MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Ç’dreqin kanë zyrtarët turq e grekë me xhamitë e kishat shqiptare? - Thesari

E Mërkurë 23 Tetor, 2013
Ç’dreqin kanë zyrtarët turq e grekë me xhamitë e kishat shqiptare?

prottirerg

Në një shkrim të publikuar dje, Alma Lama, deputete e pavarur e parlamentit të Kosovës, ka nxjerrë në shesh një detaj shumë interesant nga një takim që ajo, tok me deputetë e zyrtarë të tjerë kosovarë, ka patur në Turqi me Rexhep Taip Erdoganin. Ky i fundit i ka begenisur sa më s’ka, gjë që s’çudit askënd këtyre anëve. Është një gjë që ndodh prej kohësh si shenjë e miqësisë që ekziston mes dy vendeve, dhe e vëmendjes që Turqia, e drejtuar nga Erdogani apo nga të tjerë, ka ndaj Shqipërisë. Por Lama na bën me dije se shqetësimi kryesor i të zotit të shtëpisë në atë takim ka qenë xhamia e Prishtinës. Si pa dashje, ai kish folur dhe për një vizitë që i kish bërë kohë më parë, për t’iu ankuar, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava. Erdogani e kish pritur Tërnavën, dhe kish folur me të veç për xhaminë. Duket sikur deputetët shqiptarë, dhe Tërnava, janë takuar me kalifin Erdogan, e jo me kryeministrin.

Deputetja Lama nuk e mbaron këtu “dëshminë” e vet. E njëjta gjë ka ndodhur dhe gjatë vizitës së Davutoglu-së në Kosovë. Kryediplomati, që njihet edhe si hartuesi i një doktrine të riotomanizimit të Ballkanit, ka patur të njëjtin shqetësim; madje, duke përmendur në mënyrë kritike dhe ndërtimin e katedrales, “e cila nuk do të mbushet dot nga besimtarët”.

Këtë fokusim në çështje të fesë në marrëdhëniet me shqiptarët e kanë demonstruar edhe grekët. Këta të fundit kanë dhënë herë pas here plot shenja se janë shumë të interesuar mbi mbarëvajtjen e kishës ortodokse shqiptare, e cila asëll-asëll është autoqefale; dhe ‘autoqefale’ mund të përkthehet, pa bërë ndonjë gabim, edhe ‘sovrane’. Zyrtarët e lartë të Athinës nuk lënë rast pa veshur togën e patriarkut ekumenik të Stambollit e pa marrë në mbrojtje besimtarët ortodoksë.

Tani, Turqia dhe Greqia janë për shqiptarët partnerë strategjikë. Janë të tillë tillë me hir, me pahir, prej dispozicioneve të përbashkëta historike e gjeografike. Do të jenë të tillë edhe në të ardhshmen. Është për turpin e zyrtarëve turkë e grekë që i ndotin fare pa të keq funksionet e tyre laike me “kokëçarje” kësodore të natyrës mesjetare (janë të vetmit zyrtarë europianë që e bëjnë këtë), mirëpo atyre duhet t’u vihet kufiri te thana nga zyrtarët tanë, në Shqipëri e në Kosovë, kur vjen puna që demonstrojnë një interes morboz mbi punët e feve.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?