MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Fitorja e Trump - Fundi i sponsorizimit te Rilindjes - Thesari

E Hënë 14 Nëntor, 2016
Fitorja e Trump - Fundi i sponsorizimit te Rilindjes

Soros-Clinton

Prej ditësh shkruhet e flitet shumë për dëmin që Edi Rama i ka shkaktuar kombit shqiptar dhe karrierës së tij me deklaratat ekstreme kundër Donald Tramp, gjatë fushatës elektorale në SHBA. “Turpi i civilizimit” është zgjedhur President i SHBA–ve, ndërsa “turpi” ynë i ka skuqur të gjithë. Kryeministri me gjasë e mendoi banakun e CNN, apo faqet e “New York Times” si takim me fshatarët, të cilët ngarkuar me halle të mëdha mbi shpinë buzëqeshnin nga zori, kur u thoshte se fëmijët i keni bërë nga tre njëherësh, apo veç e veç!

Ndaj u rehatua, u shkreh dhe iu lezetua llafi, të cilin as e mati, as e peshoi, por e lëshoi galmuç, sikur ndodhej mes arave të Myzeqesë me fuqinë e njeriut që të këput litarin. Bëri analiza, nxori konkluzione, la porosi, u vizatoi udhën e drejtë zgjedhësve amerikanë, si një person që njeh qelizë më qelizë krejt dinamikën e demokracisë botërore dhe të vetë civilizimit. Trampin, me guxim prej të marri, e shau, e fyeu, duke gënjyer dhe abuzuar me Kosovën dhe këtë e bëri si Kryeministër i Shqipërisë dhe në emër të shqiptarëve për llogaritë e veta që nuk i dolën.

Pastaj, meqenëse ndodhej, pa ç’pa qortoi pakëz edhe gazetarët e atjeshëm që zgurdullonin sytë prej habisë. U kthye me krahë të lehtë. Çfarë i la mangët asaj ane, e plotësoi tek emisioni i Baton Haxhiut në Kosovë, me një tjetër batare sulmesh ndaj Trampit e të tjera kërcënime për rishikim marrëdhëniesh me Amerikën nëse ai fiton. Ia bënë qejfin qeder e nuk e dëgjuan. I ra bota mbi shpinë. Tani provon makth dhe mbështet ballin mbi jastëk, siç shfaqej së fundi në një fotografi të shkrepur në avion.

Rama është i lexuar, i njeh mirë shtresat e folklorit edhe ndoca letërsi. Shpesh në Parlament ojnat e çapkënllëkut popullor e hedhin në ekstazë tek mbështjell me to kundërshtarët. Kushedi sa i patakt dhe banal, mbase uthull e shafran, i duket kësaj vjeshte proverbi “mendja e madhe, e zeza e të zot!” që i sulmojnë mendimet si sinozit.

Tani, pasi ndien mjerimin e marrëzisë, thërret në ndihmë Konicën e Shekspirin dhe me logjiken e Enver Hoxhës evokon të drejtën e vendit të vogël për të thënë çka mendon, që pranon sfidat e skllav nuk bëhet! Kur e pyeti vendin ai se çfarë mendon për Amerikën, Trampin e zgjedhjet atje? Mendimi i tij haluçinant, nuk është mendimi i Shqipërisë. Ky soj unifikimi është delir diktatorësh. Tani, nga bataku ku ka rënë, nuk e nxjerr dot as Shekspiri, as dreqi e as i biri, as servilët e as bilbilat, që fryjnë melodi për veshët e tij.

Po t’i shkonte tymi fjollë çdokujt që do të guxonte sot t’i kërkonte hesap pse braktis vendin gjatë përmbytjeve për ekspozita personale, pse kanabisi, pse varfëria, pse korrupsioni, pse mujsharia, do t’i thoshte hazërxhevap shkoni e flisni me Donald Lunë, i cili gjithashtu duket pakëz i surprizuar, siç u shpreh vetë. Tramp fitoi duke prishur ëndrra e shkërmoqur plane.

Pas një hezitimi prej disa orësh, shefi i ekzekutivit tonë i la detyrë Ditmir Bushatit ta uronte me “Twitter” Presidentin e sapozgjedhur, ngaqë vetë, hëpërhë, ishte i zënë me vaje. Kushedi sa do të jetë gëzuar Tramp me urimin e Bushatit! Do të ketë thënë me vete “çfarë djali flori!”. I gjendur në udhëkryqin e dëshpërimit diku nga e vona, Kryeministri ia tereziti edhe vetë një justifikim më shumë se urim një tekst, ku binte në sy mungesa e moralit, ankthi, gracka ku ka rënë dhe frika që e rrethon.

Këshilltari politik i Tramp pak orë pas fitores bëri një deklaratë, në të cilën spikasin tri thënie.

1- Roli korruptiv i Sorosit në Shqipëri do të marrë fund.

2- Jemi të informuar që keni drejtues të korruptuar.

3- Me Shqipërinë do të kemi marrëdhënie të afërta.

Qartësia e këshilltarit shkakton mjegull, pezëm dhe preokupim në kampin e Rilindjes si dhe rrëqethje në zyrën me flutura të Edi Ramës. Sorosi është mbështetësi i madh i Edi Ramës. Po drejtuesit kush janë? Kryedrejtuesi është Kryeministri. Mbetet enigmë nëse marrëdhënia e mirë do të vijojë me apo pa drejtuesit e korruptuar.

Në këtë “mort”, Ilir Meta nuk duket i mërzitur. Në bahçen e tij ka rënë shi. Ai e sheh aleatin “armik” në ditë të zezë dhe i hedh kripë mbi plagë pa iu dridhur qerpiku. Në një deklaratë së fundmi la të kuptohej se nuk ishte aspak dakord me qëndrimin e Ramës ndaj Trampit e as me qëndrimin kinse patriotik ndaj Greqisë. Ai pohoi duke nënvizuar rëndësinë e pakrahasueshme që ka aleanca jonë me SHBA-të.

Vendimin për vazhdimin, apo prishjen e koalicionit e bën tërkuzë për ta marrë atë në kushte force, sipas parimit “tu pa e tu ba”. Ai do t’i marrë gjithçka atij qoftë nëse rri, qoftë nëse ikën. Meta e di që me Amerikën nuk bëhet shaka, siç do të thoshte avokat Ngjela. Si zor që të ketë harruar pranverën e verën e këtij viti, ku presioni ndaj tij për Reformën në Drejtësi me inspirim të fortë sorosian nuk ka qenë i vogël sipas këshillës së Kryeministrit “shkoni e pyesni Lu”!

Për kanabisin, ndonëse me vonesë, Meta i nxori Manjanin, i cili jo vetëm e konfirmoi totalisht si problem, por i tha qit ushtrinë se na mori lumi, duke tentuar diferencimin dhe shkarkimin e barrës. Ndërkohë që fiton kohë, Ilir Meta nuk prehet por kalkulon. Në Athinë ua bëri të qartë komshinjve se partneri juaj majtas në Tiranë jam unë. Një përpjekje të tillë do ta bëjë edhe me amerikanët, ndonëse është partner në koalicion me një Kryeministër, që i vuri një njollë të madhe vendit në raport me SHBA-të.

Fitorja e Tramp sigurisht që ndikon në marrëdhëniet Rama-Meta. Madje, ajo do të kushtëzojë qëndrimin e Metës për ta vazhduar koalicionin me Edi Ramën me kushte të pamundura për këtë të fundit, ose duke dalë prej tij në mënyrë që Rama të mos e tërheqë edhe atë vetë në qerren e të padëshiruarve. Sjella e qeverisë së re të SHBA-ve pas janarit pritet ta komplikojë raportin mes dy bashkëkryetarëve.

Një gjë mund të thuhet me siguri! Edi Rama nuk mund të ndikojë më nëpërmjet Sorosit tek Ambasada Amerikane, as kundër opozitës e as kundër Metës. Tani, një gjë kuptohet me lehtësi, Rama nuk mund të përdorë më kartën amerikane si “carta bianca” kundër opozitës, Metës etj. Ai nuk është më “njeriu i tyre”! Nuk është çudi që kënga popullore “në ato maja rripa-rripa, herë ma hipe e herë ta hipa” të sintonizojë me bashkëkohësinë tonë politike.

Parashikimet thonë se ambasadori Lu do t’i kthehet së paku neutralitetit të tij fillestar. Ëndrra e Metës për të rimarrë të majtën, apo për t’ia kallur Ramës në kushte force, nuk duket thjesht ëndërr vere, ajo mund t’u rezistojë stinëve. Qëndrimi i Tramp i bën të dy të rrinë me dorë në zemër. Sido që të ndodhë, nuk mund të thuhet më që këtë koalicion qeverisës po e bekon Amerika.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?