MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Shokët e Lul Berishës dhe Ben Blushi - Thesari

E Mërkurë 14 Qershor, 2017
Shokët e Lul Berishës dhe Ben Blushi

andi-bushati

Ben Blushi kishte dalë në bulevardin kryesor të qytetit për fushatë. Ai qe aty për t’u përshëndetur me njerëzit pse jo dhe për t’u filmuar dhe fotografuar me ta. Kur në një moment, i’u afrua një njeri që mbante veshur një kostum sportiv të Italisë, njësoj si Edi Rama dhe i kërkoi një fotografi. Pasi pozuan i panjohuri e pyeti edhe se ku do t’a marrë foton. “Tek faqja e Libras në internet” i’u përgjigj Blushi (lexo shkrimin poshte).

Në fakt njeriu me syze të mëdha dhe me kostumin blu të azzurrëve, nuk kishte nevojë për të pritur që fotoja të dalë në faqen e Libras. Siç u pa në filmimet e publikuara më pas, ai nuk do të priste shfaqen zyrtare të saj. Sepse pak më poshtë ishin marrë masat që të ‘gjendet” një fotograf tjetër që tashmë e ka shkrepur aparatin. E njëjta foto brenda disa minutave u dërgua në Tiranë. Ajo menjëherë gjeti botimin në mediat që financohen nga zyra e shtypit të kryeministrit. Disa drejtues portalesh pohuan më vonë se, po nga kjo zyrë, janë kontaktuar dhe i kanë çuar linkun që duhej përhapur me shpejtësi.   

Por megjithëatë, problem nuk është përhapja, po organizimi i gjithë këtij “scoopi”.

Le ta zëmë se personi me rroba sporti, Lul Berisha pra, i njëjti që Blushi me anë të disa fjalimeve e kishte akuzuar se ishte liruar nga burgu me ndihmën e Ramës dhe Vangjush Dakos, shkoi të fotografohet “rastësisht” tek akuzuesi i tij. Le ta zëmë po të doni se kjo nuk paskësh qenë edhe kaq e rastësishme, dhe se ai ka planifikuar t’i ngrejë një kurth të vogël politikanit që e kishte përgojuar në parlament.

Megjithëse kjo nuk është e besueshme, megjithëse të fortët tanë nuk janë kaq të rafinuar, le të besojmë për një çast tek ky version.

Po si u lidh në pak çaste ish i dënuari për pesë vrasje me zyrën e Ramës në Tiranë? Pse ajo u vu në punë për të shpërndarë “scoop-in”? Pse ende pa u kthyer Blushi në Tiranë, mediat e financuara nga kryeministri e publikuan atë?

Ata që “harrojnë” t’i bëjnë këto pyetje, sipas meje themelore, duan të fshehin kompleksin e tyre duke i’u vërsulur miqve të Blushit. Ata përpiqen t’i këkojnë kreut të Libras llogari duke pretenduar se ai duhet ta njihte patjetër atë që akuzon. Ata e marrin për të mirqenë që politikanët duhet të jenë të afërt me të fortët, edhe kur i përdorin edhe kur bëjnë teatër duke u shtirur sikur i sulmojnë.

Kjo lojë perverse ka një qëllim të qartë. Ajo kërkon t’i bëjë pis të gjithë njësoj, si ata që denoncojnë kriminelët, si ata që bashkëpunojnë me ta.

Por, në dritshkurtësinë e tyre, organizatorët e kësaj farse, nuk llogaritën një gjë. Duke dashur që ta kthejnë Blushin në viktimë, ata e bënë dëshmitar të lidhjes së tyre okulte. Ata e shndërruan foton që u bë për të denoncuar, në një fakt që tregon se kush është në komunikim të vazhdueshëm me Lul Berishën.  

Në këtë kuptim, ngjarja që ndodhi dje në Durrës është një boomerang që ra mbi kokën e atyre që e organizuan. Ajo është dëshmia më e qartë se kush bashkëpunon me basifondet e botës së errët. Ajo jep alarmin se këta që janë në pushtet kanë degraduar deri në atë pikë, sa mos t’i përdorin më të fortët për “punë të nderuara” si kërcënimi i kundërshtarëve dhe vjedhja e votave, por edhe për interesat perfide të propagandës së tyre malinje.

Prandaj “scoop-e” si ky, sado të pisët qofshin, shërbejnë për të qartësuar më mirë këdo që do t’i drejtohet kutive të votimit në 25 qershor.

Prandaj ngjarje si kjo, janë dëshmi të gjalla për sejcilin që do të rreshtohet me krahun e kriminelëve, apo për kë do të jetë përkrah denoncuesve të tyre.

Ndodhi të tilla, ndikojnë tek çdokush që të bëjë një zgjedhje. Ato janë pika e tepërt që derdhin gotën.

Një efekt të tillë pati kjo ndodhi edhe tek unë, duke u bërë shtysa e fundit që do të më çojë të dielën e fundit të qershorit (pas plot 17 viteve) drejt kutisë së votimit. Jo thjeshtë si “shok” i Blushit, po si dikush që kërkon t'a luftojë me sa mundet pushtetin e banditëve.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?