MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Me kë do bëhet Ilir Meta??? - Thesari

E Enjte 23 Shkurt, 2017
Me kë do bëhet Ilir Meta???

meta-rama-berisha-gang

Kur Ilir Meta u kap me bllok në dorë nga Dritan Prifti me zë dhe me figurë, Sali Berisha bëri gabimin më të madh të karrierës së tij politike duke mbështetur Metën edhe me çmimin që pasoi me 21 Janar. Në qoftë se Sali Berisha atëhere do kishte dalë dhe të thoshte "unë nuk pajtohem me korrupsionin në qeveri" dhe të prishte qeverinë duke pranuar kërkesen e PS për zgjedhje të parakohshme, shumë gjëra do kishin rrjedhur ndryshe që nga ajo kohë.

Së pari, ngjarjet e 21 Janarit nuk do kishin ndodhur dhe katër qytetarë shqiptar nuk do ishin bërë kurban për karriken e Metës dhe Ramës. Jeta e tyre do ishte kursyer.

Së dyti, Berisha do na tregonte se nuk e kishte pushtetin për korrupsion dhe përfitime, por për ti shërbyer popullit për të cilin sakrifikonte edhe karriken e tij dhe të bashkëpuntorëve të tij në qeveri. Ai do fitonte pikë të vlefshme duke mos u pajtuar me korrupsionin, do tregonte pjekuri politike dhe do mbronte njëkohësisht edhe titullin "burrë shteti", duke sfumuar dhe hedhur mbas krahësh gabimet e bëra deri në ato momente nga ai, përfshirë edhe ngjarjet e vitit 1997. Njërëzit mezi prisnin të shikonin një Berishë ndryshe, por ai nuk ua dha këtë kënaqësi duke mos e shfrytëzuar në favor të tij këtë shanc. E gjitha kjo, për mos lëshuar Ilir Metën.

Së treti, nga zgjedhjet e parakohëshme që mund të mbaheshin atëhere, Ilir Meta i diskretituar moralisht e publikisht do rrënohej edhe politikisht dhe LSI do ishte sot histori, dhe nuk do kishte fituar rolin e arbitrit që mban sot për të vendosur se cila parti e ka radhën për të ndarë tortën e qeverisë. PD do kishte marrë akoma atëhere një sasi të konsiderueshme votash nga kjo pjekuri e Berishës dhe ndoshta edhe "Rilindja" nuk do kishte lindur dot kurrë. Nga krahu tjetër, në rast se Rama nuk do ta çonte PS në pushtet, atehere ai kësaj radhe do ikte në shtëpi, duke dalë jo nga dera, por nga dritarja e PS. Por edhe nëse Rama do kishte marrë mjaftueshëm vota për të bërë qeverinë, kjo fitore e PS do ishte e brishtë dhe Rama do e kishte të vështirë qeverisjen dhe kalimin e ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar. Do i duhej të kërkonte në këto raste vota nga kampi kundërshtar, dhe ligjet do kishin kaluar vetëm me aprovimin e opozitës.

Së fundi, Rilindja nuk do kishte lirshmërinë që ka sot, duke ndarë dhe nxjerrë në ankand të gjitha pasuritë e vendit, duke ja dhuruar ato me koncension miqve dhe tarafit të kryetarit, pa i hyrë gjëmb në këmbë. Korrupsioni galopant i Rilindjes nga ana tjetër do ja lehtësonte shumë punën opozitës dhe do e bënte më të lehtë hedhjen e Rilindjes në koshin e plehrave.

Mirëpo kjo nuk ndodhi. Sali Berisha nuk e lëshoi Ilir Metën duke e shpëtuar atë nga katastrofa politike, por edhe penalisht. Për këtë arsye Meta i është debitor Berishës dhe nuk mund të pranojë që ti ndodhi gjë Sali Berishës për aq kohë sa Meta të jetë me pushtet. Ky ishte çmimi që i duhej të paguante Ramës për të ardhur në pushtet. Dhe kur Kreshnik Spahiu i kërkoi publikisht Ramës që të premtonte se do ta denonte Sali Berishën, Rama ju përgjigj negativisht, jo sepse Ramës i vinte keq për Berishën, por sepse i pëlqente pushteti që do i shpëtonte edhe karriken e kryetarit të PS dhe për këtë arsye bëri paktin e ngjalave me Metën.

Unë besoj se sot Sali Berisha e njeh mirë këtë gabim politik të tij, ashtu siç ja njohin edhe shumë figura të tjera në PD, por që asnjë nuk mund ta bëjë dot kohën të shkojë mbrapsht.

Të gjithë hajdutët premtojnë se do mbrojnë njeri-tjetrin, kur bëjnë planin e vjedhjes, ... por kur vjen koha për të ndarë thesin e vjedhur, secili sheh me dyshim dhe frikë dhe mundohet ta eliminojë tjetrin, për ta marrë gjithë thesin për vete. Asnjë hajdut në botë nuk ka besim te hajduti me të cilin bashkëpunon.

Në situatën e sotme, për hir të pazareve të bëra, Ilir Meta po përsërit të njëjtin gabim që Berisha bëri me të. Por kësaj radhe personazhet kanë ndërruar postet. Meta përpiqet të mbajë Ramën në pushtet, sipas paktit të ngjalave dhe rolin e hajdutit me bllok në dorë tashti e ka zënë Rama me rilindasit e tij.

Meta mbahet si politikan i zgjuar, por e ardhmja e tij politike varet shumë nga lëvizja që ai do bëj në këto kushte ku gjendet. PD nuk e ka përmendur shumë ose aspak gjatë sulmeve politike ndaj qeverisjes, me shpresën se ai do mund të ishte çelësi i hedhjes së Ramës në kanal dhe kthimit të PD në pushtet. Në të njëjtën kohë Rama duke e ditur që paterica Meta mund të thyhet në çdo moment, i ka instruktuar socialistët që në fillim, të hidhen në sulm kundër çdo qelize të LSI-së për ta diskretituar publikisht atë, duke e ditur mirë që nga e majta Ilir Meta nuk gëzon respektin e asnjë socialisti, por ndërkohë duke e mbajtur edhe larg PD-së, për ti lënë në derë urrejtjen dhe përçmimin edhe nga ai krah.

Pra qëllimi i mirë-llogaritur i Ramës është shkatërrimi total i Ilir Metës, i cili e mban Ramën peng për të lëvizur siç do ai vetë. Ky skenar do ishte katastrofë për Metën. Ai do gjëndej jo vetëm mes zjarrit të dy partive të mëdha dhe influencave të tyre në media dhe në publik, por do ta kthente LSI në tabelë qitje nga të kater anët, përfshirë edhe opinionin publik të pa politizuar akoma. Kjo do shënonte edhe fillimin e fundit të LSI dhe vet Ilir Metës.

Ilir Meta mund ta dijë shumë mirë këtë skenar të errët që po i afrohet LSI-së, por ai ka edhe një krah tjetër që i duhet politikisht. Eshtë influenca e ndërkombëtarëve, BE dhe sidomos SHBA, me të cilët Ilir Meta nuk i ka dhe aq vaj punët, pavarësisht reklamimeve që ai përpiqet ti shesë opinionit publik në Shqipëri. Meta ka shumë mëkate që njihen publikisht nga ndërkombëtaret dhe ai nuk do ta prishi me ta..., të pakten jo direkt vet. Për këtë arsye ai, kur pa se buzëqeshjet nuk i dhanë efektin që ai donte, u hodh në sulm me artileri të rëndë, duke përdorur mashën e tij më të lartë, Kryeprokurorin e Përgjithshëm Llalla, të cilin e dogji përfundimisht në sy të diplomacisë ndërkombëtare. Loja ishte politike, dhe askush nuk beson se gjithë ajo zhurmë u bë për një vizë amerikane, ose siç thotë populli "për brekët e Sheros". Shumë njërëz në këtë botë, udhëheqës e burra shteti, princa e mbretër, kanë jetuar dhe kanë vdekur pa e parë amerikën, por kjo s'i ka nervozuar ata të ndërsejnë prokurorët për ti kthyer ata në kamikaz, në përplasje të tilla për arsye vize.

Meta ndodhet në udhëkryq.

Meta ndodhet në situatën "shtëpia me dyzet pleq, kujt t'ja prish e kujt t'ja ndreq". Metës i duhet të zgjedhë më pak të dhimbshmen dhe ti japë kohë vetes.

- Të mbështesë Ramën do marri duartrokitjen e ndërkombëtarëve për të zhytur Berishën mbas hekurave. Por në të njëjtën kohë e di mirë se do zhytet edhe vetë pas tij, sepse Rama do e shesi me rastin më të parë që do i jepet. Vetingu do i heqi nga duart Metës drejtësinë përfundimisht.

- Në qoftë se lëshon Ramën dhe mban Berishën mbi ujë, të dy mund ti shpëtojnë drejtësisë për momentin. Meta mund të dalë më pak i lagur nga kjo zgjedhje edhe pse mund të etiketohet nga ndërkombetarët si aksi i të keqes, bashkë me Berishën, me te cilin ai duket se urren tashti të identifikohet. Kjo, edhe pse duket zgjidhje e përkohëshme, do ishte zgjidhja më pak e dhimbshme për momentin. Fundja s'na prish punë se nuk shkuam në Amerikë.

Sa do funksionojnë skemat dhe lojërat e Metës, kjo ngelet për tu parë, por Ilir Meta ka hyrë në një qorrsokak politik dhe personal, ku s'po gjen dot rrugën e duhur për të shënuar e për të dalë i fituar. Koha po ecën më shpejt se hapat e Metës dhe kjo po e bën Metën të lëvizë në mënyrë kaotike dhe të papjekur. Sulmi i Llalës ndaj ambasadorit Lu tregoi nervozizmin e tij, shumë larg parrullës "me qetësi dhe dashuri" që Meta e ka aq qejf.

Një zgjedhje e gabuar e Metës do i kushtonte atij dhe ekipit që ai drejton luftën dhe të gjithë investimin e tij politik dhe personal. Viktimat e para të kësaj lufte deri tashti kanë rënë vetëm nga krahu i LSI. Por nuk ka mbaruar akoma. Lufta vazhdon...

fb/jvasili

Mendimi juaj
02 Mars, 2020 04:15 UTC
laro
Po me po
Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?