Edhe ky fillim dhjetori u prit siç pritej që të pritej, dmth me një festival shkrimesh dhe intervistash të disa dhjetoristëve, që në fakt janë të njëjtët dhjetoristë që shkruajnë e shkruajnë pa u lodhur, dhe me krenari, shí si të kenë qenë, jo pjesëmarrës në një lëvizje politike, por dëshmitarë të një revelation-i në fund të shekullit të XX. Dhe me këtë rast, duan të arrijnë zhvleftësimin e versioneve apokrife të asaj ngjarjeje, dhe të ekspozojnë versionet e tyre gjoja më burimore e më autentike. Në këtë muhabet e sipër u vërsulen ca dëshmitarëve të tjerë që më pas, në ndryshim nga ata vetë, kanë marrë e kanë trashëguar rolin e apostujve, apo edhe të profetit, dhe këtu është hera për të na thënë se ky profet e këta apostuj zyrtarë janë të rremë. Kjo punë është bërë një ritual i mërzitshëm tanimë, dhe kulmi i mërzisë, e i shëmtisë, shënohet nga veprimtaritë përkujtimore në Tiranë.
Tani, që lëvizja studentore e dhjetorit është një ngjarje e rëndësishme në historinë politike të shqiptarëve kjo nuk ka diskutim, por tentativa e palodhur për t’u fokusuar tek kjo ngjarje, dhe për të bërë interpretimet aposteriori me synimin për të shquar tek ajo gjeste medemek heroike është një çikë e kërkuar. Nuk ka pasur ndonjë gjë heroike në atë lëvizje. Komunizmi ra vetë, dhe studentët, tok me të gjithë shqiptarët që u ngritën atëbotë, thjesht i dhanë një të shtyrë regjimit që po thyente qafën.
Përveç kësaj, të bëjnë përshtypje disa dhjetoristë që, në përpjekje për të nxjerrë në një dritë të keqe dhjetoristët e tjerë që më pas morën në komandë Shqipërinë, e mbajnë frymën në atë lëvizje. Udhëheqësit e Shqipërisë që dolën nga ai dhjetor nuk kanë lënë zullum pa bërë gjatë dy dekadave të fundit, duke tejkaluar në ndonjë drejtim dhe zullumet e regjimit të Enver Hoxhës, por dhjetoristët në fjalë vijojnë t’i besojnë një programimi të hershëm të avatarëve me emrat Berisha, Imami, Hajdari, etj. Kjo është një shajní, asgjë më shumë, por edhe sikur të mos ishte shajní, nuk ka ndonjë rëndësi kushedi se çfarë. Çfarë ka rëndësi është ajo që ka ndodhur më pas, e cila – kjo duhet thënë me zë të lartë – ka lidhje me të gjithë ne. Berisha, fjala vjen, nuk është produkt i dhjetorit. Është produkt i yni.