Dritan Zagani është një zyrtar policie, i lindur në Shkodër, ai është në detyrë si shef i njesisë antidrogë në Komisariatin e Policisë së Fierit—një detyrë e parehatshme dhe e rrezikshme, mes informatorëve me pagesë dhe të dyshuarve për bashkëpunim të fshehtë me “armikun”, me një rrogë në kufi të mbijetesës dhe me shumë “tundime”.
Por ai beson dhe përpiqet ta bëjë mirë punën e tij, edhe pse tek ai ka hedhur rrënjë prej kohësh dyshimi se dikush dekonspiron operacionet që ai organizon. Për këtë arsye, ka filluar të kalojë informacione tek kolegët e tij të misionit italian të policisë financiare, Guardia di Finanza, me shpresën që, të paktën, ata të mund t’i arrestojnë kriminelët shqiptraë kur ata hyjnë në Itali.
Ashtu sikur çdo mbrëmje, edhe më 1 maj të 2014, pas orës 5 të pasdites ai mbyll derën e dhomës së vogël në Komisariatin e Fierit dhe me makinën e tij të rrënuar niset drejt Vlorës, aty ku jeton me dy prindërit e moshuar, bashkëshorten dhe tre vajzat e tij, në një apartament të vogël në lagjen Skelë.
Një darkë e thjeshtë, ca biseda të shkurtëra përpara televizorit dhe më pas në shtrat, nuk ka as para dhe as dëshirë për të dalë nëpër rrugët e Vlorës.
***
Saimir Tahiri është një i ri ambicioz, djalë i një farmacisti, që pas një përpjekje të pafrytshme për të studiuar në Itali, përfundoi në “ezaurim nervor” të gjatë, kthehet në Shqipëri dhe diplomohet në Drejtësi në Universitetin e Shkodrës. Puna e tij e parë në jetë është si zëdhënës i Partisë Socialiste, dhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Qemal Stafa” të themeluar nga Partia Socialiste. Dhe në vitin 2009, pa mbushur tridhjetë vjeç, zgjidhet deputet i Partisë Socialiste. Dihet se për të bërë politikë duhet të njohësh njerëz, dhe Saimiri kthehet në frekuentues të rregullt të jetës së natës së Tiranës, ku njeh personazhet më me emër në qytet.
Saimiri është praktik, dhe falë njohjeve të tij të jetës së natës, organizon skuadra që duhet të “mbrojnë votën” në zgjedhjet e 2013-s, dhe shpërblimi i merituar i marrë nga Kryeministri Rama pas fitores është posti i Ministrit të Brendshëm.
Në klasifikimin famëkeq të ministrave të brendshëm në historinë e Shqipërisë, ai ka hyrë si ministri më jetëgjatë në detyrë, falë një sistemi perfekt të marrëdhënieve me publikun, që filloi me hyrjen triumfale të policisë në Lazarat, tek panairet spektakolare të policisë, tek policet e këndshme në rrugët e Tiranës që shpërndajnë lule për shoferet femra në ditën e Festës së Gruas.
Sigurisht, ndonjë shqetësim vjen përherë, sikurse kritikat për premtimin e pambajtur për të mbyllur të gjitha kazinot në qendër të Tiranës dhe se përdori operacionet e policisë për të riorganizuar tregun e lojërave të fatit, apo për bombën në farmacinë e të atit që u pasua me arrestime të njëpasnjëshme të një sërë kriminelëveqë u liruan të gjithë brenda pak kohe, apo për atentatet e njëpasnjëshme me tritol pa asnjë fajtor, apo për serinë e gjatë të vrasjeve të bujshme të pashpjeguara ndonjëherë, apo së fundmi akuza e vazhdueshme (e pabazë sipas partisë së tij) se ka lënë të lirë kultivimin e kanabisit në Shqipëri, deri në pikën sa filloi transporti i tij me avionë.
Një bezdisje e veçantë i erdhi nga ai polici i Vlorës që e akuzoi se u ka dhënë makinën e tij, që do të thotë mbulimin e tij, kushurinjve të Vlorës, të cilët ai e di që janë tregtarë të ndershëm fruta-perimesh. Por roli i tij si Ministër dhe pushteti i tij politik që buron nga një marrëdhënie e ngushtë me Kryeministrin i dhanë mundsinë që t’ia hedhë lehtsisht dhe paq këtij problemi, duke cituar raportet miratuese të Guardia di Finanza të cilat përgenjështronin problemin e drogës.
Por kur opozita kërcënon se do të bojkotojë zgjedhjet, ajo arrin të marrë “kokën” e tij, dhe pas ritriumfit zgjedhor të partisë së tij, Saimir Tahiri nuk merr asnjë post ministror, dhe iu desh të kënaqet me detyrën e famshme politike të koordinatorit të projektit të bashkëqeverisjes, një shpikje e pavlerë e Kryeministrit pa asnjë domethënie dhe mbi të gjitha pa asnjë pushtet të vërtet.
***
Në orën një pas mesnate bie zilja në derën e Dritan Zaganit, dëgjohet zhurmë e madhe, persona të shumtë që flasin nga ana tjetër e derës.
Nga brenda Dritani pyet se kush janë dhe ato i përgjigjen të hapë derën sepse janë kolegët që kanë ardhur me një urdhër arresti. Dritani nuk do që ta hapi—formimi i tij prej polici i kujton se në Shqipëri ligji nuk lejon arrestimet mes orës 10 të natës dhe 5 të mëngjesit, përjashto rastin kur ata që kërkohet të arrestohen janë të armatosur dhe të rrezikshëm. Kolegët ngulin këmbë për të hyrë, por pa shfaqur forcë (e dinë që ajo që po i bëjnë kolegut nuk është e këndshme dhe ndoshta as e drejtë) dhe ai vazhdon t’u thotë atyre se nuk mund ta arrestojnë në atë orë.
Askush nuk i tregon ndonjë urdhër arresti të lëshuar nga gjykata dhe as i thotë arsyen pse duan ta arrestojnë.
I gjithë pallati zgjohet nga zhurmat e policëve, nga të bërtiturat dhe nga të qarat e vajzave të tij, të gjithë, kuriozë, dalin në shkallë për të kuptuar se çfarë po ndodh, ndërsa dhjetëra policë presin në rrugë para pallatit, duke pirë cigare dhe duke u llafosur pranë pesë makinave të mbërritura nga Tirana nën drejtimin e shefit të kontrollit të brendshme të Ministrisë së Brendshme.
Stresi dhe tensioni rriten dhe i bëjnë një lojë të pakëndshme, Dritanit i bie të fikët, duke rënë në dysheme. Gruaja e trembur hap derën për të kërkuar ndihmë nga policët, dhe ata, të shumtë, hyjnë në apartament, ndërsa vajzat qajnë me dënesë, gruaja e trembur bërtet, ndërsa pleqtë e tij shikojnë në heshtje, të trembur nga kujtimet e kohëve që shpresonin se kishin kaluar.
E shtrijnë në divan dhe e sjellin në vete, ndërsa të gjithë qetësohen. Ai kërkon dhe ja arrin që në apartamentin e vogël të rrinë vetëm ata policë që janë të nevojshëm. Këta, të mbetur gjashtë, vazhdojnë me një farë ndroje të kontrollojnë shtëpinë dhe të vendosin në një kuti të gjithë pajisjet elektronike që arrijnë të gjejnë, regjistruesa, memorie të jashtme kompjuteri, kompjuterin portativ dhe makinën fotografike.
Dritani këmbëngul dhe arrin t’i bindë që të paktën t’i bëjnë një proces-verbal për kontrollin e banesës dhe të gjërave që duan të sekuestrojnë, ato pajisje që i ka blerë me vështirësi për zell profesional apo ndonjë dhuratë nga miqtë e Guardi di Finanza, të cilat Dritanit nuk do t’i kthehen më.
Dritani ka ende marrje mendsh dhe ata e sjellin në spitalin e Vlorës, ku i bëjnë analizat dhe zbulojnë se nga stresi i kanë rënë të gjitha nivelet e sheqerit. I japin serum dhe pas dy orëve e fusin në makinën e policisë, dhe në pesë të mëngjesit e sjellin në Tiranë, ku Dritan Zagani do të qendrojë për tre ditë në një qeli të izoluar në drejtorinë e Policisë së Tiranës, pa kontakt me asnjeri dhe pa asnjë shpjegim.
***
Më 16 tetor 2017 në orën tre të drekës ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po shpejton të mbyllë një ditë normale pune si shef i Partisë Socialiste të Tiranës, mes takimeve me militantë dhe politikanë apo mundësive për foto për gazetarët që e ndjekin, dhe ndonjë mbledhje pune, kur dikush i komunikon se Dritan Zagani sapo ka deklaruar në Facebook që Moisi Habilaj, kushuriri i tij, me të cilin Zagani kishte pasur një përplasje që për të kishte rezultaur fatkeqe, është arrestuar nga një hetim antidrogë i prokurorisë antimafia të Katanias në Siçili.
Postimi i Zaganit elektrizon shtypin shqiptar dhe menjëherë politika fillon ritualin e saj të sharjeve, shumë shpjet të acaruara nga publikimi i disa përgjimeve në të cilat “kushuriri” Habilaj lëvdohet se gëzon mbrojtjen e Ministrit, se përdor policë shqiptarë si transportues droge dhe arrin të përdorë radarët e ushtrisë për të shmangur problemet gjatë udhëtimit në det për të transportuar drogë nga Shqipëria në Itali. Në fund, deklarata e përgjuar e Habilajt thotë se se duhet t’i japë 30 mijë euro Ministrit, edhe pse ai fiton pesë milionë në muaj.
Opozita publikon menjëherë dokumentin e plotë prej 416 faqesh të prokurorisë antimafia të Katanias, duke lënë të nënkuptohet se e ka marrë nga shërbimet sekrete italiane, gjë e cila i jep historisë një dimension tjetër, të një “rregullim hesapesh” të diplomacisë ndërkombëtare.
Partisë Socialiste, befas, nguron të ofrojë mbrojtje politike dhe Tahiri detyrohet të zhvillojë disa takime me majën e hierarkisë politike, natyrisht me dyer të mbyllura, për të cilat gazetarët bëjne festë duke raportuar histori imagjinare përplasjesh të stuhishme, shantazhesh të dyanshme, kërcënimesh për përfshirjen e gjithë qeverisë e të tjera, si këto. Vetë Tahiri, duke dalë nga shtëpia, ushqen dyshimin e një përplasje force me Partinë Socialiste, duke u përgjigjur në mënyrë lakonike gazetarëve që e pyesin për kërkesën për arrestimin e tij si pjesëmarrës në “grup të strukturuar kriminal”, e përgatitur me shpejtësi të rrufeshme nga prokuroria shqiptare: Nuk keni parë gjë akoma.
Komisioni për Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend, i mbledhur urgjentisht për të miratuar ose jo arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit, u kthye në mënyrë të zgjuar në një proces hetimi dhe gjykimi ndaj prokurorëve, në një linjë politike të papërcaktuar mirë, që mban distancë nga ish-ministri por pa e braktisur atë në fatin e tij: hetojeni, kontrollojeni, por nuk mund ta arrestoni.
Dy ditë më pas, Kuvendi do të miratojë në seancë plenare këtë vendim dhe Saimri Tahiri do të jetë i lirë për të përgatitur mbrojtjen e tij, pikë së pari brenda Partisë Socialiste, dhe më pas, nëse do të mbajë të pazbehur mbështetjen politike, gjykatat shqiptare nuk do të mund t’i bëjnë asgjë më, sepse, ndërkohë qeveria do të ushtrojë privilegjet e vetingut dhe atyre prokurorë dhe armiqve politikë mund të mos u mbetet më as hija.
***
Pas tre ditësh arrestim (afati ligjor është 48 orë) në Policia e Tiranës, Dritan Zagani pret vizitë nga një avokat penalist, ndoshta i thirrur nga ndonjë koleg, i cili e informon se është arrestuar për shpërdorim detyre dhe dyshim për bashkëpunim me grupe kriminale dhe më pas e shoqëron në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku ligjërohet arrestimi.
Për gjashtë muaj e tetë ditët e ardhshme Dritani do të mbetet në qeli në pritje të kotë që ndokush, prokuror apo hetues, t’i drejtojë ndonjë pyetje. Ndërkohë, pasi ndryshoi avokat, arrin të paktën të zbulojë se “grupet kriminale” me të cilët kishte bashkëpunuar ishin oficerët e Guardia di Finanza, të pranishëm në Shqipëri si pjesë e një misioni në ndihmë të policisë shqiptare.
Pas një tjetër viti në arrest, dhe pas shumë “këshillimesh përkujdesëse” për shëndetin e familjes së tij, duke parë që procesi i tij, ndërkohë i kaluar nga prokuroria e krimeve të rënda në atë të Fierit dhe i mbajtur në këmbë vetëm me akuzën e shpërdorimit të detyrës, po zhvillohet shumë ngadalë dhe pa asnjë garanci, Dritani merr familjen e tij dhe ikën në Zvicër, ku kërkon dhe përfiton nga qeveria zviceriane statusin e refugjatit politik, pra, statusin e personit që arratiset nga vendi i tij për t’i shpëtuar persekutimit për arsye politike.
***
Saimir Tahiri feston së bashku me mbështetësit e tij që e thërrasin në rrugë, aspak të lëkundër nga pesha e akuzave, hyn në makinën e tij luksoze dhe në apartamentin e tij lëshohet në selfie festive me figura të njohura të medias—fotot tregojnë si luksin e Saimir Tahirit edhe nivelin e lartë të atyre që ishin në ankthin e pritjes për të.
Por tani topi është në fushën e prokurorisë antimafia të Katanias e cila vazhdon hetimet e saj të kujdesshme. Për të mbrojtur Tahirin dhe, me të, të gjithë zinxhirin e pushtetit, qeverisë shqiptare do t’i duhet të përunjet për të marrë në mëshirë pandëshkueshmëri faktike dhe për të shmagur daljen e informacioneve të tjera të sikletshme për të, të cilat do të ushqenin publikun dhe një opozitë përherë e më të nxehur dhe më të uritur.
***
Në praktikë diferencën, nëse e keni vënë re, e bën pushteti. Dinjiteti, përkundrazi, nuk blihet me Mastercard.
/exit/