Mediat në shërbim të kryeministrit Edi Rama, siç ndodh rëndom në Shqipëri, pjesëmarrjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Bushati, në takimin e ministrave të koalicionit global kundër ISIS-it, nuk nguruan aspak ta paraqisnin si një “vizitë zyrtare në SHBA”. Pas kësaj, vazhduan me lajme për takime me senatorë e kongresmenë, ndërkohë që në informacionet e tyre nuk njoftohej për takime a bisedime me ndonjë zyrtar të State Department-it, i cili është institucioni që duhej të merrej me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, nëse vërtetë bëhej fjalë për një vizitë zyrtare.
Sa për senatorë e kongresmenë, në SHBA nuk është ndonjë zahmet për t’i takuar e për të bërë ndonjë foto. Disa nga miqtë e mi shqiptarë i kanë të mbushur muret e zyrave apo shtëpive të tyre me foto të bëra jo vetëm me senatorë e guvernatorë, por dhe me presidentë si Clinton, Bush etj. Madje deri dhe politikanë krejt të parëndësishëm nga Shqipëria vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe kur kthehen u servirin mediav shqiptare foto e video ku duken në prani të senatorëve apo kongresmenëve.
I vetmi rast që i u dha ministrit Bushati pëtr t’i dhënë dorën Rex Tillerson-it ishte aktiviteti për të cilin kishte shkuar në Ëashington, pra takimi i ministrave të jashtëm të koalicionit global kundër ISIS, takim në të cilin merrnin pjesë përfaqsues nga 68 vendet pjesëmarrëse në koalicionin në fjalë. Dhe këtë dhënie dore që ka zgjatur disa sekonda mediat në shërbim të Ramës e paraqitën si “takim Bushati-Tillerson”, duke botuar fotografinë e postuar nga vetë Bushati në twiter.
Normalisht, një takim midis dy personalitetesh zhvillohet në ndonjë zyrë, ku të ulur, në shoqëri dhe të ndonjë ndihmësi të tyre, ata bisedojnë me njëri tjetrin. Por nga foto e postuar prej ministrit shqiptar dukej qartë se “takimi” ishte bërë në sallën ku zhvillohej aktiviteti i mësipërm gjë që dukej dhe nga flamujt e shteteve pjesëmarrëse të cilët dukeshin pas shpinës së sekretarit amerikan të shtetit.
Tillerson nuk mungoi të zhvillonte disa takime gjatë këtij samiti, si me kryeministrin e Irakut, homologun e tij britanik, Boris Johnson e ndonjë tjetër, takime të pasqyruara dhe në ëebsite-in e State Department-it, në kohën që Bushati nuk përmendej gjëkundi.
Nuk dihet kur do t’i vijë fundi praktikave të tilla që e kanë zanafillën që nga vizita e presidentit të dikurshëm, Ramiz Alia, kur një ndalim prej disa sekondash në korridoret e OKB-së me presidentin George H. W. Bush “Zëri i Popullit” e publikoi si takim.