguajë qira.
Pushtimi i territoreve të Spitalit Ushtarak nga Spitali Amerikan ka që gjatë qeverisjes së Sali Berishës, por skandali qëndron në faktin se, grabitja e pronës publike vijon prej pesë vitesh edhe gjatë qeverisjes së Edi Ramës, me lejen e ministrave dhe të drejtorëve të tij, të cilët duket se janë korruptuar nga Spitali Amerikan. Skandali qëndron në faktin se edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë disa raporte për pushtimin e pronës publike nga Spitali Amerikan, prokuroria nuk ka lëshuar asnjë urdhër-arrest, për përgjegjësit e këtij skandali të rëndë që vijon edhe sot e kësaj ditë të konsumohet.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë një raport të fundit për këtë skandal që vijon prej vitesh nën hundën e prokurorisë. KLSH ka konstatuar se "Midis Spitalit Ushtarak dhe subjektit "A. H" sh.a. (Spitali Amerikan) është lidhur kontrata e qirasë dt. 30.08.2013 për përdorimin sipas nenit nr. 1, "objekti i kontratës" për sipërfaqen 496 m2. Ky subjekt për periudhën objekt auditimi (01.10.2015 deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj) i detyrohet SUT qira e papaguar për sipërfaqen e përdorur, okupuar prej 1200 m2 (1696 m2–496 m 2 = 1200 m2) referuar kontratës së datës 28.08.2013 e cila rezulton si më poshtë. Periudha 01.10.2015 deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj. Sipërfaqja e okupuar, përdorur 1200 m2 x 300 lekë/m2 në muaj = 360,000 lekë x 30 muaj = 10,800,000 lekë".
Skandali nuk mbaron këtu. Në pronat që ka pushtuar, Spitali Amerikan ka bërë edhe ndërtime të paligjshme. KLSH konstaton: "Ky subjekt përdor dhe një sipërfaqe prej 222.3 m2, të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të spitalit, për të cilin institucioni nuk ka dokumentacion, si leja ndërtimore apo kontratë, po kështu ka ndërtuar dhe një urë lidhëse ndërmjet godinës së tij dhe spitalit, me sipërfaqe 45 m2, ku edhe për të nuk ka dokumente në SUT. Konstatimi ynë bazohet në kartelën e pasurisë bashkëlidhur certifikatës së pasurisë së datës 07.04.2015, ku përshkruhen 3 objekte pa leje apo "ndërtime të paligjshme". Nëse do të përllogarisnim dhe përdorimin e sipërfaqes së ndërtuar nga vetë "A. H" sha për periudhën 01.10.2015 deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj për sipërfaqen e përdorur 267.3 m2 x 300 lekë/m2 në muaj = 80,190 lekë x 30 muaj = 2,405,700 lekë të ardhura të munguara për periudhën objekt auditimi".
Grabitja nuk përfundon këtu. Sipas KLSH, për periudhën 01 dhjetor 2017 deri 31 mars 2018 Spitali Amerikan ka përdorur sipërfaqe të ndërtuara mbi ambientet ekzistuese të spitalit, si platforma në nivelin e katit të parë me konstruksion çeliku në një sipërfaqe 160 m2 dhe 42 m2. "Nëse do të përllogarisnim përdorimin e sipërfaqes së ndërtuar nga vetë "A. H" sha për periudhën e mësipërme prej 4 muaj për sipërfaqen e përdorur 202 m2 x 300 lekë/m2 në muaj = 60,600 lekë 4 muaj = 242,400 lekë të ardhura të munguara".
Përgjegjës për lejimin e kësaj grabitje të paprecedentë janë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
KLSH ka kërkuar që "të kontabilizohet dhe bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të kërkohet në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera në të gjitha shkallët e gjykimit, shpërblimi i dëmit ekonomik nga subjekti "A.H" sh.a. në vlerën 10,800,000 lekë pasi ka okupuar ambientet sipërfaqe nën objekt, brenda godinës së SUT në një sipërfaqe prej 1200 m2, sipërfaqe tepër referuar kontratës së qirasë së datës 28.08.2013, të lidhur me ish Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes".
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar që "Spitali Ushtarak të marri masa, të analizojë, shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë për lejimin e ndërtimeve pa leje ndërtimore dhe mos arkëtimin e të ardhurave të munguara për periudhën objekt auditimi në vlerën 2,405,700 lekë. SUT, të marrin masa, të analizojë, shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë për lejimin e ndërtimeve pa leje ndërtimore dhe mos arkëtimin e të ardhurave të munguara për periudhën objekt auditimi në vlerën 242,400 lekë. Për të gjitha shkeljet e konstatuara, me qëllim thellimin e tyre dhe gjetjet e tjera nga auditimi lënë në Raportin Përfundimtar të Auditimit përcillet si Indicie Penale për vlerësim dhe veprime të mëtejshme procedurale, mbasi të trajtohet nga Departamenti Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të Standarteve".