MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Nuk dihet se çfarë kërkojmë. Qeveri teknike apo qeveri koalicioni PS, PD, LSI? - Thesari

E Shtunë 04 Mars, 2017
Nuk dihet se çfarë kërkojmë. Qeveri teknike apo qeveri koalicioni PS, PD, LSI?

ArtanFuga

Në çadrën për lirinë politike vazhdon grumbullimi i protestuesve midis ndërtesës së kryesisë së Kuvendit dhe asaj të kryeministrisë.

Dje trekëndëshi u bë katërkëndësh.

Pra u ngatërrua edhe më shumë.

Lulzim Basha në çadër e ka bllokuar bulevardin, nga njera ndërtesa ku ka zyrën Ilir Meta dhe nga ana tjetër zyra ku qendron Edi Rama. Nga pamjet televizive, trekëndëshi u zgjat deri te Hotel Rogneri ku Mogherini priste përfaqësuesit e PD. U bë katërkëndësh.

Ishte një ditë kaotike. Në çadër flitej për kushtetutën. Çlirim Gjata, i cili qendronte në anën e majtë të Lulzim Bashës e bëri copë Kushtetutën, për të cilën kishte punuar Arben Imami që qendronte në krahun e djathtë të kryetarit të tij. Pak më tutje Grida Duma, e heshtur dhe me vështrim të menduar. Ndërkohë ende më vijnë në vesh fjalët cinkisht të artikuluara qartë të Henri Çilit që nga studioja e një televizioni, ulur, i deklaronte Lulzim Bashës në këmbë: Nuk je ende i përgatitur!

Si gjyq punist, në vend t'i drejtoheshin pyetje me respekt!

Për çfarë nuk u fol dje. Në rrëmujën kaotike të takimeve me përfaqësuesen e BE, nën thirrjet e zjarrta në çadër, mendja ka nevojë gjithsesi të punojë qetë dhe të arsyetojë qartë.

Krerët e aleancës opozitare deklaruan paradite se ata janë për një qeveri me mbështetje te gjerë politike.

Pastaj Lulzim Basha shkroi në facebookun e tij se i kishte deklaruar në mënyrë budiste zonjës italiane se ishte për "një qeveri të vullnetit të mirë", (në fakt të gjithë me vullnet të mirë jemi), kurse në çadër deklarimet e forta para masës që thërret janë për qeveri teknike.

- Qeveri teknike? 
- Qeveri e vullnetit të mirë? 
- Qeveri me mbështetje të gjerë politike?

Sepse janë koncepte politike kaq larg njeri tjetrit sa janë për dikë që shëtit, jo kryeministria, kryesia e kuvendit, çadra, apo Rogneri, por larg sa mali i Dajtit nga bregu i Adriatikut.

Me një fjalë dje të lindte pyetja: Çfarë kërkon saktësisht PD dhe çfarë i propozon qeveria?

Kërkojnë një qeveri PD, PS, LSI, pra një qeveri koalicioni pozitë - opozitë apo një qeveri teknike?

Me një fjalë do të kemi zotërinjtë Basha, Rama, Meta në qeveri të përbashkët, të vullnetit të mirë, me mbështetje të gjerë politikë, pra "të vullnetit të mirë" me kryetar Budën ose Krishnën, apo qeveri teknike?

Unë besoj se protestuesit në çadër, opinioni qytetar, por edhe ne intelektualë të interesuar për fatet politike të vendit duam ta dimë.

Sepse përndryshe rrezikohet kot kaosi politik në vend nga paqartësia e aktorëve politikë qendrorë.

Qeveri teknike do të thotë qeveri tjetër nga kjo e sotmja dhe me antarë kabineti jo figura qendrore politike të partive që e mbështesin, si edhe me ndikim nga ana e partive të tjera të vogla.

Kurse qeveri koalcioni, edhe kjo një formulë si dukej dje lëvizte në kokat e Tiranës, është diçka tjetër.

Kaosi politik i djeshëm u shtua edhe nga mënyra sesi erdhën propozimet dhe u bënë kundërpropozimet. Dukej si një negocim individësh të fortë midis tyre dhe jo si negocim politik. Edi Rama dhe Ilir Meta i propozuan Lulzim Bashës, dhe ky i fundit i kundërpropozon duke pasur në krah Nokën dhe Mehdiun. Po a ka forume, a ka grupe deputetësh, a ka kryesira partish që të delegojnë krerët e tyre për negociime kaq të rënda, delikate dhe kaq të rëndësishme për fatet politike të kombit sot?

Apo jemi në një dialog ose mosdialog individësh të fortë?

E frikshme!

Kjo është çështja kur flitet për republikën e re: kontratë individësh të fortë apo kontratë poltike agjencish, qytetarësh, partish që delegojnë vullnetet e tyre.

Se edhe kur kemi nevojë për të sqaruar cështje politike, të bëjmë teorira për konstitucionalizmin në çadër, si të ishim në seminar universitar, edhe këtu ka diçka që nuk shkon.

Aq më shumë që u deklarua se qeveria e re, nuk e di cila, e vullnetit të mirë, me mbështetje politike të gjerë, pra gjithëpërfshirëse, apo teknike, do të merrej e kishte për objektiv edhe dekriminalizimin, vetingut, etj., madje edhe mosmbjelljen e hashashit, veç zgjedhjeve, duket se kemi paqartësi.

Çeshtje politike të Kuvendit, apo të stinës së mbjelljes së bimëve narkotike, i ngatërrojmë me zgjedhjet që po trokasin në derë. Çfarë pune ka qeveria teknike apo e vullnetit të mirë me inkriminimin ose çinkriminimin e të zgjedhurve, apo vetingun?

Pra, dje ishte kaos. Por, kaos është shumë sqarues, sepse kuptojmë që jemi në kaos.

Çfarë kërkohet?

Se po qe se është puna për një qeveri koalicioni PS, PD, LSI, (unë as ja kam haberin ta di nëse është mirë ose jo, sepse do të më duheshin edhe shumë të dhëna që nuk i kam), duke bërë si kokë turku ministrin e tanishëm aktual të brendshëm, mos bëfsha mëkat, por besoj se Edi Rama dhe Ilir Meta do të ishin menjëherë dakord.

Mbase, por duhet ta dinë ata të çadrës.

Mbase është mirë, nuk e di, por kush do ta bëjë opozitës pastaj?

Apo deri në zgjedhje nuk do të kemi opozitë?

Se mos e pëson si qeveria e Ylli Bufit?

Nejse!

Por po qe se mendoni se në vend të qeverisë teknike, ose të kësaj që është, duhet një e koalicionit PS, PD, LSI, thuheni sa më shpejt e mos na harxhoni forcat se kombit po i dridhen këmbët nga lodhja, zhgënjimi, drobitja.

Atëhere nëse kështu përse ka nevojë që të bëhet kaq shumë zhurmë!

Çfarë ishte dje? Një ditë kaosi politik, ditë tërheqje e protestës, ditë ndryshimesh në fjalorin politik, ditë ndryshimi orientimi, ditë dëshirash të mbajtura akoma pashprehur, shtrim bulevardi për negocime të ardhëshme, matje forcash?

Çfarë?

Ne qytetarët, me ose pa çadër, vazhdojmë lagemi në shi duke pritur që të lindë dielli që nuk duket në lindje, por dje nuk dukej as në perëndim.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?