2 maj 2018: Amerikania e Valbones e paditur nga Gener-2 per 200 milion lek. Seance e pare.
Nesër në orën 12:00 në Gjykatën e Tiranës zhvillohet seanca e parë gjyqësore e padisë së kompanisë Gener 2 kundër Catherine Bohne dhe shoqatës TOKA, aktivisteve për mbrojtjen e Valbonës, për dëmtim të imazhit të kompanisë me një dëmshpërblim prej 200 milion lekësh të vjetra të kërkuara nga kompania. Me këtë veprim, ndërtuesit e hidrocentraleve në lumin e Valbonës kërkojnë të trëmbin aktivistet në mbrojtje të kauzës së njohur “Mos ma prek Valbonën”! Kush do te kishte kurajon të vazhdonte aktivizmin përballë një gjobe kaq të lartë?
Procesi që fillon nesër në Gjykatën e Tiranës ka në dorë të vendosi standartin e lirisë së shprehjes në vend: nëse jep një vendim kundra Catherine Bohne, aktivizmi dhe liria për tu shprehur rikthehen me pagesë si në Mesjetën e thellë ku e drejta e votës paguhej shtrenjtë. Në këte mënyrë, nëse dikush do të dojë të bëjë aktivizëm për mbrojtjen e parqeve e lumenjve apo të tjera të drejta, ai do të rrezikonte të gjobitej me 200 milion lekë te vjetra. Por c´do të thotë dëmtim i imazhit? Mos do të thotë vallë se të kesh një opinion të ndryshëm mbi një cështje po prish imazhin e dikujt? Apo të qënit i kritikuar mbi dicka konsiderohet dëmtim imazhi sepse ti je i pakritikueshëm?
Për më tepër, vetë veprimi i Gener 2 dhe qeverisë me hidrocentralet është vetëdëmtues për imazhin e tyre, duke pasur parasysh indinjatën që ka krijuar tek populli rreziku i shkaterrimit të nje bukurie kaq te rrallë në vendin tonë.
Edhe sikur Catherine dhe TOKA të dënoheshin, Gener 2 nuk do të mund ta bindë opinionin publik se kjo ndërhyrje betonizuese në lumin e Valbonës do ndihmonte biodiversitetin e zones.
Edhe sikur Catherine dhe TOKA të dënoheshin, Gener 2 do ta kishte të vështirë të bindë opinionin publik se turistët do të vraponin të shihnin hidrocentralin, atje ku dikur kishte qënë një lumë i mrekullueshëm.
Nëse Catherine dhe TOKA do të dënoheshin, opinioni publik humbet të drejtën për të pasur nje opinion, PUBLIKISHT. A lind e drejta e opinionit publik të hedhë në gjyq Gener 2 për cënim të së drejtës për lirinë e shprehjes? Sa do ishte në këtë rast vlera e dëmshpërblimit?
Në një vend të lirë dhe demokratik, që synon të anëtarësohet në BE, nëse ushtron të drejtën tënde qytetare për tu shprehur lirisht në publik dhe për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi, një kompani private përdor mjete intimiduese dhe censuruese të shprehjes dhe fjalës së lirë me qëllim frenimin e luftës së drejtë për mbrojtjen e lumit Valbonë.
Por cfarë po mbron amerikania që vendosi të jetojë në Shqipëri?
Por sulmi ndaj Catherinës është më shumë se kaq. Catherine ka vendosur të kalojë jetën e saj në Valbonë që prej vitit 2010. Që në fillim, prania e saj në Valbonë i ka dhënë një zhvillim të konsiderueshëm turizmit të qëndrueshëm dhe interesit shkencor të grupeve të ndryshme të studiuesve për biodiversitetin në gjithë zonën e Parkut Kombëtar. Kjo ka ardhur si rezultat i faktit se Catherine me mjete të ndryshme ka promovuar ndërkombëtarisht Parkun e Valbonës si perla e Ballkanit, dhe si një spot të rrallë për bukurinë e saj natyrore të paprekur dhe pasurinë e biodiversitetit. Ajo ka tërhequr vëmëndjen e shumë të interesuarve mbi keto vlera dhe pasuri natyrore, duke sjellë një rritje të zhvillimit turistik dhe kujdesit për natyrën.
Pervec kësaj, pas shenjave të para të rrezikimit të lumit nëpërmjet hidrocentraleve, Catherine ka qënë e para që ka filluar të vërë në dyshim ligjshmërinë e këtyre licencave, ka evidentuar rrezikshmërinë e HPP-ve mbi mjedisin dhe jo vetem, dhe ka mbledhur rreth vetes nje grup banorësh të zonës të cilët për herë të parë në historinë e Tropojës, janë bashkuar rreth të drejtës legjitime për të pasur vendimarrje mbi të ardhmen e komunitetit ku jetojnë, duke krijuar edhe shoqatën TOKA. Duke parë vendosmërinë dhe idealizmin e Catherine dhe këtyre banorëve, një frymë e paprecedent mbështetje ka ardhur nga të gjithë trevat e Shqipërise: janë organizuar një sërë protestash paqësore, peticionesh në nivel ndërkombëtar, koncerte ndërgjegjësuese si dhe shumë dalje publike nëpër media me qëllimin e vetëm mbrojtjen e Valbonës, dhe kurrsesi interes personal dhe dëmtues ndaj kompanise në fjalë. I fundit ishte një aktivitet dy ditor me pjesëmarrjen e ambasadorit amerikan Donald Lu, ambasadorit të Kombeve të Bashkuara Brian Williams dhe kryetari i prezencës i OSBE Bernd Borchardt. Për të gjitha këto që u përmëndën më lart, dhe për meritat dhe kontributin e jashtëzakonshëm që Catherine dhe banorët e Valbonës po japin në të drejtën e tyre për mbrojtjen e natyres në mënyrë të paprecedent në Shqipëri, sulmi i ulët i kësaj kompanie private për t´u mbyllur gojën, ngjan jo vetëm i papranueshëm dhe dinak por krejtësisht anti-shqiptar.
Për më tepër, kërkesa e një demshpërblimi prej 200 milion lekësh të vjetra duket krejtësisht qesharak. Në një vend ku papunësia dhe varfëria janë në përmasa alarmante, një kompani private me xhiro vjetore prej miliona lekësh, ka arrogancën të padisë me shifra marramëndëse banorët e thjeshtë sepse po ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e tyre për të mbrojtur vendin ku kanë zgjedhur të kalojnë jetën. Që banorët t´i paguajnë kompanisë këtë lloj shume, do i duhej te shisnin shtëpitë e tyre e cdo gjë që kanë e të iknin prej aty. Ndoshta në këtë menyrë kompania do realizonte ëndrrën apokaliptike e të pasurit një vend fantazëm e të shkretë ku shfrytëzimi të kishte dorë të lirë.
Vendndodhja: Gjykata e Rrethit Gjyqesore e Tiranes
Data: 2 maj 2018
Ora: 12:00
Kontakt:
069 74 66 915