Të nderuar drejtues dhe administratorë të Tv Vizion Plus,
Po ju drejtoj këtë thirrje në mënyrën më miqësore dhe të sinqertë të mundshme, por edhe si qytetar, si profesor i komunikimit masiv, por edhe si pedagog i dhjetra gazetarëve me të cilët mbahet industria e informimit te ne, midis të tjerëve edhe televizioni juaj.
Më lejoni t'ju them se kam për atë televizion një respekt të veçantë jo vetëm si me një profil serioz dhe me cilësi të denjë transmetimi, por edhe për kontributin që ka sjellë tradicionalisht në ekulibrimin e skenës mediatike shqiptare.
Mjaft programe të tij, drejtuar nga gazetarë të talentuar, meritojnë respekt.
Megjithatë, skandali që ndodhi me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës për gazetarin Artan Rama dhe kolegë të tij poaq të nderuar, si edhe mostransmetimi i emisionit për një çështje të nxehtë për opinionin publik, sikurse ishte vrasja e një të riut, jo në fushën e betejës, por në fushën e plehrave, e administruar me kontrata të dyshimta për opinionin publik, si edhe ndalimi i programit Publicus, nuk është fare në të mirë të televizionit tuaj.
Ky skandal i rëndë shënon shfaqjen më flagrante të censurës që ushtrohet mbi mediat shqiptare, e gjendjes të rënduar të lirisë të medias si edhe të trajtimit jashtë çdo standardi të lirisë të gazetarit për të ushtruar profesionin e tij.
Mua më vjen shumë keq që ky rast flagrant implikoi rastërisht televizionin Vizion Plus sepse jam i bindur që edhe ju, kur e keni konceptuar programin, jeni nisur nga ideja e mirë për të përmirësuar informimin publik me emisione investigative. Jam i bindur gjithashtu se po të ishte për ju, nuk do të kishte ndodhur kjo ngjarje shumë e rëndë që do të përfaqësojë për vite të tëra një shembëll shkollor sesi nuk duhet trajtuar media dhe gazetari që i shërben informimit publik.
Dikush mund të pyesi me budallallikun e vet karakteristik: Po këtyre çfarë iu duhet që ndërhyjnë në administrimin e një televizioni privat? Kjo dihet. Sepse një media ka përgjegjësi ligjore, kushtetuese, deontologjike për të respektuar vlera bazë të një shoqërie demokratike si e drejta e qytetarit për t'u informuar saktë, liria e medias dhe e gazetarit për ta ushtruar lirshëm dhe pa ndërhyrje profesionin e tij, e drejta për komunikim dhe shprehje të lirë në hapësirën publike, që janë vlera minimale europiane.
Kur do të integrohemi ne nëse këto vlera shkelen me të dy këmbët dhe nuk guxon asnjë institucion që ka përgjegjësi për lirinë e medias, asnjë shoqatë gazetarësh, asnjë organizëm shtetror, asnjë institucion ndërkombëtar të thotë një fjalë për rastin e rëndë të ndodhur?
Ku po vemi në këtë rrokullisje marramendëse?
Një media ka përgjegjësi përpara publikut jo vetëm për ta informuar, por edhe për t'i shërbyer atij, përndryshe nuk respekton kontratën mbi bazën e të cilës është njohur nga ligji për të vepruar.
Duhet ta dini se publiku po ju sheh në sy se çfarë do të bëni.
Dhe pa publikun çdo media është e mbaruar. Në rast se nuk merren masat e duhura, imazhi i televizionit tuaj do të përkeqësohet në atë pikë sa mua personalisht do të më vinte keq, sinqerisht keq për këtë.
Kësaj thirrjeje miqësore që po ju drejtohet, brenda 24 orësh, i janë bashkuar gazetarë, pedagogë të gazetarisë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë kufijve të saj, studentë të gazetarisë, dhe të tjerë, doktorantë, intelektualë, të rinj e të reja, pensionistë, dhe shumë pak politikanë që unë nuk e di se çfarë bëjnë. Poashtu pak gazetarë televizivë, me përjashtime të rralla. A e kuptojnë ata që gjoja merren me lirinë e medias se çfarë po ndodh? Se përse gazetarët televizivë nuk guxojnë, me pak përjashtime, të solidarizohen me kolegët e tyre që u është prerë karriera në mes, që iu ka ndodhur më e rënda që mund t'i ndodhi një gazetari, censurimi?
Mbi 50 mijë lexime, pra rreth 80 përqind e ndjekësve të kësaj faqeje facebook kanë treguar "vëmendje" ndaj skandalit që ju ka vendosur në qendër, 2 mijë like që tregon një shkallë të lartë të treguesit "mbështetje", rreth 300 share çka tregon se "shkalla e aktivizmit" të opinionit publik rreth këtyre që po ju shpreh është shumë e lartë.
Rrjetet sociale ku lëviz rinia shqiptare sot janë në gjendje alarmi.
Kuptojeni se publiku ju do, prandaj gjykon se është fyer e shkelur e drejta e tij për informim, sepse po të mos priste asgjë nga ju, as nuk do të merrej me këtë çështje.
E çfarë fituat duke iu nënshtruar presionit?
Asgjë.
Vetëm humbët, ndërkohë që videoja e prodhuar me shpenzimet tuaja qarklullon lirshëm në web. Duket se kush ju ka bërë presion jo vetëm nuk ju do të mirën, por edhe i ka mbetur logjicieli në trurin e mpirë nga egoja dhe mëndjemadhësia 30 vjet mbrapa përsa i përket mediave dhe funksionimit të tyre sot.
Rihapeni, të nderuar, programin televiziv që keni censuruar në mënyrë brutale, ritransmetojeni emisionit se nuk ju gjen asgjë e keqe, rithirrini gazetarët në punë dhe kërkojuni falje publike sepse do të dilni të nderuar, hapni debat për çështjet që ngrihen atje, thërrisni edhe të akuzuarit nga emisioni që të mbrohen lirshëm, ndëshkoni nëse ka shpifje ose fyerje, por mos censuroni.
Censura është një atavizëm që mbi të gjitha shkakton të vjella dhe neveri në kohën tonë. Mos mbesni në kujtimin e brezave të rinj, si censurues, sepse ju nuk jeni të tillë!
Korrigjoni gjithçka, sa më shpejt, ishte fundja një gabim i shtyrë nga presioni. E kush nuk ka bërë gabime! Kush mund të thotë se në punë nuk bën gabime!
Gabimi nis atëhere kur nuk e korrigjon gabimin.
Atëhere bëhet faj.
Do të shënohej në të gjithë historinë e mediave të këtij shekulli. Kurse korrigjimi me fisnikërinë tuaj, me qytetarinë tuaj, me ndershmërinë tuaj, me kontributin që jepni në media dhe jo vetëm, do t'a mbylli krizën, do t'i shërojë plagët, do t'a qetësojë opinionin publiok, do t'a ngrejë TV Vizion Plus atje ku ai dëshiron të lartësohet.
Miqësisht,
Prof. dr. Artan Fuga, Anëtar i Akademisë të shkencave