MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Për Ramën, gazetari e botuesi janë një! - Thesari

E Hënë 28 Tetor, 2013
Për Ramën, gazetari e botuesi janë një!

ramkokdhim

Kritikës sime të bërë në programin ‘Ilva Tare Tonight’ lidhur me emërimin në krye të ‘Albpetrolit’ të një njeriu që ka punuar për deputetin Koço Kokëdhima, kryeministri Rama iu përgjigj duke thënë në thelb se nuk është e drejtë që një i sapoemëruar të paragjykohet, se drejtuesi vlerësohet pasi të bëjë, e jo para se të bëjë gjëra, dhe në fund, duke u ndalur në rastin konkret, saktësoi: “Është e vërtetë se kreu i Albpetrolit ka punuar pranë Kokëdhimës, por po kaq e vërtetë është se edhe Mustafa Nano ka punuar pranë tij, në kohën kur shkruante për Shekullin”.

Kjo është një paralele që nuk qëndron asnjë çikë. Drejtori i ri i Albpetrolit ka administruar prona e kompani të Kokëdhimës dhe u ka shërbyer interesave financiare të tij. Ndërsa unë – nuk e kisha besuar se do vinte puna të nënvizoja një fakt kaq të qartë e kaq të kuptueshëm – nuk kam bërë të njëjtën gjë. Unë thjesht kam bërë gazetarin. Po, është e vërtetë se kur kam shkruar për ‘Shekullin’ nuk kam qenë i prirur dhe i interesuar për të gjetur yçkla në bizneset e Kokëdhimës (është i vetmi moment që e bën paralelen kryeministrore “me kuptim”), por nga kjo qasje deri tek kokëçarja për të mbrojtur e kuruar interesat financiare të “botuesit tim”, gjë që e ka bërë administratori, është në mes një distancë me mijra kilometra.

Madje, rasti im e bën më të madhe këtë distancë, pasi unë nuk kam qenë fare “pranë Kokëdhimës”, nuk kam qenë i punësuar, nuk kam qenë drejtor a kryeredaktor gazete, apo ku di unë çfarë. Unë kam shkruar artikuj e kam marrë honorare. Kaq. Ndërsa administratori i deputetit-biznesmen ka bërë krejt tjetër gjë (duke mos bërë asnjë mëkat, të kuptohemi). Madje, nëse do të viheshim për të gjetur dy profesione që ushtrohen mbi bazën e parimeve deontologjike deri dhe të kundërta, s’do bënim gabim të ndaleshim tek 1. administratori i një biznesi e 2. gazetari.

Por për kryeministrin, me sa duket, nuk është kështu. Dhe me këtë ai nxjerr në shesh një optikë të tijën për profesionin e gazetarit. Dhe kjo nuk është një shenjë e mirë në rrethanat që mass-media jonë ka nevojë ulëritëse për reforma e ndërhyrje të lloj-lloj-shme nga ana e maxhorancës së drejtuar nga Edi Rama.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?