Përsa i përket rastit “Myftaraj-Vllahutin” nuk e marr aspak mundimin të vlerësoj ato ç’ka shkruan zoti Myftaraj për ambasadoren e BE në Tiranë; nëse ai ka gabuar apo është në të drejtën e tij të shfaqë publikisht opinionin personal për zonjën Vllahutin. Ajo që më tërheq vemendjen ka të bëjë me servilizmin e përunjësinë e shqiptarëve në rang shoqërie ndaj asaj kategorie të huajsh që në konjunktura të caktuara i kanë aleatë.
Konkretisht, në rastin në fjalë më ngjalli një ndjenjë neverie letra e shkrimtarit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht drejtuar ambasadores Vllahutin ku jo vetëm i kërkonte falje për shkrimin e Kastriot Myftarajt në adresë të saj, por shprehej i gatshëm të binte edhë në gjunjë para saj, ndoshta për t’i shprehur tronditjen e tij për “fyerjen e paskrupullt” siç e vlerëson ai shkrimin e Myftarajt.
Kjo letër, si dhe reagimet e ndonjë botuesi historikisht ushtar në shërbim të dikujt, ndonjë zyrtari apo antari të kabinetit qeveritar të cilët morën “në mbrojtje” ambasadoren kroate të BE duke anatemuar Myftarajn, nuk ka si të mos jenë pasojë e atij mentaliteti servilizmi që duket se historikisht ka qenë në genin e shoqërisë shqiptare. Pavarësisht nga forma dhe rrethanat, letra e Kadaresë për Vllahutin është produkt i të njëjtit mentalitet që ditën e vdekjes së Stalinit, bëri rë ulen në gjunjë të gjithë shqiptarët, gjë që nuk ndodhi në asnjërin nga vendet komuniste, madje as në vendlindjen e diktatorit sovjetik, Gjeorgji. Ultraservilizmi ndaj “vëllait të madh” Bashkimit Sovjetik bëri që të pushkatohen pa gjyq mbi 80 intelektualë shqiptarë për një shpërthim pranë ambasadës së BS.
Gatishmëria e Kadaresë për t’u gjunjëzuar para kroates Vllahutin, në esencë nuk ka ndonjë ndryshim nga deklaratat për miqësi të pathyeshme e besnikëri ndaj mikut të radhës apo letrat e hapura ku dënohej armiku i këtij miku. Madje sot, përmbjtja e letrës së shkrimtarit duket mëse normale, në kohën që fjala e diplomatëve të huaj, pra dhe e Vllahutin, si dhe e zyrtarëve të zakonshëm të vendeve perëndimore jo vetëm ka më shumë peshë se ajo e krerëve të institucioneve kryesore të vendit, por në shumicën e rasteve është vendimtare.
Konkretisht mediat shqiptare janë të mbushura me deklaratat vlerësuese të përfaqsuesve të këtyre vendeve për problemet e Shqipërisë duke pasur vlerë më të madhe se vendimet e qeverisë dhe segmenteve të tjerë të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, Vllahutin, pavarësisht se është e ambjentuar me servilizmin karakteristik shqiptar duke u trajtuar si një guvernatore, gjithsesi, mund të jetë ndjerë e surprizuar, jo vetëm nga letra e shkrimtarit më të njohur shqiptar, por dhe nga reagimet e disa zyrtarëve të lartë pa përmendur arrestimin e Myftarajt. Kjo pasi në vendin e saj, nuk pati asnjë reagim ndaj Drazhen Stjepandiç, autori I shkrimit “Zonja e parë në hije”, nga i cili mori informacionet për Vllahutin, zoti Myftaraj. Madje në shkrimin e Stjepandiç, personazhi kryesor ishte vetë presidenti kroat, Ivo Josipoviç, i cili e trajtonte Romana Vllahutin si zonjë të parë të Kroacisë.
Duke iu kthyer dëshirës së Kadaresë për të kërkuar falje i përgjunjur më duket e pakuptimtë të kërkosh falje për dicka që ka bërë dikush tjetër. Ndryshe do të kishte qenë puna nëse “falje” për shkrimin e Myftarajt do të kishte kërkuar kryeministri, ministri I jashtëm apo kreu i ndonjë institucioni tjetër shtetëror. Përfshi këtu dhe përfaqësuesin e ndonjë shoqate për mbrojtjen e të drejtavë të grave.
Nëse tek Kadareja do të kishte lindur një dëshirë për të kërkuar falje, në vend të një diplomateje, më parë ai duhej t’u kishte kërkuar falje shqiptarëve për “kontributin” e dhënë në formimin e njeriut të ri me shkrimet e tij të realizmit socialist. Me këtë ai do t’i bënte një shërbim të madh shoqërisë shqiptare pasi me një akt të tillë ai do të kontribuonte në spastrimin e jetës shoqërore e politike në Shqipëri nga mbeturinat asaj pjese të inteligjencies së komunizmit që vazhdojnë të dërdëllisin akoma duke pretenduar deri dhe përjetësimin e “veprave” të tyre të të ashtuquajturit “realizëm socialist”.
Por, përveç ndjenjës së përunjësisë dhe servilizmit ndaj të huajve, ideja e Kadaresë për t’i u drejtuar zonjës Vllahutin duhet të jetë nxitur dhe nga dëshira e tij për tu ‘hakmarrë ndaj Kastriot Myftarajt, i cili në disa shkrime të tij në fomë hulumtimi a përsiatjesh i ka shkelur në kallo shkrimtarit të njohur të realizmit socialist. Dhe Kadare është një hakmarrës që nuk harron kurrë. Të njejtën gjë ka bërë ai kundër shkrimtarësh të tillë si Kasem Trebeshina, Arshi Pipa, Bilal Xhaferri, Rexhep Qosja dhe kujtdo tjetër që mund ta ketë kritikuar apo të paktën nuk ka qenë në unison me të.