Tashmë, asnjë nuk e mohon se në Shqipëri është instaluar një shtet luksokratik, ku politikanë, pushtetarë, e shumë të tjerë përfaqësues të strukturave të shtetit (drejtësia, administrata, policia dhe akademizmi), kanë akumuluar për një kohë relativisht të shkurtër nga hiçi, nëpërmjet vjedhjes, korrupsionit dhe abuzivizmit aq pasuri marramendëse, sa që do t'ua kishin zili edhe shumë biznesmenë të suksesshëm të botës perëndimore që kanë trashëguar pasuri në breza e kanë punuar me përkushtim një jetë të tërë.
Ndërkaq, pas etjes për pasuri deri në pangopësi, shumicës prej tyre (mediokër, vulgarë, injorantë me diplomë, pa skrupuj), u lindi dëshira për pushtet, lavdi e kënaqësi epshore. Rrethanat ku jetojnë tashmë i llastojnë dhe mendojnë, se nuk kanë kurrfarë pengese a detyrimi për t'u ndalur në këtë lloj sjelljeje feudale. Dhe në mënyrë kapricioze mendojnë se asgjë nuk i ndal në rrugën e tyre drejt politikës dhe pushtetit. Kjo babëzi e pashembullt e këtyre "feudalëve" të këtij regjimi "hibrid", që është instaluar gjatë këtij çerekshekulli në Shqipëri ka krijuar edhe pabarazinë dhe padrejtësinë sociale më të madhe dhe polarizimin më të skajshëm midis të pasurve dhe të varfërve. Duke e transformuar këtë vend në një vend "të çuditshëm të Ballkanit ku jetojnë gratë më të bukura, por lindshmëria në rënie, ku të papunët më së shumti punojnë, ku të gjithë nxitojnë për në punë dhe askush nuk arrin në kohë, ku 8-orëshi i punës zgjat 12 orë, ku shëndetësia është pa pagesë, por shërimi i shtrenjtë, ku gazetarët janë të lirë të shkruajnë çdo gjë që iu urdhërohet, ku sekretet shtetërore janë publike, ku historia përsëritet çdo ditë, ku më të pasurit janë njerëzit të cilët kurrë nuk kanë punuar, ku padituria është e certifikuar me diploma false, ku më të mençurit i deklarojnë të çmendur dhe të çmendurit të aftë, ku analfabetet shkruajnë historinë, ku ligjet janë të paligjshme, ndërsa anarkia gjendje normale, ku jetohet për të ardhmen sepse për të tashmen nuk kemi të drejtë, ku çdo kush e përqesh tjetrin dhe askush askujt nuk ia dëshiron të mirën, ku proceset gjyqësore zgjasin më shumë se jeta, ku përmbytjet janë e vetmja mënyrë për ujitje, ku normalët nuk janë të nevojshëm, ku punësohen mediokrit e të paaftët, ku statistikisht është populli më i shkolluar, por më i paarsimuari, ku ka akademi, por nuk ka shkencëtarë, ku ka universitete, por nuk ka një botë akademike si dije nga njëra anë dhe si shkencë nga ana tjetër, ku ka studentë me shumicë, që frekuentojnë më tepër klubet e pabet se sa bibliotekat e leksionet, ku ka "presorë" e doktorë shkencash "leshi", që për herë të parë kanë shpikur trafikun më të çuditshëm, trafikun e kërkimit shkencor.
Është ky vend në Ballkan që ka mbi 100 parti, po asnjë e majtë e djathtë apo e qendrës. Ka vetëm shumë të pasur, të pasur, të varfër, shumë të varfër dhe pensionistë! Është ky vend në Ballkan ku me Ndershmëri, Sinqeritet dhe Zell kurrë nuk do të arrish qëllimin e duhur...!?
Tablo trishtuese, por e vërtetë! Tragjikja dhe komikja, realja dhe irealja të pleksura me njëra tjetrën kanë krijuar një lloj "demokracie hibride", të cilën prof R. Qosja e ka cilësuar si "totalitarizëm demokratik". Fasada - një show demokratik, thelbi - totalitarizëm. Sepse politika ka pushtuar çdo fushë e çdo anë të jetës shoqërore. Cilësorët që bëjnë të mundur të quhet demokraci rendi politik e shoqëror shqiptar, janë cilësorë formale sepse mbahen zgjedhje të "lira". Quhet "i lirë" organizimi shumëpartiak, liria e mendimit dhe e fjalës, tregu i lirë etj "liri" anarshiste.
Ndërkaq, ndikimi i popullit në qeverisje është pothuaj i papërfillshëm. "Feudalët"e politikës e pushtetit përpiqen të krijojnë iluzionin se përfaqësojnë popullin dhe "luftojnë" për prosperitetin e tij. Por në fakt popullin e takojnë vetëm një herë kur ka zgjedhje, për ta gënjyer e mashtruar për votat, pa dhënë kurrfarë llogarie për sundimin e tyre. Cilësohet kështu. sepse oligarkia jonë patriarkale, pushtetin, pasurinë, politikën e gjithçka ekziston në Republikën e Shqipërisë, i trajton si dhuratë e saj dhe është i uzurpuar madje i privatizuar prej saj. Prapavijë ka bizneset, klanet partiake dhe nepotiste, bankat dhe mediet. Paraja përcakton sjelljet, veprimet, mendimet e vlerësimet dhe zhvlerësimet e oligarkëve politikë. Kudo mbizotëron mentaliteti feudal partiak, krahinor, fetar, nepotik në mendime, në gjykime, në vështrime historike, trajtim i pabarabartë i dinjiteteve njerëzore etj. Për ta mbajtur këtë "demokraci totalitare" të zbatuar si feudale, populli duhet të jetë i nënshtrueshëm, i pa civilizuar, kulturalisht i pa kultivuar, tribal, turmë që të mbrojë më së pari interesat e prijësit se sa ato vetjaket. Sepse kështu sundohet dhe skllavërohet më lehtë.
Idealet e demokracisë që na u serviren të shkëlqyera për bukurinë dhe harmoninë e tyre, janë marrë nëpër këmbë nga po ata njerëz që na i serviren dhe që nën trysninë e instiktive ataviste para arsyes e ligjit, që nën trysninë e leverdive vetjake para përgjegjshmërisë pushtetore e kanë çuar këtë vend në kaos e degjenerim moral. Ishte kjo politikë e ardhur në pushtet prej shtresës së varfër, më tepër rurale. E kaluara e saj, varfëria e saj, pangopësia e babëzia e saj materiale e pushtetore i kanë humbur humanizmin dhe fisnikërinë kësaj politike, që vazhdon "të hajë si ariu e jo si miu".
Është ky zhgënjimi ynë i idealit të demokracisë. Është fatkeqësia e një kombi që është goditur në thelbin e ekzistencës së tij, pikërisht në ADN - në e qytetërimit - tek Dinjiteti, Arsimi dhe Morali. Tek Qenia, Mendja dhe Shpirti i një shoqërie moderne, që kanë çuar në këtë krizë institucionale, politike, ekonomike, kulturore, arsimore, por mbi të gjitha në një krizë morale, që ia bën më të lehtë klasës politike feudale shqiptare sundimin dhe skllavërimin e popullit të vet. Kontribut real tragjik dhe dramatik në këtë krizë poliedrike kanë dhënë jo pak edhe disa media, studio, rrjete sociale edhe shumë opinionistë, moderatorë, gazetarë analistë të "alkimisë së kuletës ", të paguar për të mos thënë të vërtetën para publikut, por për të promovuar "eliksirin e demokracisë" të servirur nga "guri i çmuar" politik. Me poza prej "profeti" dhe argumente të sajuara shumica e tyre duke "demonizuar" njërën palë dhe "glorifikuar" palën tjetër. Dhe e bëjnë këtë me një zell dhe pragmatizëm aq të madh sa humbasin "çdo druajtje dhe dinjitet" për të përfolur në vend të të folurit, për të gjykuar në vend të të menduarit, për të orientuar mendime sipas "porositësit më të parë", për të relativizuar të vërtetën, që sipas Karl Popperit, "është një nga parimet më të shëmtuara të intelektualëve, tradhti ndaj arsyes e shoqërisë me tautologji dhe banalitete të lezetuara, me marrëzi paradoksale e fjalë bombastike që kuptohen me vështirësi".
Fatkeqësisht "alkimistët mediatikë të kuletës", jo vetëm që nuk janë të paktë në numër, por kanë edhe mobiliet të madh. Bredhin nga një studio në tjetrën, nga një gazetë në tjetrën, nga një medie në tjetrën, jo për profesionalizëm, jo për dinjitet, jo për të vërtetën, por për kuletën! Mjeranë! Mjerimi është, se në vend që të zbulojnë të vërtetat, imagjinojnë, fantazojnë, denigrojnë, aludojnë, parashikojnë, profetizojnë, për t'u prishur mendjen të tjerëve me fjalë bombastike (që shpesh herë nuk ua di edhe kuptimin, sepse i kanë të huazuara nga të tjerët). Flasin kot, dëgjojnë asgjë dhe shikojnë hiç. Bashkime tingujsh si fjalë, mullarë fjalësh si fjali, kapica fjalësh si mendim. Por më e keqja e mjeranëve të tillë është kur përpiqen të mbahen si profetë të mëdhenj kundrejt të tjerëve, në vend që të heshtin derisa të mësojnë t'i thonë gjërat thjesht dhe qartë. Emisionet e tyre- "Debat" - të vetëquajtura me gjithfarëlloj emrash "tërheqës", të kujtojnë disputet e alkimistëve të Mesjetës Evropiane, që përpiqeshin t'i jepnin përgjigje pyetjeve të tilla si "sa djaj ka në kokën e gjilpërës", në qoftë se "dalin nga koka e gjilpërës, në cilat shpirtra do të strehohen"? ; ose "ai që bleu manto, bleu edhe kapuç"?, po "kapuçi që bleu, çfarë forme kishte, me çfarë materiali ishte, çfarë ngjyre kishte?" etj, etj, pyetje të tilla haluçinante, që me orë të tëra përpiqeshin t'u jepnin përgjigje duke u sharë, ofenduar e rrahur. Dhe në fund të këtyre disputeve mesjetare asnjë përgjigje, asnjë përfundim asnjë progres në mendim e shkencë. Irrealja kishte errësuar realen, irracionaliteti - racionalen, fantazia - shkencën, injoranca - dijen, budallallëku - mençurinë. E njëjta gjë ndodh edhe në këto panele - sharje, fyerje, ofendime, të bërtitura, të gjithë kundër të gjithëve. Për çdo deklaratë që bëhet, për çdo marrëveshje që lidhet e për çdo broçkull tjetër. Dhe reagimet e protagonistëve të panelit - mjerane. Mjerimi qëndron në faktin se nuk duan t'ia dinë, nëse ekziston e vërteta apo jo, pa le të bëjnë përpjekje për ta kërkuar dhe mbrojtur atë.
Nuk i dëgjuam asnjëherë të tregojnë se çfarë do të fitojë shoqëria, apo të denoncojnë shumë plagë të kësaj shoqërie, apo të investigojnë aferat korruptive të politikanëve e pushtetarëve, apo të mbrojnë interesat e të varfërve e të pambrojturve. Por vetëm, çfarë do të fitoj unë. Secili për vete zoti për të gjithë - qëndrim që tregon se kanë humbur edhe rrezen e fundit të së vërtetës dhe më kryesorja kanë humbur edhe çdo druajtje para këtij fakti: Me një zhurmë që do të ishte më e madhe se njëmijë zëra ata heshturazi mendojnë: "Sa të jemi ne gjallë, njerëzit që jetojnë rreth nesh nuk duhet të bëhen më të urtë dhe më të mirë, në progresin e tyre të pandalshëm ne mallkojmë çdo përpjekje të tyre, pasi një gjë e tillë do të na përthithte edhe ne, prandaj ne e urrejmë. Nuk duam të bëhemi më fisnikë e më të ndriçuar: Terri dhe errësira janë elementet tanë dhe për të mos hequr dorë prej tyre do të përdorim edhe energjitë tona të fundit. Me një ftohtësi dhe dinakëri më të madhe se ajo e qenies mizantrop, këta "alkimistët mediatikë të kuletës", kanë llogaritur, paramenduar dhe zgjedhur pikën më të shenjtë - të vërtetën për ta përdhosur atë që në embrion dhe ia kanë arritur qëllimit; nuk pranojnë një argument "ratio" dhe me arrogancë u përgjigjen atyre lidhur me këtë çështje: Mjaft, nuk është e vërtetë dhe nuk duam të jetë e vërtetë, sepse prej kësaj nuk fitojmë asnjë gjë.
Por, përkundrejt një përçudnimi të tillë të një pjese të mass-Medias, të përfaqësuar nga "alkimistët e kuletës", qëndrojnë "priftërinjtë e së vërtetës" - gazetarë, opinionistë, analistë, moderatorë e publicistë me identitet individual dhe mendor, me integritet moral, mendje inteligjente, analitike dhe objektive, që nuk nisen nga qëndrime emocionale, subjektive, instiktive apo personale në evidentimin e thelbit e problemit, duke bërë kujdes ta servirin atë si "opinion publik" para njerëzve, qartë dhe me fjalë të thjeshta. Duke u prononcuar me guxim intelektual në mbrojtjen e shtresave të të varfërve e të pambrojturve si dhe në denoncimin e marrëzisë të marrëzive të politikanëve dhe pushtetarëve, që kërkojnë të "dehin" dhe t'i hedhin në "detin e lumturisë" njerëzit e varfër e të pandriçuar me "eliksirin demokratik", të shpikur nga vetë ata. Gjithmonë qartë, thjesht dhe direkt, sepse nuk duan që t’i mbushin mendjen njerëzve. Por nuk duan as t’i bindin me lloj lloj marifetesh dogmatike ata. Janë të vetëdijshëm se edhe mund të gabojnë. Ata me gjuhën e vet kërkojnë ta shkundin tjetrin nga dremitja dogmatike, ta provokojnë për të formuar mendimin e lirë, të cilin e respekton edhe atëherë kur e konsiderojnë krejt të gabuar. Ata provokojnë shpesh diskutimin kritik si gurë themeli i mendimit të lirë të individit. Se diskutimi kritik mund të na ndihmojë për ta parë një problem apo çështje nga më shumë e më shumë anë dhe për ta vlerësuar drejt atë - thekson K. Popper.
Sa mjeranë përkundrejt sfondit të diturisë dhe modestisë, mençurisë dhe objektivitetit të "priftërinjve të së vërtetës", duken "alkimistët mediatikë të kuletës". Dhe më e keqja për këta të fundit është se ende nuk e kuptojnë mjerimin e tyre, pavarësisht se ka kaluar një çerek shekulli. Dhe kështu do të vazhdojnë derisa emocionet, ndjenjat dhe interesat do t'u shtrembërojnë gjykimin, përderisa emocionet, ndjenjat dhe pragmatizmi do të qartësohet nën udhëheqjen e arsyes. Vetëm atëherë mund t'i menaxhojnë mendimet, qëndrimet dhe veprimet e tyre në mënyrë.
"Rruga më e pabesë për të dëmtuar një kauzë është ta mbrosh atë me argumentet e gabuara në mënyrë të qëllimshme " - këshillonte Nietzschen. Mos u bëni të pabesë me popullin tuaj duke i shtrembëruar të vërtetat për pesë aspra! Dinjiteti është pasuri e patundshme, hipoteka e qytetarisë dhe fisnikërisë. Se populli di të seleksionojë. Çdo ditë e më tepër ai bëhet "më i mençur", më i kualifikuar në analizimin e mendimeve dhe qëndrimeve të tij për veten e familjen, që përcaktojnë në një masë të madhe jetën e tij se sa të shefave të partive, politikanëve adoleshentë apo pushtetarëve të korruptuar e arrogantë. Tashmë shumica e njerëzve e ka të qartë, se ta kuptosh këtë do të thotë t'i japësh kuptim dhe qëllim jetës tënde., sepse siç thoshte edhe i urti Sokrat: "Pa u thelluar, jeta nuk ia vlen të jetohet!" Kushdo qofsh ti, politikan , profesor, gazetar, deputet, rektor etj. Askush nuk mund ta ndalojë të vërtetën të njihet, sepse ajo lë gjurmë, që nuk humbasin kurrë.
Është e pashpresë tentativa për ta fshehur të vërtetën. Ajo ekziston përjetësisht, ndërsa ti, unë, ne, ju përkohësisht. Ajo ngelet, ndërsa ti, unë, ai, humbet dhe veç kjo mund të dëshmojë se ti ke qenë diku, dikur... i tillë apo i atillë. Kjo është kostoja e të ekzistuarit në këtë jetë. Është gjurma jote që dëshmon të vërtetën. Mos e mashtro veten se mund të dalësh jashtë saj. Mos u vetëmashtroni dhe mos veproni me ligësi dhe mos u përpiqni t’i fshihni të vërtetat popullit tuaj, se të gjitha në këtë botë përcaktohen me balancën e së vërtetës.