Gjatë tetë viteve të shkuara demokratët shqiptarë i bënë të gjitha zullumet e mundshme, plaçkitjen e vendit, mbushjen e administratës me militantë e kushërinj të pushtetarëve, sjelljen arrogante me opozitën e me qytetarët, që u finalizua me ekzekutimin e katër qytetarëve në bulevard, politizimin e frikshëm të institucioneve, dhe mes të gjithave, vjedhjen “teknologjiko-institucionale” të votave, gjë që u vu re në mënyrën më ilustruese në zgjedhjet e fundit lokale të Tiranës. Ju kujtohet? Gara u mbyll atëmot, e Rama ishte dhjetë vota përpara Bashës, dhe pikërisht në këtë moment, faqe të tërëve, u bë një escamotage i paprecedent, me anë të të cilit dizavantazhi prej dhjetë votash u shndërrua në një avantazh prej një qind e ca votash. U përfshinë në këtë maskaradë anëtarët e Kolegjit zgjedhor dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ngaqë i bënë të tëra, shumëkush mendoi se këta nuk do të kenë si të hapin gojën e të ngrejnë zërin kur të kalojnë në opozitë e kur pushteti të kalojë në duart e kundërshtarëve të tyre. Mirëpo, ky pyet ky soj! Lulzim Basha mund të priste ca kohë më shumë për të organizuar një protestë, mund të priste një sebep më të denjë, por jo, ai gjeti faktin që në Korçë, ku partia e tij ka humbur me mijra vota diferencë, u janë dhënë honorare elektorale 2 mijëlekëshe disa qindra studentëve e emigrantëve. Dhe e gjeni dot se kush tjetër, përveç Bashës, është mobilizuar në mënyrë të veçantë në këtë betejë kundër shitblerjes së votës? Kush nuk e di, si zor ta marrë me mend. Është Arben Ristani, kreu i KQZ-së, një nga personazhet më të ndyrë të fabulave elektorale këtyre anëve.
Post Scriptum: Aurel Plasari kish bërë para dy ditësh një shënim në profilin e tij në facebook, dhe aty kish shpikur një term tepër shqip për të përkufizuar një si “shkujdesje e moskokëçarje në administrimin e punëve publike”: çiqitëmizëm. Është një term që mund të adoptohet në ligjërimin publik edhe me përthyerje të tjera semantike. Fjala vjen, kjo që bën Basha, Ristani, etj, është bash një çiqitëmizëm. Po protestojnë sot me idenë: Ç’iqitëmën se ç’kemi bërë ne në të shkuarën.