Në administratën shqiptare nuk mund të punojë asnjë shqiptar nëse nuk punësohet nga partitë kryesore të Shqipërisë që janë PS, PD dhe LSI.
Po kështu edhe në media.
Në mediat shqiptare nuk mund të kontribuojë asnjë gazetar nëse nuk i shërben në mënyrë klienteliste një partie apo një politikani të fuqishëm.
Politika shqiptare promovon nepotizmin dhe klinetelizmin duke e minuar sistemin. Prandaj sistemi është kalbur.
Nepotizmi është favorizimi i familjarëve që dominojnë politikën dhe pushtetin duke e kapur atë për gryke për ta mbytur.
Nepotizmin dhe klientelizimin në mënyrën më të përkryer midis partive shqiptare e ka ngritur në sistem LSI, por natyrisht që nepotizmin e promovojnë masivisht edhe PS e PD.
Rasti Balili
Disa ditë përpara se të jepte dorëheqjen, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani lëshoi deklaratën rreth klanit të Klement Balili, që sot njihet me nofkën si “Escobari i Ballkanit”.
Ylli Manjani tek Opinioni i Blendi Fevziut tha shprehimisht se:
1.”Vëllai i Klement Balilit ka punuar për LSI në fushatën e vitit 2013.
2.”Nipi i Klement Balilit është kryetari i Bashkisë së Delvinës, i propozuar nga LSI”. Por kjo s’ka të bëj fare, secili e ka kokën në shpatulla të veta” tha Manjani.
3.Manjani shtoi se Escobari i Ballkanit, “Klement Balili nuk ka qenë sponsor i LSI”!
Ndërkohë Klement Balili ishte pronar dhe biznesmen i fuqishëm me prona dhe pasuri:
1. Klement Balili e kishte pronën e tij kompleksin turistik “Santa Quaranta”, për të cilin Manjani tha se ministrat e PS vinin këtu me dashnoret e tyre. Kush ia kishte treguar Manjanit këtë fakt ?
2. Klement Balili ishte pronar i hotel Olivias në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës.
3.Klement Balili, së bashku me vëllezërit e tij ishte pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në qarkun e Vlorës.
Sipas pohimit të vetë Manjanit, i nipi dhe i vëllai i Balilit kanë dhënë kontribute tek LSI.
Po përse të mos ketë dhënë kontribute edhe Klement Balili, i cili del se pas zgjedhjeve të 2013 emërohet Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës.
A nuk duket sikur emërimi të jetë direkt shpërblim i LSI për kontributet e tij!
Si Escobar i Ballkanit a nuk i interesonte Klement Balilit, të emërohej Drejtor i Transporteve në qytetin e Sarandës, një post i tillë, si detyrë strategjike dhe logjistike për punët e tij të pista ?
E përse e përjashton Manjani mundësinë që Klement Balili të ketë kontribuar për arkën e LSI, kur ai ishte edhe biznesmen edhe boss i drogës dhe pare të pista kishte me miliona ?
Po si është e mundur që LSI e emëron Klement Balilin Drejtor të Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës, kur ky person ka qenë me precedent penal dhe sipas skedës personale të tij të botuar në shtypin shqiptar, rezulton që në vitin 2006 Klement Balili të jetë arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë që u finalizua me prangosjen e disa personave mes të cilëve edhe zyrtarë shtetëror.
Rasti i Ambasadores Filloreta Kodra
Ka të paktën dy vjet që në shtypin shqiptar Ambasadorja e Misionit Shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë Filloreta Kodra denoncohet për shkelje ligjore dhe për trajtim të privilegjuar ndaj një diplomate me emrin Dorina Xhixho, që është Sekretare e Dytë në Mision.
Nuk ka patur asnjë reagim nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, përkundrazi kjo ministri me heshtjen e saj është bërë pjesë e këtyre shkeljeve.
Filloreta Kodra ka qenë nënkryetare e LSI, nënministre etj, pra një nga figurat më përfaqësuese të kësaj partie.
Filloreta Kodra është emëruar në postin e Ambasadores të Misionit Shqiptar pranë OKB-së nga LSI që prej kohës kur LSI ishte në aleancë me PD.
Zonjës Filloreta Kodra i ka mbaruar mandati me kohë, por ajo vijon detyrën e saj.
Për një kohë të gjatë ajo kishte punësuar si sekretar/financier edhe bashkëshortin e saj, çka përbënte konflikt të hapur interesi.
A nuk i di organikat e ambasadave Ministria jonë e Jashtëme. Natyrisht që i di!
Sa për shkeljen e mandateve është një shfaqje rutinë e tre partive kryesore, PS, LSI dhe PD.
Diplomatë të emëruar nga politika pa asnjë meritë dhe pa asnjë vlerë qendrojnë për disa mandate, duke e mjeruar dhe degraduar përfundimisht diplomacinë shqiptare.
Rasti Xhixho
Dorina Xhixho, Sekretarja e Dytë e Misionit Shqiptar pranë OKB, që paçka se ka një rang jodomethënës, trajtohet nga ambasadorja Kodra sikur të jetë zvAmbasadore e këtij Misioni, kjo sipas dëshmisë të disa diplomatëve nga ky mision.
Dorina Xhixho, është 33 vjeçare. Ajo është e emëruar nga LSI, përpara 8 vitesh. Pra, nëse mandatet në Misionin shqiptar janë 3 vjeçare, ajo është në mandatin e saj të tretë.
Nuk ka patur asnjë kontribut. Është emëruar në detyrën e diplomates kur ishte 24 vjeçare dhe tani 33 vjeçare vijon të jetë Sekretare e dytë e këtij misioni.
Trajtimi special nga ana e Ambasadores Filloreta Kodra, që tek Dorina Xhixho gjen militanten e LSI ka shkaktuar revolta tek diplomatët e këtij misioni. Por rezultati ka qenë skandaloz, sepse diplomatët që kanë ngritur krye janë dërguar pako postale në Tiranë, ndërsa Dorina Xhixho vijon të ndihet si Nr.2 i Misionit shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë.
Por kush është Dorina Xhixho?
Një simpatizante, militante apo anëtare e thjeshtë e LSI ?
Natyrisht që jo!
Ajo është pjesë e kupolës nepotike që ka ngritur politika shqiptare.
E motra e Dorina Xhixhos është Erisa Xhixho.
Erisa Xhixho ka qenë Kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe prej vitit 2012 është Kryetare e Komitetit Drejtues të LSI, pra eksponente e LSI. Prej shtatorit të vitit 2014 Erisa Xhixho është emëruar Zv. Ministre e Integrimit Europian.
Por nuk mbaron këtu.
I jati i Dorina Xhixhos dhe Erisa Xhixhos është Pirro Xhixho.
Pirro Xhixho është zyrtar i lartë në shtetin shqiptar.
Ai është kreu i AKEP, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare i emëruar nga LSI.
Ky post votohet në parlament dhe ka kaluar me 79 vota pro, pra me votot e PS dhe LSI. Pirro Xhixho e ka mbajtur këtë post të lartë prej kohës kur LSI ishte në mandat qeverisës me PD. Me largimin nga koalicioni, PD e shkarkoi Pirro Xhixhon, por me kalimin e LSI në koalicion me PS, Pirro Xhixho e rimerr sikur ta ketë me tapi përsëri këtë post të lartë shtetëror.
A duhet të funksionojë kështu shteti, që bijtë, nipat dhe etërit të marrin në dorë frenat e shtetit ?
Partitë shqiptare, së bashku me në krye LSI, PS dhe PD e kanë ngritur nepotizmin në sistem dhe prandaj e kanë kthyer sistemin në kalbësirë.
A është nepotizmi dhe shërbimi klientelist shprehje e korrupsionit?
Po përse Prokurori i Përgjithshëm i kërkon të korruptuarit dhe nuk i gjen, kur i ka të gjithë përpara sysh.
Apo se edhe ai vetë është pjellë e këtij sistemi.