MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Si shkatërrohet një shtet - Thesari

E Premte 17 Qershor, 2016
Si shkatërrohet një shtet

woman-protesting-corruption

Sundimi i sulltanit Sulejman Kanuni, sipas mendimit të historianëve, konsiderohet si epoka e artë e Perandorisë Osmane. Kufijtë e Perandorisë ishin zgjeruar si asnjëherë më parë dhe shumë vende kishin hyrë nën administrimin e saj. Mirëqenia ishte shtrirë në të katër cepat e perandorisë. Megjithatë, sulltanin e shqetësonte diçka. Nga studimi historisë, ai kishte vënë re se çdo shtet i fuqishëm fillonte ligështimin pas një farë kohe. Çdo popull e kishte një fund. Po fundi i Perandorisë Osmane kur mund të vinte? A ishte e mundur që të shmangej diçka e tillë? Këto pyetje e shqetësonin sulltanin dhe i shfaqeshin edhe në ëndërr, pa mundur t'u japë një përgjigje dhe duke mos e lënë të bëjë gjumë të qetë.
Kur mendimet rreth kësaj çështje filluan ta shqetësojnë realisht, ai vendosi të këshillohet me një nga dijetarët e kohës, Jahja Efendi. Ai ishte vëlla gjiri i sulltanit. Kështu, sulltan Sulejman Kanuni shkroi një letër, në të cilën i bëri pyetjen që e shqetësonte natë e ditë. Dijetari në fialë banonte në lagjen Beshiktash në Stamboll.

Në letër, ai i kishte shkruar: "Ju keni dije rreth shumë sekreteve, prandaj uroj të vini dorën në zemër dhe të më tregoni kur bien shtetet dhe cili është fundi i Perandorisë Osmane!"

Përgjigjja e Jahja Efendiut ishte shumë e shkurtër dhe e mistershme. Ai i shkruante: "E ç'më duhet mua kjo o Sulltan? Ç'më duhet mua?"

Sulltan Sulejmani u çudit nga kjo përgjigje, e cila ia shtoi dhe më shumë pështjellimin. Patjetër që kjo përgjigie mbulonte diçka të fshehtë, një kod, që ai nuk po e deshifronte dot. Prandaj, një ditë u nis drejt banesës së Jahja Efendiut. Pasi takua, ia përsëriti dhe një herë pyetjen me një retorikë kritike "Dua prej jush ti përgjigjeni pyetjes time dhe ta merrni këtë çështje seriozisht! Më trego, çfarë deshe të më thuash me atë përgjigje të mistershme?!"

Jahja Efendi e pa në sy dhe i tha: "Sulltan i nderuar! Kur të përhapet zullumi dhe korrupsioni në vend, kur secili që e sheh dhe e dëgjon këtë zullum dhe korrupsion thotë "E ç'më duhet mua" duke u fokusuar te hallet e veta, kur barinjtë të shqyejnë kopenë dhe ata që e shohin këtë heshtin, kur të ngrihet në qiell britma, ankesa dhe e qara e fukarenjve dhe nevojtarëve të cilën s'e dëgjon askush përveç pemëve e gurëve, atëhere shteti është në buzë të greminës. Në raste të tilla, thesaret e shtetit boshatisen, populli e humbet besimin dhe respektin për shtetin dhe minimizohet ndjesia e bindjes ndaj autoritetit të shtetit. Në këtë rast, rënia dhe shkatërrimi është alternativa e vetme për një shtet të tillë.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?