Tom Doshi dhe Mark Frroku u arrestuan për kallzim të rremë. Pas 6 muajsh denoncim mbi vrasjen me pagesë në qeli, shkoj Toma dhe jo vrasësit. Pas 6 muajsh kallzimesh, viktima ishte Toma dhe jo prokurori Eugen Beci që drekonte me vrasësit. Nëse ka gënjyer Toma apo Marku askush nga prokuroria nuk e kuptoi pasi të paktën njëri prej tyre gënjen dhe sigurisht tjetri thotë të vërtetën.
Ambasadat do rreken të duartrokasin këto pak arrestime si uji i pakët, por pas kësaj shumë pak mund ta dine se do bëhet qameti. Doshi dhe Frroku nuk u arrestuan as për vrasje dhe as për korrupsion. Ata nuk u arrestuan as për trafiqe dhe as për pastrim parash. Toma dhe Marku i prishën qetësinë dhe dashurinë çiftit Rama & Meta.
Ka ende njerëz që nuk duan ta besojnë që Toma tha të vërtetën. Ka ende njerëz që nuk e kuptojnë se Toma e dashuronte partinë dhe Kryeministrin më shumë se 1 milion votuesit. Ka ende njerëz që nuk mund ta kuptojnë se çdo të thotë 4 milion euro sponsorizim në fushatë elektorale.
Precedenti Doshi ishte i vetmi që s’kishte ndodhur në historinë e parlamentarizmit botëror ku denoncuesit "whistleblower" shndërrohen në heronj të luftës kundër krimit dhe jo në viktima, ku u vihen prangat. Modeli Doshi rrëzikon të hapë një zinxhir vrasjesh politike në Shqipëri. Shumë nga ne, i duket kallzimi i Tomës një histori trilli e shkëputur dhe ku individi i thjeshtë, me të drejtë, largohet nga realiteti.
Për çfarë arsye në botë Tom Doshi duhet të shpikte një histori dhe intrigë të tillë? Hipotezat e Prokurorisë shqiptare tentojnë të mbyllin kapakun e një serie vrasjesh, atentatesh, kërcënimesh dhe krimesh që kanë ndodhur kohët e fundit. Toma nuk gënjeu, sepse, nuk kishte asnjë motiv për ta bërë dhe të gjithë ne, kemi mundësinë dhe shansin të lexojmë fare qartë se: Tom Doshi ka qenë për 10 vite financuesi kryesor i Partisë Socialiste dhe sponsori numër një i Edi Ramës.
– Tom Doshi ka qëndruar pranë dhe ka informacione të plota për çdo aktivitet të Edi Ramës dhe Ilir Metës
– Tom Doshi ka qenë pjesë e bizneseve të ndryshme të Edi Ramës dhe Ilir Metës
– Tom Doshi dinte gjithçka mbi atentatet dhe bombat që vihen prej 2 vitesh në Shqipëri.
– Tom Doshi s’ka asnjë mbështetje nga opozita dhe ishte “non grata” në kampin tjetër politik
– Tom Doshi ndoqi prej 6 muajsh çdo fazë kallzimi penal në çdo hallkë të pushtetit dhe drejtësisë.
– Tom Doshi u braktis nga të gjithë dhe s’qe pjesë e lojës së askujt.
– Tom Doshi ishte garanti i Edi Ramës tek Dritan Prifti për publikimin e provave për burgosjen e Metës para 21 Janarit në Top Channel.
– Tom Doshi nuk mund të thurte një intrigë dhe fantazi duke përfshirë mbi 10 persona, por mund ta izolonte vetëm në një emër nëse do gënjente.
– Tom Doshi ruhet prej 6 muajsh me super kushte mbrojtje.
– Tom Doshin e shpëtoi rastësia dhe më pas tre ekzekutorët u tentuan të eleminohen nga organizatori për të humbur gjurmët.
– Tom Doshi u njoftua nga Mark Frroku pasi treshja e atentatorëve kishte lidhje me shokun e tij që e bëri deputet.
E për të gjithë ata që nuk duan të kuptojnë, Toma u burgos se nuk mundën ta vrisnin dot. Natyrisht pjesë e skenarit për vrasjen fizike apo politike ishte Rama, Meta dhe deri tek prokurori i krimeve të rënda që pas denoncimit të Tom Doshit rrëfehej tek killerat me ditë të tëra.
Toma u burgos si paradhomë e një vrasje të paralajmëruar. Toma u burgos se dinte gjithçka mbi familjen mafioze socialiste. Tomën deshën ta vrasin për të mos i larë borxhet, dhe për të fundosur dhjetra mëkate. Toma u burgos për të vrarë zërin opozitar. Ja pse Toma u prishi qetësinë dhe dashurinë çiftit Rama dhe Meta.