Sot në një ditë të shenjtë, siç është kjo e Bajramit, u konsumua një ngjarje në kufijtë e aktit terrorist ndaj Heroit tonë Kombëtar. Nuk jam në gjendje ta ndaj, a ta quaj se kush, por organizatorët e faljes së Namazit në sheshin “Skënderbej”, mbuluan me perçe të zezë monumentin e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.
Një akt i denjë veç për talebanët e Afganistanit; një akt fyes i mbushur plot për plot me urrejtje; një akt i rrezikshëm për themelet e rendit Kushtetues. Guxim sfidues, guxim barbar; guxim njollosës në jetë të jetëve. Perçembuluesit sfiduan historinë; identitetin; heroin po e po, rreth të cilit ka mbi dy dekada që gjuajnë galmuça me baltë.
Sot hija e tij i bezdiste; kujtimi i tij më shumë; lufta ndaj otomanëve shumë më tepër, ndaj o burra ta mbulojmë. Skënderbeu është i të gjithëve. Pa të nuk do të ekzistonte as kombi e as shteti. Te betejat e tij, Rilindja Kombëtare gjeti brumin për ideologjinë Kombëtare.
Me qenë se Europa e njohu menjëherë për të vetin, e në nder të tij na e dha pavarësinë, e thënë ndryshe: ai qe shtiza ku u var flamuri kombëtar me shkabën e tij.
Pa të sot s’do të kishte shqiptarë; as katolikë, as ortodoksë dhe as myslimanë. Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, jo rastësisht plazmuan jo vetëm letërsinë, por edhe platformën e ringritjes shqiptare me kontributin e Gjergj Kastriotit në mbrojtje të qytetërimit europian me besë e shpresë që kontinenti në ato kohë të vështira do na e kthente atë. Dhe na e ktheu. Shumëkush tani i tjetërsuar e mërzit kjo gjë.
Dumbabizmisi si qelb i ndyrë shpërtheu venave të Shqipërisë. Çuditërisht ai u rishfaq bashkë me lirinë përsëri, edhe më i mbrapshtë në vitin 1991.
Nuk mungoi syshkelja nga shteti i ri demokratik, i cili ishte votëbesuar për thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por dërgatat e para i çoi në Xheda dhe anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike duke kompromentuar natyrën laike të Republikës.
Mjekrat dhe çallmat otomane nuk e mundën dot në 25 vite luftë Gjergjin e Madh. Ndonjë stërnip i tyre që padrejtësisht e thërret veten shqiptar e ka gjetur formën e vet të hakmarrjes.
O të mjerë, Skënderbeu është i të gjithëve. Nuk është vetëm i të krishterëve. Kuptojeni këtë! Po shteti ku është? Hipokrit dhe i nënshtruar duke ua shkelur syrin për një votë më tepër klerikëve, është gati të bëjë koncesione të frikshme.
Pse kryetari i Bashkisë duhet ta japë sheshin “Skëndebej” për rite fetare?! Pse?! Ai është simbol edhe i laicizmit edhe i bashkëjetesës fetare.
Pse Veliaj nuk e pengoi aktin e turpshëm me policët e vet?! Çfarë pret të ndodhë më shumë?! Kur vjen puna për të gjobitur ndonjë grua të varfër që shet qepë turren të gjithë me tërbim, ndërsa kur cenohet krenaria kombëtare as që u bën përshtypje.
Komuniteti Mysliman, sidomos krerët e tij, duhet të kërkojnë falje publike. Ata sot e kanë fyer Shqipërinë. Ata sot kanë kompromentuar ëndrrën europiane, duke zbuluar nëpërmjet një detaji, diçka të frikshme që të trishton për të ardhmen e përbashkët.
Ata që nuk e duan Skënderbeun nuk mund të jenë shqiptarë; nuk mund të aspirojnë Europën e Bashkuar.
Mbase duhet të zgjedhin një tjetër atdhe. Kadare me shqisat e tij të spikatura europianiste e kishte pikasur herët se sulmi ndaj Skënderbeut është sulm ndaj përkatësisë shqiptare dhe ndaj vetë mbërritjes së Europës në Shqipëri.
Perçembuluesit sot arritën një sukses. Nëse shteti nuk reagon, ata do të kenë të tjera suksese dhe shqiptarët si dikur motit në mesjetë, të pambrojtur, do të marrin arratinë. Ata mund t’i mbulojnë gratë e tyre, por jo gratë tona. Ata mund të ndërtojnë shpirt në monumentet e veta, por jo të mbulojnë monumentet tona shpirtërore. Kjo është liria. Ajo sot u vu në diskutim. Shteti nuk e mbrojti atë.
/panorama/